Kërko

INSTAGRAM.293443a0705.jpg

Kujtohen 147 rojet zvicerane, rënë në mbrojtje të Papës. Vendimtar, besimi në Krishtin

U përkujtua sot, flijimi i 147 rojeve zvicerave, për të mbrojtur Papën Klementi VII, gjatë Plaçkitjes së Romës, më 6 maj 1527.

R.SH. - Vatikan

U përkujtua sot me një meshë në kishën e Zojës së Mëshirës, në Varrezat Teutone të Vatikanit, flijimi i 147 rojeve zvicerave, për të mbrojtur Papën Klementi VII, gjatë Plaçkitjes së Romës, më 6 maj 1527. Kremtimi i orës 17.00 dhe vendosja e një kurore në Sheshin e Protomartirëve Romakë u transmetuan drejtpërdrejt në faqen e internetit të Rojeve Zvicerane (www.guardiasvizzera.ch) dhe në faqen tonë Vatican News.

Pandemia e koronavirusit ndryshon programet

         Në rrethana të tjera nga ato të zakonshmet, për shkak të pandemisë së koronavirusit, betimi i rojeve të reja zvicerane, që sipas traditës, bëhej pikërisht sot, është shtyrë për datën 4 tetor 2020. Edhe vendosja e kurorës me lule, që normalisht bëhej në praninë e të ftuarve dhe të familjarëve të rojeve, kësaj radhe, u bë në formë të rezervuar e me pak njerëz, për të respektuar normat e higjienës e të sigurisë në Shtetin e Vatikanit. Në të njëjtat kushte u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të disa rojeve, kryesuar nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra.

Plaçkitja e Romës

         Kujtojmë se Plaçkitja e Romës u krye nga trupat e lancikenekëve, ushtarë mercenarë gjermanë, të paguar nga Perandoria e Shenjtë Romake Gjermanike. Lancikenekët luftonin në Itali kundër trupave të Francës, aleate e një sërë shtetesh italiane e në luftë kundër perandorit Karli V i Habsburgëve. Me fe protestante e pa ndonjë pagesë, që t’i kënaqte, vendosën t’i binin Romës e ta plaçkisnin me dhunë.

         Ngjarja, që ka hyrë në histori si “Plaçkitja e Romës”, pati një bilanc tragjik: 20 mijë banorë u vranë, 10 mijë ikën nga sytë këmbët e 30 mijë të tjerë vdiqën nga murtaja, që sollën me vete lancikenekët. Qe një goditje e rëndë për Kishën, e cila ishte e impenjuar në kundërshtimin e Reformës luterane, filluar në Gjermani. E qe goditje e rëndë edhe për trojet italiane. Papës Klementi VII iu desh të dorëzohej, të paguante 400 mijë dukatë e të hiqte dorë nga shumë fortesa e qytete. Pikërisht për ta shpëtuar Atin e Shenjtë u flijuan shumë nga rojet zvicerane, që e shoqëruan në kalimin nga Vatikani për në kështjellën e Shën Engjëllit, ku Papa mund të mbrohej më mirë. Gjatë ikjes përmes kalimit në murin lidhës ndërmjet Vatikanit e fortesës, që njihet si “Passetto del Borgo”, mbetën gjallë vetëm 42 nga 189 rojet zvicerane, që mbrojtën Klementin VII. Vetëm 12 nga të mbijetuarit pranuan të shërbenin në të njëjtin garnizon me lancikenekët, në mbrojtje të Papës, deri kur kardinali Ennio Filonardi i rithemeloi Rojet Papnore Zvicerane, duke i zgjedhur personalisht, sipas reputacionit të familjeve në atdhe, kryesisht nga Lucerna, zona e atyre, që i patën mbetur besnikë Atit të Shenjtë, gjatë Plaçkitjes së Romës. Në mars 1548, Roja Zvicerane, që për herë të parë i shërbeu Papës më 22 janar 1506, e rifilloi këtë shërbim të rëndësishëm, që vijon edhe sot.

06 maj 2020, 18:00