1584267445847.JPG

Kardinali Comastri: “lumturia nuk blihet me para”

R.SH. - Vatikan

“Shërbëtori i Zotit duhet të jetë gjithnjë i gëzuar”. Këtë kujtoi kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, kardinali Angelo Comastri, gjatë Mistereve të Gëzimit të Rruzares, transmetuar drejtpërdrejt në web, menjëherë pas Mbretëreshës Qiellore, në mesditë.

Misteri i parë i Gëzimit na paraqet “skenën magjepsëse të Lajmërimit të Zojës, me atë ‘po’ pa kushte të Marisë, ‘po’-ja që e ndryshoi historinë”, komentoi kardinali, i cili, më pas, citoi Gandin: “Bëhu ti i pari ai ndryshim, që dëshiron ta shohësh të realizuar në botë”. E Shën Tereza shtonte: “Nëse sheh errësirën rreth vetes, nuk ka nevojë të ndezësh dritën: bëhu ti dritë”.

Misteri i dytë i Gëzimit na paraqet “takimin e dy nënave, njëra e moshuar dhe tjetra shumë e re”. “Himnin ‘Magnificat’ – vërejti kardinali Comastri – nuk e kompozoi ndonjë mis universi, as ndonjë futbollist i stërpaguar, as ndonjë miliarder: e kompozoi Maria, vasha më e varfër, që e kishte zemrën plot me Zotin, prandaj, ishte e stërlumtur”. “Nuk ka ekzistuar kurrë një familje më e lumtur se kjo!”, komentoi kardinali Misterin e katërt të Gëzimit, që na nxit të kundrojmë Jozefin e Marinë, duke çuar Jezusin në tempull. “Në vitin 1976 – tregoi kardinali – ndërroi jetë Jean Paul Getty, një miliardar, që mbahej si njeriu më i pasur i botës. Para se të vdiste tha: ‘Nuk kam qenë kurrë i lumtur’. E dimë: lumturia nuk blihet me para. Në Betlehem, Jezusi na e tha këtë fare qartë”.

Misteri i pestë i Gëzimit na paraqet Marinë dhe Jozefin, që kërkojnë Jezusin nëpër rrugët e Jeruzalemit e më në fund, e gjejnë. “Më se një herë e kam pyetur veten: pse e bëri Jezusi këtë gjest?”, nënvizoi kardinali Comastri. “Bëri kështu – përgjigjja e tij – për të na thënë se feja nuk është si letërnjoftim, të cilin e fut në xhep e vlen për disa vite. Feja është si llamba, i duhet shtuar gjithnjë vaj: nëse nuk shton vaj, llamba fiket. Çdo ditë, duhet t’i themi ‘po’ Zotit”.

25 maj 2020, 12:50