Matteo Farina, një nga Shërbëtorët e rinj të Zotit Matteo Farina, një nga Shërbëtorët e rinj të Zotit

Kisha nderon pesë Shërbëtorë të tjerë të Zotit

Janë nga Italia e Spanja, Shërbëtorët e Zotit, të cilëve u janë njohur virtytet heroike. Papa Françesku autorizon botimin e dekreteve. Njëri prej tyre, Matteo Farina, bën pjesë në të ashtuquajturit “millennial”, të rinj të mijëvjeçarit të tretë, teknologjikisht më të përparuar.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Becciu, të cilin e autorizoi të shpallë dekretet për njohjen e virtyteve heroike të këtyre Shërbëtorëve të Zotit:

-         Francesco Caruso, meshtar i Kryeipeshkvisë Catanzaro-Squillace, lindur në Gasperina (Itali) më 7 dhjetor 1879 dhe vdekur po atje më 18 tetor 1951;

-         Carmelo De Palma, meshtar i Kryeipeshkvisë Bari-Bitonto, lindur në Bari (Itali) më 27 janar 1876 dhe vdekur po atje në 24 gusht 1961;

-         Francesco Barrecheguren Montagut, meshtar, rregulltar i Kongregatës së të Shenjtnueshmit Shëlbues. Ai u lind në Lérida (Spanjë) më 21 gusht 1881 dhe vdiq në Granada (Spanjë) më 7 tetor 1957;

-         Maria de la Concepción Barrecheguren y García, laike nga Granada e Spanjës, ku e kaloi gjithë jetën deri më 13 maj 1927, dita e kalimit të saj në amshim;

-         Matteo Farina, laik italian, i lindur në Avellino më 19 shtator 1990. Ndërroi jetë në Brindisi, më 24 prill 2009.

Njohja e virtyteve heroike është hapi i parë i çështjes së lumnimit, që tashmë nga dioqeza ka kaluar në kompetencën e Vatikanit. Këta Shërbëtorë të Zotit, pas botimit të dekreteve, mund të nderohen nga besimtarët, në pritje të njohjes së një mrekullie, që do t’i shpallë të Lumë për Kishën Katolike.

Shtyhen kremtimet e lumnimeve, për shkak të koronavirusit

         Po sot, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njofton se “për shkak të zgjatjes së pandemisë dhe të masave të nevojshme, që kanë të bëjnë me ceremonitë fetare, ku parashikohet prania e shumë besimtarëve, me kërkesën e ipeshkvijve të interesuar, shtyhen për një datë të pacaktuar lumnimet, që do të kremtoheshin në muajt e ardhshëm”.

06 maj 2020, 11:23