Laudato si' Laudato si'  Editorial

“Lëvduar qofsh”, enciklikë për të parë të ardhmen, pas pandemisë

Pesë vjet më parë Papa nënshkruante dokumentin, që përfaqëson një hap të ri përpara të Doktrinës shoqërore të Kishës si dhe një road map për të ndërtuar shoqëri më të drejta, të afta për ta ruajtur jetën njerëzore dhe gjithë Krijimin.

R. SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Kujtimi i pesë vjetëve të “Laudato si’” - “Lëvduar qofsh”- nuk është kremtim ritual. Java, e më pas edhe viti kushtuar enciklikës, përfaqësojnë një lloj verifikimi për të përmbledhur nismat, idetë, përvojën, praktikat e mira. Janë mënyrë për të shfrytëzuar bashkërisht çka vuri në lëvizje dokumenti në bashkësitë, në territoret e në mbarë botën. E edhe për të reflektuar mbi aktualitetin e çastit të tanishëm, ndërsa mbarë bota lufton kundër pandemisë Covid -19.

Një ndër meritat e tekstit të gjatë papnor, që niset nga baza e lidhjes së krijesave me Krijuesin, është se bëri të kuptohet ndërlidhja ndërmjet të gjitha gjërave; nuk ka çështje ambientale të ndarë nga ajo shoqërore, nga ndryshimet klimaterike, nga migrimet, luftërat, varfëria dhe mungesa e zhvillimit; të gjitha janë shprehje e një krize të vetme e cila, para se të jetë ekologjike është, në rrënjë, krizë etike, kulturore, shpirtërore. Shikim thellësisht realistik. “Laudato si’” nuk lind nga dëshira për ta kthyer prapa orën e historisë e për t’u rikthyer tek format para-industriale, por zbulon e përshkruan proceset e vetëshkatërrimit, shkaktuar nga kërkimi i fitimit të menjëhershëm e i hyjnizimit të tregut. Rrënja e problemit ekologjik - shkruan Papa Françesku - është mënyrë për ta kuptuar jetën dhe veprimtarinë njerëzore e cila, si dredhoi rrugë, i kundërvihet realitetit deri në atë pikë, sa ta shkatërrojë.

Të rinisesh nga realiteti, do të thotë t’i bësh hesapet me objektivitetin e gjendjes njerëzore, duke u nisur nga kufizimet e botës e të burimeve të saja. Do të thotë të rrish larg besimit të verbër, përfaqësuar nga “paradignma teknokratike” që, pohon Papa duke ndjekur gjurmët e Romano Guardinit , “verbohet deri në atë pikë, sa ta vërë arsyen teknike mbi realitetin e të mos e ndjejë më natyrën as si normë me vlerë, e as si strehë e gjallë”. Ndërhyrja e njeriut mbi natyrën - lexojmë akoma në Enciklikë, “është e përhershme, por për shumë kohë pati si karakteristikë t’i shoqëronte sendet, të ecte me ritmin e mundësive që ofronin. Merrte atë, që ia premtonte vetë realiteti natyror, si duke shtrirë dorën. Përkundrazi, tani çka vlen është të kapë sa më shumë të jetë e mundur nga sendet, duke vënë mbi ta dorën njerëzore, që ka prirjen të injorojë a të harrojë deri vetë realitetin dhe gjërat, që ka përpara”. Prandaj ka ardhur çasti t’i kushtohet përsëri vëmendja e duhur realitetit, me kufizimet që imponon të cilat, nga ana e tyre, përbëjnë mundësi për një zhvillim njerëzor më të shëndetshëm e më pjellor.

Kriza, që po jetojmë për shkak të pandemisë, i bëri të gjitha këto edhe më të dukshme: “Shkuam përpara me gjithë shpejtësinë e mundshme - kujtoi Papa më 27 marsin e kaluar gjatë Statio Orbis - duke e ndjerë veten të fortë, të aftë për gjithçka. Të etur për fitime, u thithëm nga sendet e u hutuam nga nxitimi… nuk u rizgjuam përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk deshëm ta dëgjojmë britmën e të varfërve e atë të Planetit tonë, të sëmurë rëndë. Vijuam, sypatrembur, rrugën, duke menduar se do të mbeteshim gjithnjë plot shëndet, në një botë të sëmurë”. Gjithnjë  gjatë çastit tronditës të lutjes për të kërkuar nga Zoti fundin e pandemisë, që na bëri të zgjohemi të gjithë të brishtë e të pambrojtur, Françesku kujtoi se jemi të thirrur “ta shikojmë këtë kohë prove, si kohë për të zgjedhur… kohë për të  vlerësuar atë, që vlen e atë, që kalon, për të veçuar çka është e nevojshme e çka nuk është!”. “‘Laudato si’ na prin për të rimenduar shoqëritë, ku jeta njerëzore, posaçërisht ajo e më të ligshtëve, duhet mbrojtur; ku të gjithë kanë të drejtë të mjekohen, ku njerëzit nuk flaken kurrë e natyra nuk grabitet mbarë e prapë, por kultivohet e ruhet për breznitë që do të vijnë pas nesh”.

 

24 maj 2020, 11:06