Kërko

I  Lumi dom Ejell Deda, meshtar e martir I Lumi dom Ejell Deda, meshtar e martir 

Mё 12 maj kalendari kujton tё Lumin dom Ejëll Deda, meshtar e martir

I Lumi dom Ejëll Deda, meshtar e martir i Krishtit, vdiq duke dëshmuar fenë në Zotin, dashurinë ndaj të afërmit, përkushtimit ndaj popullit e mbrojtur atdhedashurinë, nё periudhën e diktaturës së errët ateiste komuniste nё Shqipëri. U shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016, sё bashku me 37 martirë tjerë tё Kishës katolike shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar mё 12 maj, pёrkujton tё Lumin dom Ejëll Deda, meshtar e martir i Krishtit, nё periudhën e diktaturës ateiste komuniste nё Shqipëri.

Dom Ejell Deda lindi nё Shkodër, 22.02. 1917, vdiq po nё Shkodër, 12. 05. 1948.  I Lumi dom Ejell Deda qe famullitar nё Bushat, u arrestuar nga regjimi komunist vetëm pse ishte prift, më 12 nëntor 1947 dhe më 27 nëntor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për “faje penale kundër popullit dhe shtetit“ dhe e dënoi me dhjetë vjet burg e punë të detyruar. Procesi i gjykimit të tij u zhvillua me dyer të mbyllura. 

Vdiq më 12 maj tё vitit 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore. Dom Ejell Deda u shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016, sё bashku me 37 martirë tjerë tё Kishës katolike shqiptare. Nё tё njëjtin grup bëjnë pjesё edhe nëntëmbëdhjetë meshtarë tё tjerë dioqezanë dhe martirët e vrarë më 4 mars 1946.

Anmiku i popullit, që nuk pat kurrë asnjë anmik (Dom Ejëll Deda, parë nga atë Zef Pllumi)
Kur ishem fëmi, e pat pru Dom Alfons Tracki në Pulaj. Ishte ma i madhi ndër ne. Kishte krye edhe shkollën fillore e, si ma i afti e ma i pjekuni, kryente funksionet e kujdestarit: ai ishte qytetar, e na të tjerët, të gjithë malsorë. Në vjetën 1831 Dom Alfonsi na pveti ku dojshim me shkue: ndër freten apo ndër priftën. Ky kërkoi për prift. Por Dom Alfonsi e dergoi në Kolegjën Françeskane. Mbas ndonji vjeti bani noviciatin në Troshan me emnin Fra Anselm. Muer edhe profesionin e thjeshtë tre vjeçar. Por gjatë kësaj kohe kërkoi të kalonte në Seminarin Papnuer. 

Ishte djalosh tepër i mirë. I buzëqeshun. Me humor të hollë, të kandshëm. Me jetë shpirtnore të formueme. Kështu ishte, kur kaloi prej klerikatit françeskan, e u përfshi në Djoqezin e Shkodrës. Prej seminari, u dërgue në Kolegjin Urban të Romës. Kur ktheu në Shqipni, e emnuen famullitar në Bushat. Si me e pasë shenjue Zoti për atë vend. Bushati, 15 km larg Shkodrës, asht fshati ma i randësishëm, me aktivitet të gjithanshëm. Banorët e Bushatit janë kandidatët e parë për qytetarinë shkodrane. Me karakterin e tij gazmor e miqsor, dom Ejëlli u ba menjëherë boshti i gjithë jetës së atij fshati, ku kishte katolikë e myslimanë. U ba vëlla i vërtetë i të mirëve e i të këqijve, i të pasunve e i të vorfënve. Nuk pat në jetë kurrnjë keqdashës. Asnji anmik. Vetëm për ketë e mbyllën në burg: për shkak të popullaritetit të tij.

12 maj 2020, 09:11