Kërko

nn.jpg

Manastiri i Boses: largohet themeluesi, Enzo Bianchi

Bashkësia e Boses njofton rezultatet e vizitës apostolike. Përveç themeluesit, Enzo Bianchi, u është kërkuar largimi edhe tre anëtarëve të tjerë. Arsyet e këtij vendimi lidhen me ushtrimin e autoritetit nga ana e themeluesit.

R.SH. - Vatikan

Enzo Bianchi, themelues i Bashkësisë së Boses, si edhe tre anëtarë të tjerë të komunitetit, fr. Goffredo Boselli, fr. Lino Breda e motër Antonella Casiraghi, duhet të largohen nga manastiri për diku tjetër. Gjithashtu, nuk do të vijojnë të kryejnë detyrat, që kishin deri tani.

Vendimi u mor pas vizitës apostolike në bashkësi, që përfundoi në janar të këtij viti. Vizitatorët e dërguar nga Vatikani ishin atë Guillermo León Arboleda Tamayo, kryeabat i Kongregatës Benediktine Sublacense-Kasineze, atë Amedeo Cencini, këshilltar i Kongregatës për Rregulltarët, dhe nëna Anne-Emmanuelle Devéche, abateshë e Blauvac.

Vendimi - në formën e një dekreti unik, që mban datën 13 maj 2020, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe, miratuar posaçërisht nga Papa, me formë të veçantë, - u bë i njohur nga një komunikatë, botuar në faqen e internetit të Bashkësisë së Boses.

“Duke marrë parasysh rëndësinë kishtare dhe ekumenike të Bashkësisë së Boses dhe rëndësinë që ajo të vazhdojë të luajë rolin e saj të njohur, duke kapërcyer shqetësimet dhe keqkuptimet serioze, që mund ta dobësojnë e, madje, edhe ta anulojnë, me Vizitën Apostolike, Ati i Shenjtë synoi ta ndihmojë Bashkësinë me anë të një kohe dëgjimi nga ana e disa njerëzve me besueshmëri dhe urti të provuar”, saktëson nota.

“Përveç kësaj, me letrën e Sekretarit të Shtetit drejtuar Priorit dhe Bashkësisë, Selia e Shenjtë përvijoi një udhë ardhmërie dhe shprese, duke treguar vijat kryesore të procesit të rinovimit, që besojmë se do t’i japë hov të ri jetës sonë murgare dhe ekumenike”, përfundon njoftimi për shtyp.

27 maj 2020, 14:28