Kërko

2019.08.26 Stretta di mano Al Maktoum con Mons Guixot.jpg

Ayso Guixot: të krishterët e myslimanët, së bashku për vëllazërimin universal

Disa ditë pas fillimit të Ramazanit, kardinal Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, nënvizon nevojën për të vazhduar dialogun ndërmjet të krishterëve dhe ndjekësve të Islamit, duke vlerësuar gjithçka që i bashkon dy fetë e mëdha. Njëkohësisht, ripohon angazhimin e të dyja feve për respektimin e vendeve të kultit dhe për paqen

R.SH. - Vatikan

Solidarë me ata, që vuajnë nga koronavirusi e, në lutje për t’i kërkuar Zotit të Mëshirshëm ta lirojë botën nga pandemia. Kështu, të krishterët dhe myslimanët, në këtë kohë të vështirë. Disa ditë pas fillimit të muajit të Ramazanit, kremtimi i të cilit është një nga shtyllat e besimit islam, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, flet, në mikrofonin tonë, mbi marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, të thirrur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë pas Covid-19. Shpjegon gjithashtu, si e sheh kremtimin e këtij muaji, në kuadrin aktual:

E shoh gjithnjë si thelbësor, të rëndësishëm dhe domethënës për miqtë tanë myslimanë, megjithëse, siç ishte për ne festa e Pashkëve, edhe për ta, ky kremtim merr një rëndësi të veçantë, për shkak të pandemisë së Covid-19. Mendoj se Ramazani ka marrë një përmasë më shpirtërore këtë vit, sepse aspekti komunitar nuk mund të kremtohet. Prandaj, si kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, dua të uroj që të krishterët dhe muslimanët, të bashkuar e me frymë vëllazërimi, të tregojnë solidaritet me njerëzimin e goditur rëndë dhe t’i luten Zotit të Gjithëpushtetshëm e të Mëshirshëm, që të mbrojë çdo njeri, për t’i kapërcyer këto çaste kaq të vështira.

Cila është përmbajtja e Mesazhit tuaj për fundin e Ramazanit?

Çdo vit, Dikasteri i propozon bashkësisë islame një temë të përbashkët për të dyja fetë. Në veçanti, këtë vit, e kemi vënë theksin mbi temën e mbrojtjes së vendeve të kultit, frymëzuar nga Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, ku Papa Françesku, së bashku me Imamin e Madh të Al Azhar-it, shkruajnë se “mbrojtja e vendeve të kultit është detyrë e garantuar nga fetë, nga vlerat njerëzore, nga ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Çdo sulm apo kërcënim kundër tyre është devijim nga mësimet e feve, si edhe shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, që duhet dënuar nga besimtarët e nga jo-besimtarët. Nevoja për lirinë e kultit është e drejtë dhe detyrë.

Cili mund të jetë kontributi, që mund të jepet në këtë situatë e në të ardhmen, për dialogun ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme?

E ndiej për detyrë t’u referohem fjalëve të Papës Françesku, i cili, në këtë situatë të vështirë, na ka bërë thirrje “t’u ngjisim të tjerëve shpresën”, për t’iu bërë ballë sfidave aktuale dhe ato të së ardhmes së afërt. Krerët e ndryshëm fetarë, pikërisht në këtë periudhë, duhet të promovojnë unitetin, solidaritetin dhe vëllazërimin, që nga kjo kohë të dalim të gjithë më të mirë nga sa ishim më parë dhe t’i ndihmojmë shoqëritë tona të jenë gati për të ndryshuar gjithçka është e nevojshme, jo duke ndjekur vetëm ligjet e ekonomisë dhe të fitimit.

01 maj 2020, 12:05