Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot 

Kardinali Ayuso: bota të mos kthehet më në gjendjen, që ishte para pandemisë

Kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, flet në OKB, në videokonferencë: “Jeta jonë, jeta e bashkësive tona, nuk mund të ndahet nga ajo e të tjerëve. Varemi nga njëri-tjetri”. Nga prelati, edhe ftesa për t’u bashkuar me lutjen e 14 majit.

R.SH. - Vatikan

Pamja e Sheshit të Shën Pjetrit bosh e fshikulluar nga era dhe shiu më 27 mars, gjatë çastit të jashtëzakonshëm të lutjes në kohë pandemie, kryesuar nga Papa Françesku. Kjo skenë e pashlyeshme ishte pikënisja e ndërhyrjes së kryetarit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalit Miguel Ángel Ayuso Guixot, në videokonferencën e promovuar nga OKB-ja.

 Duke folur rreth temës “Roli i udhëheqësve fetarë në përballimin e sfidave, që lidhen me Covid-19”, kardinali kujtoi fjalët e thëna nga Papa, në atë rast: “E kuptuam se jemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por, njëkohësisht, të rëndësishëm e të domosdoshëm, të gjithë të thirrur për t’u dhënë rremave së bashku, të gjithë me nevojën për ta ngushëlluar njëri-tjetrin”. Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar vuri theksin mbi tri çështje kryesore: bashkimi, solidariteti dhe vëllazërimi.

Bashkimi

  “Duhet të kujtojmë gjithmonë - pohoi kardinali Ayuso - se në bazën e bashkëpunimit dhe të dialogut tonë janë rrënjët e përbashkëta të njerëzimit; të gjithë jemi pjesë e familjes njerëzore”. “Besoj - shtoi ai - se jemi bashkuar më shumë dhe e kemi kuptuar se jeta jonë, jeta e bashkësive tona, nuk mund të ndahet nga ajo e të tjerëve. Varemi nga njëri-tjetri”. E kjo, jo për shkak të “forcës së pushtetit ekonomik apo të atij të armëve, por për faktin se jemi ndierë të dobët dhe të brishtë e, për rrjedhojë, nevojtarë për njëri-tjetrin”.

Solidariteti

 Kardinali u përqendrua edhe mbi një element tjetër thelbësor në këto kohë: solidariteti. “Kjo vetëdije për bashkimin ndërmjet nesh - pohoi ai - kërkon që ne, si udhëheqës fetarë, së bashku me bashkësitë tona, të solidarizohemi me njerëzimin e goditur rëndë. Me të vërtetë, ky s’mund të jetë çast indiferentizmi, egoizmi, ose ndarjeje; duhet të jemi të bashkuar në përballimin e pandemisë me gjithë njerëzimin që vuan”. “Udha për t’u ndjekur është gjetja e guximit për forma të reja solidariteti”. Askush nuk duhet të lihet pas. Përveç impenjimit në favor të shëndetësisë dhe ekonomisë, kjo pandemi kërkon një përpjekje edhe më të madhe “për të hedhur baza të reja kundër çdo padrejtësie dhe pabarazie”. “Bota - nënvizoi kardinali Ayuso - nuk duhet të kthehet në gjendjen, që ishte para pandemisë, përkundrazi, duhet të shfrytëzojë rastin për të krijuar një shoqëri globale të re, më të mirë”.

Vëllazërimi

 Ta shohim njëri-tjetrin si vëlla e motër, shpjegoi kardinali, është hapi i parë “për të shembur muret e ngritura nga frika dhe injoranca”. “Kjo pandemi na jep shtysën për t’u përpjekur së bashku të ndërtojmë ura miqësie dhe vëllazërimi, themelore për të mirën e gjithë njerëzimit. Kjo frymë vëllazërimi do të na mbështesë dhe do të na ndihmojë t’i kapërcejmë këto çaste të vështira”. Vëllazërimi, vërejti kardinali Ayuso, nuk mund të jetë veçori e një grupi të vetëm, apo e një bashkësie, kulture e feje të veçantë. Duhet t’i përfshijë të gjithë.

Dita e lutjes, më 14 maj

Në këto kohë pasigurie, - siç theksoi Papa Françesku më 12 prill, në mesazhin Urbi et Orbi për Pashkë – e kemi për detyrë “t’u ngjisim të tjerëve shpresën”. “Falë vlerave tona shpirtërore, ne krerët fetarë – theksoi kardinali Ayuso - mund të kontribuojmë në rilindijen e këtij njerëzimi të prekur dhimbshëm”. “E dimë se kjo pandemi globale kërkon edhe një përgjigje globale, bazuar në bashkim, solidaritet dhe bashkëpunim shumëpalësh”. Së fundi, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar i ftoi të gjithë të bashkohen, më 14 maj, në Ditën e lutjes, agjërimit dhe veprave të bamirësisë, që Zoti Krijues ta shpëtojë njerëzimin nga pandemia. “Për t’u përballur me sfidat aktuale dhe me ato të së ardhmes së afërt, ne, krerët fetarë, jemi të thirrur të promovojmë bashkimin, solidaritetin dhe vëllazërimin”. “Duam t’i përgjigjemi pandemisë së virusit - përfundoi kardinali Ayuso - me universalitetin e lutjes. Të mbetemi të bashkuar”.

13 maj 2020, 11:09