Të zhvendosur të brendshëm, për shkak të konfliktit në Afganistan Të zhvendosur të brendshëm, për shkak të konfliktit në Afganistan 

Ndërmjet mikpritjes e mbrojtjes, misioni i ri krah të shpërngulurve

U paraqitën sot në Vatikan, “Orientimet baritore për të shpërngulurit e brendshëm (IDP)”, vëllim i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Janë 122, udhëzimet e “Orientimeve baritore për të shpërngulurit e brendshëm (IDP)”, paraqitur sot në Vatikan, nga Seksioni i Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Është kontribut i ri në misionin e Kishës dhe mbështetje më konkrete për të gjithë ata, që jetojnë në periferitë ekzistenciale e duhen “mirëpritur, mbrojtur, promovuar dhe integruar”.

Më se 41 milion të shpërngulur në botë

          Në fund të vitit 2018, sipas “Internal Displacement Monitoring Centre” (Qendrës së Monitorimit të Shpërnguljes së Brendshme), 41,3 milion njerëz në mbarë botën janë zhvendosur brenda vendit - numri më i lartë i regjistruar në histori. Edhe pse të shpërngulurit e brendshëm, shpesh, detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtat arsye si refugjatët, nuk bëjnë pjesë në sistemin ndërkombëtar të mbrojtjes, siç ndodh me refugjatët, për të cilët ka një ligj ndërkombëtar. Për sa kohë nuk kalojnë kufirin, ata mbeten qytetarë nën juridiksionin e vendit të tyre të origjinës, i cili, shpesh, i lë në hije, krejtësisht të harruar nga shoqëria.

Të sensibilizohen mjetet e informacionit dhe opinioni publik

          Për ta përballuar këtë sfidë, Kisha duhet “të inkurajojë median e, më gjerë, edhe shoqërinë e qeveritë, që të sensibilizohet opinioni publik”. Përgjegjësia parësore për mbrojtjen e tyre u mbetet autoriteteve kombëtare, të cilat, nganjëherë, hezitojnë, ose nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat. Prandaj, është me rëndësi thelbësore që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë forma konstruktive për t’i mbështetur të shpërngulurit, gjithnjë, duke respektuar sovranitetin kombëtar.

Normativa transparente

          Për këtë arsye, është thelbësore “të rekomandohen mandate dhe norma transparente për mbrojtjen e të zhvendosurve, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe t’i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet më mirë në favor të njerëzve të shpërngulur në gjithë botën, duke kontrolluar zbatimin e ligjeve ekzistuese ndërkombëtare dhe duke ndërhyrë konkretisht kur shtetet nuk janë në gjendje, ose nuk dëshirojnë t’i mbrojnë ata, në respekt të plotë të parimit të subsidiaritetit”.

Trafikimi dhe konfliktet etnike

          Dokumenti denoncon edhe trafikimin e qenieve njerëzore, që i prek të zhvendosurit, praninë e tyre në zonat urbane dhe në kampet e refugjatëve, si edhe bën thirrje për mbrojtjen e veprimtarëve humanitarë. Ndër shkaqet e shpërnguljes, sinjalizohen “konfliktet etnike dhe fisnore”, prandaj, Kisha është e thirrur të “punojë për pajtimin, pranimin e të tjerëve dhe respektin ndërmjet grupeve etnike e fisnore, duke promovuar shërimin e kujtesës, riedukimin e komunikimit të drejtë dhe jetesën jo të dhunshme”.

Përfshirja ekonomike

          Një tjetër hap i rëndësishëm është përfshirja ekonomike e të shpërngulurve, që duhet të realizohet përmes mbledhjes së fondeve në Kishat lokale, ose përmes shfrytëzimit të burimeve financiare vënë në dispozicion, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. U duhen krijuar mundësitë të zhvendosurve të kthehen në shtëpitë e tyre, thuhet në dokumentin e ri vatikanas. Së fundi, kërkohet punë e përbashkët dhe koordinim ndërmjet gjithë protagonistëve katolikë, por edhe bashkëpunim ekumenik e ndërfetar.

05 maj 2020, 12:01