1993-04-25 Giovanni Paolo II in Albania 1993-04-25 Giovanni Paolo II in Albania 

Kush e harron atë zë të Papës, që foli edhe shqip: Karol Wojtyla në 100-vjetorin e lindjes

Papa Shën Gjon Pali II, shqip: “Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. Zoti e mbrojttë popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit, ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!".

R.SH. - Vatikan

Sot, e hënë, 18 maj, Papa Shën Gjon Pali II do të mbushte 100 vjet. Jubile, që na sjell ndërmend një prani të pashlyeshme në kujtesën e gjithë të krishterëve, edhe të shqiptarëve. Ishte Papa i parë që shkelte në trojet shqiptare e që u fliste shqiptarëve edhe në gjuhën shqipe!

Po kujtojmë çastet më të paharrueshme, gjatë të cilave Papa polak iu drejtua popullit shqiptar në gjuhën e tij gjatë vizitës historike e paharrueshme më 25 prillit të vitit 1993, atë Ditë të Bekuar prej Zotit për Shqipërinë, kur Papa Shën Gjon Palit II shkeli në tokën shqiptare, duke puthur e bekuar truallin  fisnik të nëpërkëmbur të shqipeve.  Toka fisnike dhe martire shqiptare, gjatë dimrit të gjatë e të egër kaluar nën regjimin ateist të komunizmit, i dha Kishës Universale shumë martirë për Krishtin, e shoqërisë dhe Kombit Arbënor njerëz të paepur, që dëshmuan e kultivuan vlerat njerëzore, intelektuale, shpirtërore dhe shoqërore që nuk perëndojnë kurrë.

Kjo është ditë që na e dhuroi Zoti”. Me këto fjalë Papa Gjon Pali e pati cilësuar atë ditë historike të vizitës së tij apostolike në Shqipëri. E vërtetë qe vizitë me një domethënie të jashtëzakonshme. Së pari ishte një dëshmi e veçantë e dashurisë atërore të Papës për shqiptarët, Shqipërinë e komunitetin katolik e qytetarët e martirizuar.

Duke dëshmuar një afërsi e dashuri të vërtetë atërore e duke krijuar një atmosferë plot përzemërsi. E kush e harron atë zë të Papës në gjuhën shqipe: “Vëllezër e motra, qoftë lëvduar Jezu Krishti!”.

Nga arkivi i Radio Vatikanit:
Gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II foli disa fjalë e fraza në gjuhën shqipe, sigurisht shumë më tepër sesa përmbajnë të tre dokumentet e para të shqipes së shkruar. Ndonëse poliglot i mirënjohur, që i bënte menjëherë të vetat gjuhët kryesore të botës, Karol Wojtyla me dy prej tyre nuk e pati aspak të lehtë: me gjuhën hungareze dhe me atë shqipe. Kishte vështirësi posaçërisht për shqiptimin e bashkëtingëlloreve të dyfishta, të ‘th’-së për shembull. Megjithatë, provoi e ia doli mbanesh t’i linte trashëgim popullit shqiptar disa nga urimet më të përzemërta, që i janë drejtuar ndonjëherë, duke nisur nga urimet e përvitshme për Pashkë e për Krishtlindje, formuluar gjithnjë në formën: “Për shumë vjet Pashkët” dhe “Për shumë vjet Krishtlindjen”.

Përshëndetja e Shën Gjon Pali II në gjuhën shqipe

Ja disa prej shprehjeve përshëndetëse e uruese shqip, gjatë shtegtimit të Papës Wojtyla në Shqipëri, pas dimrit të gjatë të diktaturës, “Shqipërisë së posalindur...në një shoqëri demokratike” në Tiranë e në Shkodër, më 25 prill 1993. Fjala e tij e parë drejtuar shqiptarëve niste me përshëndetjen shqip në aeroportin Rinas të kryeqytetit, Tiranë: “Zoti President! Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe të Parlamentit! Të nderuar vëllezër Ipeshkvij! Anëtarë të shquar të Trupit Diplomatik!Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur!”.

Kjo në fillim të fjalimit, ndërsa në fund, “Edhe një herë ju përshëndes me gjithë zemër”.

Papa Shën Gjon Pali II në aeroportin Rinas në Tiranë

Në Shkodër, pastaj, në homelinë e Meshës më të jashtëzakonshme, përjetuar ndonjëherë nga katedralja e qytetit të Veriut, që provoi jo pak trandje historike: “Vëllezër e motra, qoftë lëvduar Jezu Krishti!”. Në përfundim: “Vëllezër e motra! Me të vërtetë kjo është dita e falur prej Zotit: të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të. Amen!”.

Papa Shën Gjon Pali II në Meshës kremtuar në Katedralen e Shkodrës

Pas Meshës, në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në mesditë, drejtuar nga ballkoni i kryeipeshkvisë popullit të martirizuar të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, në praninën e Shën Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiut, që e ndiqte në ekstazë, urata zhgjetore, që mund e duhet ta përsërisë çdo i krishterë shqiptar: “O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e popullit shqiptar, lutu për ne!”.

Papa Shën Gjon Pali II në Shkodrës gjatë lutjes mariane Mbretëresha Qiellit

Pastaj në kryeqytet, në Sheshin Skënderbej në Tiranë, takimi i paharrueshëm me qytetarët dhe me mbarë popullin e Shqipërisë, që sapo pati filluar periudhën e demokracisë: “Vëllezër e motra shqiptarë: ju përshëndes përzemërsisht!”.

E nga Sheshi Skënderbej në Tiranë edhe nxitja atërore e Shën Gjon Palit II për të sotmen e shqiptarëve: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.., ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pik të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror....Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër

Në përfundim të vizitës: “Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!

Së fundi, në përshëndetjen e lamtumirës, gjithnjë nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, mesazhi e përshëndetja e përzemërt e Gjon Palit II në gjuhën shqipe, drejtuar mbarë popullit shqiptar: ”Nuk duhet harruar ajo që ndodhi...." dhe "Popull shqiptar, ec përpara me guxim..”, pastaj përshëndetja, përqafimi, bekimi dhe urimi plot dashuri për gjithë shqiptarët e shpërndarë kudo në botë: “Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. Zoti e mbrojttë popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit, ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!".

Papa Shën Gjon Pali II në Sheshin Skënderbe në Tiranë

Këto qenë fjalët e paharrueshme shqiptuar në tokën shqiptare nga Papa Shën Gjon Pali II, në Tiranë e Shkodër, e pastaj edhe përshëndetjet e vazhdueshme drejtuar shtegtarëve shqiptarë, gjatë audiencave e takimeve të ndryshme, kur gardhi i hekurt komunist ra dhe më në fund shumë besimtarë e jo besimtarë shqiptarë, më vete e me grupe, të shoqëruar edhe nga ipeshkvijtë e tyre, nisën të ndjekin në Sheshin e Shën Pjetrit, në Sallën e Palit VI apo në sallën e Pallatit Apostolik në Vatikan, audiencat e Gjon Palit II, ëndërruar aq shumë gjatë viteve të ngujimit e të izolimit nga bota. Sot, nuk mund të mos kujtojmë këtu shtegtimin e madh në Gjenacan, më 27. 05. 1995 dhe pritjen e përzemërt që u bëri Papa Wojtyla shtegtarëve në Vatikan.

Kujtime të paharrueshme e të çmueshme, pra, të regjistruara në arkivin e Radio Vatikanit e të Redaksisë Shqipe pranë kësaj Radioje, Radios së Papës!  Po i përfundojmë me bekimin e Gjon Palit II, në Sallën Klementine, në Vatikan, drejtuar shtegtarëve, që kishin ardhur për t’u takuar me Pajtoren e tyre, Zojën e Këshillit të Mirë, në Gjenacan e me Papën, në Selinë e Shenjtë: “Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. Zoti e mbrojttë popullin shqiptar në mbarë botën!”.

Përshëndetja e bekimi Gjon Palit II në gjuhën shqipe
18 maj 2020, 11:41