Mesha në një bashkësi misionare,  Maputo, Mozambik Mesha në një bashkësi misionare, Maputo, Mozambik  Editorial

Në burimet e një misioni, që nuk është vepër e jona

Në Mesazhin e tij për Veprat Misionare Papnore, Papa kritikon disa patologji, që ka rrezik ta shpërfytyrojnë veprimtarinë misionare, duke errësuar veprimin e hirit hyjnor.

ANDREA TORNIELLI

          Mesazhi i Papës Françesku për Veprat Misionare Papnore është një tekst i fuqishëm, konkret në këshillat e tij, që tregon burimin e vetëm dhe të vërtetë të veprimit misionar të Kishës e, njëkohësisht, dëshiron të shmangë, duke i quajtur me emër, disa patologji, që ka rrezik ta shpërfytyrojnë vetë misionin.

Misioni, shpjegon Papa Françesku, nuk është rezultat i zbatimit të “sistemeve dhe të logjikës së botës, të militantizmit apo të aftësive tekniko-profesionale”, por lind nga “gëzimi tejet i madh”, që “na dhuron Zoti”, fryt i Shpirtit Shenjt. Është hir, ky gëzim, që askush s’mund t’ia japë vetvetes. Të jesh misionar do të thotë t’i bësh jehonë dhuratës së madhe e të pamerituar që ke marrë, pra, të pasqyrosh dritën e Dikujt tjetër, siç bën hëna me diellin. “Dëshmitarët”, shkruan Papa, “në çdo situatë njerëzore, dëshmojnë atë, që kryhet nga dikush tjetër. Në këtë kuptim dhe vetëm në këtë kuptim, ne mund të jemi dëshmitarë të Krishtit dhe të Shpirtit të Tij”. Është ai “misterium lunae”, aq i dashur për Etërit e Kishës së shekujve të parë, të cilët e kishin plotësisht të qartë se Kisha, çast për çast, jeton prej hirit të Krishtit. Ashtu si Hëna, edhe Kisha nuk shkëlqen me dritën e vet e, kur shikon tepër veten, ose beson vetëm në aftësitë e saj, përfundon në mbyllje në vetvete dhe nuk i dhuron më dritë askujt.

Zanafilla e këtij mesazhi është teksti i Nxitjes apostolike “Evangelii gaudium”, që përvijon udhën e papnisë aktuale. Françesku kujton se kumtimi i Ungjillit dhe dëshmia e fesë së krishterë janë tjetër gjë, në krahasim me çdo prozelitizëm politik, kulturor, psikologjik apo fetar. Kisha rritet në botë nga forca e saj tërheqëse dhe “nëse e ndjek Jezu Krishtin, e lumtur që tërhiqet prej Tij, të tjerët do ta vënë re. E mund edhe të mahniten”.

Nga mesazhi për Veprat Misionare Papnore, shihet qartë synimi i Papës për ta kufizuar prirjen, që e konsideron misionin si diçka elitare, për t’u orientuar dhe drejtuar përmes programeve të hartuara në tryezë, duke zbatuar strategji, që arrijnë në “ndërgjegjësimin” e njerëzve përmes arsyetimit, thirrjeve, militantizmit, formimit. Nga teksti papnor botuar sot, kuptohet qartë edhe se Ipeshkvi i Romës e konsideron këtë rrezik aktual, prandaj, fjalët e tij kanë një vlerë, që shkon përtej Veprave Misionare Papnore, të cilave u drejtohet.

Për të shmangur mbylljen në vetvete, ankthin për të komanduar dhe delegimin e veprimtarive misionare në duart e “një klase të lartë ekspertësh”, të cilët e konsiderojnë popullin e pagëzuar si një masë të mpirë për t’u shkundur e mobilizuar, Françesku kujton disa nga tiparet dalluese të misionit të krishterë: mirënjohjen dhe dhurimin falas, përvujtërinë, afërsinë me jetën e njerëzve, atje ku janë dhe ashtu siç janë, parapëlqimin për të vegjlit dhe për të varfërit.

21 maj 2020, 12:21