Kërko

 Hyrja në Muzetë e Vatikanit Hyrja në Muzetë e Vatikanit 

Muzetë e Vatikanit dhe Vilat Papnore rihapen për publikun

Kompleksi i jashtëzakonshëm muzeal vatikanas mund të vizitohet përsëri që nga 1 qershori, duke respektuar normat e higjienës e të distancimit. Vilat Papnore të Castel Gandolfos do të rihapen më 6 qershor.

R. SH. - Vatikan

Pasi u mbyllën për gati tre muaj, për shkak të emergjencës shëndetësore, Muzetë e Vatikanit do të rihapen për publikun. Nga 1 qershori mund të vizitohet përsëri, në siguri të plotë, ky peshtaf arti, ku ndërthuren harmonikisht tradita me modernen e ruhen koleksionet e jashtëzakonshme  egjiptiane, etruske, greke, romake, kristiane e epigrafike. Në këtë vend rrezaton bukuria, e sytë mrekullohen duke soditur kryeveprat e pikturës së shekujve të ndryshëm dhe thesaret e njerëzimit, si Stancat e Rafaelit dhe Kapelën Sikstine, me afresket e Mikeanxhelos. Itinerari ekspozitiv i Muzeve, themeluar nga Papa Juli II, në shekullin XVI, është pasuruar edhe me artet dekorative, koleksionet etnologjike, historike dhe me veprat e artit modern bashkëkohor.

Risi

Rihapja, më 1 qershor - kujton Barbara Jatta - drejtoreshë e Muzeve Vatikanase - do të shoqërohet me risi, që i shtohen trashëgimisë së njerëzimit. Do të mund të soditen Salloni i Kostandinit dhe njëra nga katër Sallat e Stancave të Rafaelit, të saporestauruara. Risi të tjera janë ato të Pinakotekës vatikanase: Salla e tetë, kushtuar Rafaelit në 500-vjetorin e vdekjes, është  përtërirë plotësisht.

Respektim i plotë i normave

Të gjithë ata, që do t’i vizitojnë Muzetë, duhet të respektojnë normat e higjienës e të distancimit. Hapi i parë do të jetë matja e temperaturës, me aparate termometrike. E, natyrisht, nuk do të lejohet hyrja pa maskë. Ndërkaq, gjatë gjithë orarit të hapjes, do të jetë gjithnjë aktiv personeli mjeko-sanitar i Misericordieve të Italisë. Gjithnjë i detyrueshëm, edhe prenotimi. Pa harruar se mund të vizitohen edhe Kopshtet e Vatikanit, ndër më të bukurat në botë, me autobusë të hapur ekologjikë e panoramikë.

Do të rihapen edhe Vilat Papnore të Castel Gandolfos, me kopshtet e tyre po aq mahnitëse. Mund të vizitohen vetëm ditën e shtunë e të diel, nga ora 10.00 - deri në orën 18.00, me hyrjen e fundit në orën 17.00.

Dita e parë e hapjes do të jetë e shtuna, 6 qershor 2020.

23 maj 2020, 12:41