2019.08.04 Viaggio Apostolico Mozambico Madagascar Maurizio trasferimento da Roma a Maputo conferenza stampa in volo 2019.08.04 Viaggio Apostolico Mozambico Madagascar Maurizio trasferimento da Roma a Maputo conferenza stampa in volo 

Papa Françesku: në këtë krizë duhet njё gazetari e lirë

'Njё gazetari tё lirë në shërbim të të gjithëve dhe në kërkim tё së vërtetës'. Papa e ka shumë për zemër lidhjen e gazetarisë me paqen, të informacionit me kulturën e takimit.

R.SH. - Vatikan

"Në krizën aktuale kemi nevojë për një gazetari të lirë në shërbim të të gjithë njerëzve, sidomos tё atyre që nuk kanë zë; një gazetari që angazhohet në kërkimin e së vërtetës dhe hap shtigje bashkimi e paqeje”. Kёshtu pohon Papa Françesku në një tweet sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Informacioni ta fitojë betejën me "lajmin e rremë" duke kërkuar të vërtetën

Ne kemi nevojë për një gazetari që "nuk i djeg lajmet", por gjithnjë kërkon të vërtetën dhe "impenjohet për të gjetur zgjidhje alternative në vend të shkallëzimit të zhurmës e të dhunës verbale". Në mesazhin për Ditën e Komunikimeve Shoqërore 2018, që u bë i njohur mё 24 janar 2018, Papa Françesku u kërkoi operatorëve të komunikimit, pra, mediave, të kthehen në themelet e profesionit të tyre, madje, edhe më mirë, t’i kthehen "misionit" të tyre, shkruante Papa Bergoglio: "Tё jenë rojtarë tё lajmeve", një informacion "në shërbim të së vërtetës".

Dizinformimi diskrediton njerëzit dhe nxit konfliktet

Në pjesën e parë të Mesazhit 2018, Papa Françesku analizoi fenomenin e lajmit të rremë (fake news). Lajmi i rremë, vërente Ati i Shenjtё Bergoglio, synon të "mashtrojë e madje edhe ta manipulojë lexuesin". Dhe vërente se nganjëherë përhapja e këtyre lajmeve synon të "ndikojë në vendimet politike e të favorizojë përfitime ekonomike". Në ditët e sotme, përhapja e tyre "mund të mbështetet e ndihmohet nga përdorimi manipulues i rrjeteve sociale (social netëork )" që i bëjnë lajmet e rreme "virale". Drama e dizinformimit, paralajmëronte Papa Françesku, është "diskreditim i tjetrit, përfaqësimi i tij si armik", që madje mund edhe të "nxisë konflikte". Dhe nё vazhdim, Papa nёnvizonte se dizinformimi shpesh i ka rrënjët e veta "në etjen për pushtet" që "lëviz nga gënjeshtra në gënjeshtër për të na vjedhur lirinë e zemrës".

Lajmet e rreme bazohen në "logjikën e gjarprit", ato nuk janë kurrë të padëmshme

Të gjithë, nxiti Papa Françesku, janë të thirrur tu vënë fre këtyre gënjeshtrave. Ati i Shenjtë vë theksin mbi “nismat edukative", që ndihmojnë  të "mos bëhemi përhapës tё pavetëdijshëm tё keqinformimit, por aktorë tё zbulimit e të nxjerrjes nё shesh të tij". E këtu Papa, duke përmendur Librin biblik tё Zanafillës, vërente se nё bazёn e informacionit të rremë është "logjika e gjarprit", i cili, në njëfarë mënyre, është "protagonisti i lajmit tё parё të rremë". Tunduesi, lexohet në Mesazhine vitit 2018, "duket si i besueshëm" dhe synon "joshjen, që hap rrugën e saj në zemrën e njeriut me argumente të rreme dhe tërheqëse". Pikёrisht ashtu si lajmet e rreme. Ky episod biblik, vazhdonte Papa, tregon se "asnjë keqinformim nuk është i padëmshëm. Madje, besimi në çka është e rreme sjell pasoja tё kobshme, katastrofike", pasi edhe "një shtrembërim i lehtë i së vërtetës mund të ketë efekte të rrezikshme".

Kërkimi i së vërtetës është ilaçi më radikal kundër virusit të gënjeshtrës

"Ata që gënjejnë veten dhe dëgjojnë gënjeshtrat e tyre - shkruante Françesku, duke cituar Dostojevskin, autor veçanërisht i dashur për të - shkojnë aq larg sa të mos jenë më në gjendje ta dallojnë të vërtetën". Dhe pikërisht e vërteta, nënvizonte Mesazhi, është ilaçi më i fuqishëm kundër "virusit të gënjeshtrës". Prandaj, duke zgjeruar horizontin, Papa vuri nё dukje se "çlirimi nga gënjeshtra dhe kërkimi i marrëdhënieve" janë "dy elemente, të cilat nuk mund të mungojnë, qё fjalët dhe gjestet tona tё jenë të vërteta, autentike, të besueshme".

Gazetari është "roja e lajmeve", duke kapërcyer logjikën e sensacionalizmit

Njerëzit dhe jo strategjitë, nёnvizonte Papa Bergoglio, janë ilaçi më i mirë “kundër gënjeshtrave". Njerëz, shton ai, të cilët "janë të lirë nga lakmia, janë gati të dëgjojnë dhe, përmes përpjekjes për dialog të sinqertë, mundësojnë të dalë nё pah e vërteta". Kështu vё nё dukje përgjegjësinë e gazetarëve në punёn e informimit. Gazetari, ripohonte Mesazhi i vitit 2018, është "kujdestar i lajmeve" dhe ka pёr detyrë që, "në valën e frenezisё së lajmeve dhe në vorbullën e sensacionalizmit, të kujtojë se në qendër të lajmit nuk ështё shpejtësia e publikimit të tij e as ndikimi apo jehona e tij në audiencë, por janё njerëzit".

Të nxitet një gazetari e paqes, që krijon bashkim

Mesazhi i Papёs Françesku mbaronte me një thirrje të fortё e tё përzemërt për një "gazetari të paqes". Nuk është fjala, paralajmëronte Ati i Shenjtё, pёr "një gazetari qё më bën të ndjehem mirë, e cila mohon ekzistencën e problemeve serioze", por pёr një gazetari "pa shtirje, armike e gënjeshtrës, e parrullave sa për efekt dhe e deklaratave bombastike". Lypet, shkruante Papa, një gazetari, qё "bëhet nga njerëzit për njerëzit", një gazetari si "shërbim", për t’u dhënë zë atyre, që nuk kanë zë. Dokumenti përfundonte me një lutje të frymëzuar nga Shën Françesku i Asizit. "Bëj ta njohim të keqen, e cila depërton në komunikimin që nuk krijon bashkim" është lutja e Papës , e “aty ku ka sensacionalizëm, bёj që ne tё përdorim thjeshtësinë, qartësinë" dhe " ku ka gënjeshtër, bёj tё sjellim të vërtetën".

Gazetarët t’i shërbejnë së vërtetës, jo interesave të posaçme

Papa e ka shumë për zemër lidhjen e gazetarisë me paqen, të informacionit me kulturën e takimit. Që në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2016, Ati i Shenjtë pati nënvizuar se mjetet e komunikimit shoqëror kanë përgjegjësi të madhe në përpjekjen për ta mposhtur indiferencën e për të ndërtuar paqen. E kjo mund të realizohet “duke u vënë në shërbim të së vërtetës, jo të interesave të veçanta”. Mesazhi, duke pasur parasysh posaçërisht të rinjtë, nënvizonte se mjetet e informacionit jo vetëm që informojnë, por edhe e formojnë shpirtin e atyre, të cilëve u drejtohen. Prej këndej, për gazetarët është themelore të vigjilojnë mbi botën, nga e cila marrin e për të cilën japin informacione.

Gazetarí, që i jep zë kujt nuk ka zë

Informimi duhet të jetë “mjet ndërtimi” e jo “armë shkatërrimi”.Tek kjo temë Françesku rikthehet me forcë në Fjalimin drejtuar Këshillit Kombëtar të Urdhërit të gazetarëve italianë. Gazetaria, pohon më 22 shtator 2016, “duhet ta respektojë gjithnjë dinjitetin e njerëzve”. Natyrisht - vëren - “kritika është e ligjshme” e aq më shumë “padia e së keqes”. Por kjo duhet bërë duke e respektuar tjetrin, gjithnjë. Gazetaria - tërheq fort vëmendjen Papa - nuk mund të bëhet armë për shkatërrimin e njerëzve e deri të popujve. Nuk duhet as të ushqejë frikë përballë ndryshimeve a fenomeneve, si emigrimet e detyruara nga lufta dhe uria. Gazetaria - pohon Françesku - duhet të jetë mjet ndërtimi, faktor, që i shërben së mirës së përbashkët, përshpjetuese e proceseve të pajtimit, që favorizojnë kulturën e takimit.

Mediat katolike të shpallin Ungjillin e Paqes

Në qershor të vitit 2017, Papa i fton shprehimisht gazetarët katolikë “të vazhdojnë të kërkojnë të gjitha mjetet teknologjike e shoqërore, që të mund të bashkëpunojnë me sukses në misionin universal të Kishës për shpalljen e Ungjillit të paqes”. E bën këtë nga tribuna e Kongresit botëror të Signis, në Québec City, ku Françesku paraqitet me një mesazh, përmes të cilit u kërkon anëtarëve të shoqatës katolike ndërkombëtare për komunikimin “të frymëzojë shpresë për çdo njeri, e, sidomos, atje ku jeta provon shijen e  hidhur të dështimit”.

03 maj 2020, 19:57