Kërko

Nëna luan me fëmijët: durimi në familje, virtyt i rizbuluar gjatë pandemisë Nëna luan me fëmijët: durimi në familje, virtyt i rizbuluar gjatë pandemisë 

Durimi, virtyt i së përditshmes

Artikull i ri i atë Federico Lombardit: vijojmë të kemi nevojë për durim, do të ishte paurti të mendosh se e gjithë kjo histori mori fund. Po durimi nuk është vetëm cilësi e nevojshme për dashurinë ndaj të tjerëve; është edhe përmasë e fesë sonë.

 Si në kohën e izolimit nga shkaku i pandemisë, ashtu edhe në kohën e rifillimit të marrëdhënieve dhe të veprimtarive, kërkohej e kërkohet durim, shumë durim, me të cilin ka shumë mundësi të mos jemi mësuar. Jeta për një kohë kaq gjatë së bashku në familje, në hapësirën e kufizuar të një banese, pa mundur të dalësh jashtë e pa takimet e zakonshme, me të cilat jemi mësuar, duke ndjerë fort edhe frikën nga infektimi e shqetësimet për të ardhmen, e vë, natyrisht, në provë të rëndë ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve tona. E nuk ndryshon shumë as në bashkësitë, edhe në ato rregulltare, pavarësisht nga kohët e lutjes e rregullat e zakonshme të sjelljes. Tensioni, pasiguria, nervozizmi ndjehen fort, edhe kur nuk ka asnjë rrezik infektimi.

Ndërmjet shumë virtyteve, që në këtë kohë u bënë më të çmuara se zakonisht, është edhe ai i durimit. E mendoj se do të vijojmë të kemi nevojë për të  sepse, siç e dimë, do të ishte  paurti e madhe të mendoje se e gjithë kjo histori tashmë mori fund.

Durimi është virtyt i përditshëm. Pa të, marrëdhëniet e çifteve, të familjes, të punës heret a vonë tendosen, nisin ndeshjet a konfliktet që, në fund të fundit, bëhen të padurueshme. Duhet të rritemi në një shkollë mirëpritjeje e pranimi të anasjelltë e cila, edhe pse e bukur, ka aspektet e veta sfilitëse. E mënyra e zakonshme e të menduarit nuk na ndihmon ta shikojmë këtë mundim si haraç, që duhet paguar për ndonjë gjë të madhe. Madje shpesh  ushqen  padurimin  dhe  frymën kritike kundër të metave të tjerëve e të çon lehtësisht tek prishja, parë si e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve. Po, ju duket e drejtë kjo?

“Himni i Dashurisë, që larton Shën Pali në Letrën e tij të Parë drejtuar Korintianëve (c.13,1-13), nuk duhet shikuar vetëm si tekst i përkryer poetik, por edhe si pasqyrë, në të cilën mund të shikojmë nëse dashuria jonë mbetet fjalë  boshe, apo di të shndërrohet në sjellje të përditshme konkrete. Shën Pali numëron 15 nga këto sjellje. E para, “dashuria është e durueshme”; e fundmja, “duron gjithçka”. Edhe sjelljet e tjera  kanë të bëjnë shumë me “dashurinë durimtare”. Kështu “është e mirë dashuria, nuk zemrohet, nuk e mban mend të keqen, nuk gëzohet për padrejtësí, por kënaqet për të vërtetën. Gjithçka mbulon, gjithçka beson, gjithçka shpreson, gjithçka duron”.

Pra durimi nuk është vetëm cilësi e nevojshme për dashurinë e përditshme ndaj të dashurve tanë e gjithë të tjerëve, me të cilët duhet të bashkëjetojmë. Eshtë edhe përmasë e fesë sonë dhe e shpresës në të gjitha ngjarjet e jetës e të historisë. Shën Jakobi na fton të shikojmë katundarin, si njeri  të cilit i duhet të durojë; “Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të bjerë shiu i parë dhe i fundit.  Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër (Jk 5, 7-8).

Për të krishterët e parë durimi lidhej ngushtë me ruajtjen e fesë gjatë persekutimeve dhe vëshirësive me të cilat ndeshej bashkësia  e vogël gjatë ngjarjeve të historisë. Prandaj të flasësh për durim, do të thotë gjithnjë të flasësh për provë, për vuajtjet, që nuk na ndahen gjatë rrugës së jetës. Shën Pali na kujton një dinamikë, që na merr e na çon larg. Në të, durimi  është i pashmangshëm: “Vuajtja prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Perëndisë u dikua në zemrat tona përmes Shpirti Shenjt që na u dha (Rom 5,3-5).

Prova e pandemisë është sigurisht shkak vuajtjeje, kërkon dashuri durimtare në marrëdhëniet me të tjerët, që i kemi pranë nesh, kërkon durim në sëmundje, durim largpamës në mënyrat për ta luftuar virusin e për të rinisur rrugën e solidaritetit me bashkësinë kishtare e me atë civile, në të cilën bëjmë pjesë. A do të dimë ta kapërcejmë nervozizmin, lodhjen e mbylljen në vetvete për të forcuar shpresën në zemrat tona? Letra drejtuar Hebrenjve (c12) na fton t’i mbajmë sytë ngulur tek Krishtit, si shembull i durimit e i këmbënguljes në provë. E Jezusi, në përfundim të predikimit mbi mundimet që do t’u duhet të kalojnë dishepujt e tij, por gjatë të cilave nuk do t’i braktisë, na thotë një fjalë të çmuar, për të na shoqëruar gjithnjë, edhe sot: “Me durimin tuaj do të fitoni jetët tuaja!” (Lk 21,19).

11 maj 2020, 14:08