Kërko

  Higjienizimi i Shën Pjetrit Higjienizimi i Shën Pjetrit  

Bazilika e Shën Pjetrit pret përsëri besimtarët

Pas më se dy muajsh, besimtarët mund të rikthehen plotësisht të sigurt në Bazilikën e Vatikanit, qendër e krishterimit. E pas Bazilikës madhështore vatikanase, sot u higjienizua thellësisht edhe Bazilika e Shën Gjonit në Lateran. Nesër është radha e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës.

R. SH. - Vatikan

Gjithçka është gati për t’i pritur përsëri besimtarët, që mund të rikthehen e të luten, nga e hëna, tek Varri i Shën Pjetrit, duke respektuar normat në fuqi, parashikuar për t’iu kundërvënë koronavirusit. Për higjienizimin  e navatatave, altarëve dhe të gjitha sipërfaqeve u përdorën substanca të fuqishme antibakterike, që e ulin ndjeshëm çdo rrezik infektimi. Deri tek portat e mëdha prej bronzi, të cilat do të hapen rishtas pas njërës nga mbylljet më të gjata që mbahen mend. Ashtu si do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë Bazilika pa besimtarë e Sheshi pa njerëz. E Papa që, i vetëm, nën shiun e kësaj pranvere të zymtë, në kulmin e pandemisë së koronavirusit, drejtohej nga tremja, ku së bashku me Kryqin e Shën Marcello al Corso, qe vendosur edhe Maria Salus Populi Romani, e cila lidhet ngushtë me ndërmjetësimin për shpëtim, në çastet më kritike të jetës së Romës. E lutjet për ndihmë u përsëritën shumë herë nga Papa në këtë kohë pandemie, që pritet me ankth të marrë fund. Një shenjë shprese na e japin edhe Portat prej bronzi të Bazilikës së Shën Pjetrit, që po hapen përsëri! A nuk flasin kapakët e tyre, që kanë jetuar më se 500 vjet historie? A nuk na bëjnë të shpesojmë se Zoti po e dëgjon lutjen vetmitare që i drejtoi Françesku, atë natë me shi, për ta shpëtuar mbarë njerëzimin nga sëmundja e nga vdekja?  

16 maj 2020, 13:19