Kërko

Vatican News

Turkson: periudha pas Covid-19, të mos na gjejë të papërgatitur

Kardinali Turkson, në një intervistë me Radio Vatikanin – Vatican News: “Duhet të rizbulojmë se të banojmë në Tokë, duke e konsideruar Shtëpi të përbashkët, kërkon solidaritet në përdorimin e të mirave të Gjithësisë së krijuar prej Zotit; solidaritet, edhe në vënien në jetë të fryteve të punës kërkimore-shkencore dhe të teknologjisë. Kështu, njeriu rizbulon Zotin, i cili ia ka besuar njeriut thirrjen për solidaritet”.

R.SH. - Vatikan

Kisha është në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, në gjithë botën. Ajo përballet jo vetëm me nevojat shëndetësore, por edhe me ato ekonomike e shoqërore, që do të karakterizojnë globin në periudha afatshkurtra e afatgjata. Ndërsa vijojnë të studiohen vaksinat dhe trajtimet kundër Covid-19, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2020 flasin për një rënie prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Brut, në gjithë planetin. Kjo gjendje konsiderohet më e keqe se ajo e viteve ’30, që njihet si “Depresioni i Madh”. Në këtë skenar, prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, nënvizon se “kriza ka rrezik të ndiqet nga një tjetër e nga të tjera akoma, në një proces, në të cilin do të detyrohemi të mësojmë, ngadalë e dhimbshëm, të kujdesemi për Shtëpinë tonë të përbashkët, siç shkruan Papa Françesku, në mënyrë kaq profetike, në enciklikën Laudato si’”. Kardinali i dha Radio Vatikanit-Vatican News një intervistë, që fillon pikërisht me shqetësimin e Atit të Shenjtë për emergjencën e koronavirusit. Ta dëgjojmë…

Papa ka shprehur shqetësimin e tij për kohën e tashme, për krizën globale të krijuar nga Covid-19 dhe për skenarët dramatikë, që përvijohen në horizont. Na ka thënë të mos humbim kohë, të vihemi menjëherë në punë, pasi ne si Dikaster jemi pikë referimi. Duhet të veprojmë menjëherë. E menjëherë, duhet të mendojmë për të ardhmen. Ati i Shenjtë na ka besuar dy detyra kryesore. E para ka të bëjë me të sotmen, me nevojën për të dhënë menjëherë një shenjë konkrete të mbështetjes së Atit të Shenjtë e të Kishës. Është fjala për të vepruar në përkrahje të Kishave vendore, që të shpëtohen jetë njerëzish, që të ndihmohen më të varfërit. Detyra e dytë ka të bëjë me të ardhmen, me ndryshimin. Papa është i bindur se jemi para një ndryshimi epokal e po reflekton mbi kohën pas emergjencës, mbi pasojat ekonomike e shoqërore të pandemisë, mbi rolin e Kishës. Ne duhet të kontribuojmë në hartimin e një strategjie. Papa na ka kërkuar të jemi konkretë e krijues, të mbështetemi në shkencë e të kemi imagjinatë, mendim universal dhe aftësi për t’i kuptuar kërkesat lokale.

Si po e mendoni këtë punë për të ardhmen? A keni filluar?

Kemi formuar 5 grupe pune, që po punojnë tashmë. Jemi takuar dy herë me Atin e Shenjtë. Kemi formuar një Komision, një kabinë regjie dhe koordinimi për nismat e sotme e të nesërme. Duhen veprime konkrete të menjëhershme e po i bëjmë ato. E duhet të shohim përtej së sotmes, duhet të përcaktojmë rrugën për lundrimin e vështirë, që na pret. Nëse nuk mendojmë për të nesërmen, do të jemi sërish të papërgatitur. Ekipi ynë ka filluar të bashkëpunojë me Sekretarinë e Shtetit, me Dikasterin për Komunikimin, me Karitasin Ndërkombëtar e me organizma të tjera. Kjo dëshmon bashkimin dhe aftësinë e Kishës për të reaguar.

Cilat janë grupet e Komisionit, që përmendët e, kush bën pjesë në to? A ka personalitete apo struktura edhe jashtë Selisë së Shenjtë?

Komisioni përbëhet nga 5 grupe pune. Grupi i parë po punon për emergjencën bashkë me Karitasin Ndërkombëtar. Dëgjon Kishat lokale, për të kuptuar nevojat dhe për të ndihmuar në përgjigjet ndaj tyre. U ka kërkuar nuncëve dhe Konferencave Ipeshkvnore të sinjalizojnë çështjet shëndetësore dhe humanitare, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Grupi i dytë ka për detyrë të jetë roje e natës, për të parë agimin. Për këtë, duhen bashkuar ekspertët më të mirë në fushën e ekologjisë, të ekonomisë, të shëndetit, të sigurisë shoqërore. Duhet shkenca konkrete, por edhe profecia, krijimtaria. Ky grup do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë Papnore për Jetën, me atë të Shkencave e me atë të Shkencave Shoqërore. Grupi i tretë ka për detyrë ta komunikojë punën tonë e, përmes komunikimit, të ndërgjegjësojë, të bëjë thirrje për një impenjim të ri. Një seksion i faqes së internetit Human Development do t’i kushtohet komunikimit. Grupi i katërt, i koordinuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, do të merret me të gjitha nismat e mundshme të lidhura me marrëdhëniet me shtetet e me marrëdhëniet shumëpalëshe. Grupi i pestë, me transparencë, do të gjejë fondet e nevojshme, duke promovuar një qarkullim virtuoz të pasurisë. Po bëjmë hapat e para. E dimë se ka shumë për të bërë. Do të impenjohemi me të gjitha energjitë tona. Po përfshijmë edhe institucione, që kanë bashkëpunuar e bashkëpunojnë me Dikasterin, si Georgetown University, Universität Potsdam, Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit në Milano, World Resources Institute e shumë të tjerë. Gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me Kishat vendore.

Pse është e rëndësihme të mendohet për të ardhmen që sot?

Të arsyetosh menjëherë për gjithçka vjen pas është e rëndësishme, për të mos qenë të papërgatitur. Tashmë, kriza shëndetësore ka shkaktuar edhe një krizë ekonomike. E nëse kriza ekonomike nuk përballohet menjëherë, rrezikon të shkaktojë një krizë shoqërore. E kriza ka rrezik të ndiqet nga një tjetër e nga të tjera akoma, në një proces, gjatë të cilit detyrohemi të mësojmë, ngadalë e dhimbshëm, si të kujdesemi për Shtëpinë tonë të përbashkët, ashtu siç na thotë profetikisht Papa Françesku në enciklikën “Laudato si’”. Kemi nevojë për guxim, për profeci.

 Papa e tha qartë në mesazhin e tij “Urbi et Orbi”. Kjo nuk është koha e indiferentizmit, e egoizmit, e përçarjeve; sepse e gjithë bota po vuan dhe duhet të bashkohet kundër pandemisë. Ndërkaq, është koha për t’i lehtësuar sanksionet ndërkombëtare, që i pengojnë vendet të mbështesin si duhet qytetarët e tyre. Është koha që t’u krijohen të gjitha shteteve kushtet për t’u bërë ballë nevojave më të mëdha të këtij çasti. Është koha për ta ulur, madje, për ta falur borxhin, që rëndon mbi buxhetet e shteteve më të varfëra. Është ora për të gjetur zgjidhje të reja. Është ora për guximin që t’i bashkohemi thirrjes për armëpushim global dhe të menjëhershëm anembanë botës. Kjo nuk është kohë për të vazhduar prodhimin dhe trafikun e armëve, duke shpenzuar kapitale të mëdha, që duhet të përdoren për të shëruar njerëz dhe për të shpëtuar jetë.

Si duhet ta jetojë këtë sprovë njeriu i sotëm?

Sot, njeriu rizbulon gjithë brishtësinë e tij. Duhet të kuptojmë, para së gjithash, se të banojmë në Tokë, duke e konsideruar Shtëpi të përbashkët, kërkon shumë më tepër: kërkon solidaritet në përdorimin e të mirave të Gjithësisë së krijuar prej Zotit si “të mira të përbashkëta”; solidaritet, edhe në vënien në jetë të fryteve të punës kërkimore-shkencore dhe të teknologjisë, për ta bërë “Shtëpinë” tonë më të shëndetshme dhe më të jetueshme për të gjithë. Kështu, njeriu rizbulon Zotin, i cili ia ka besuar njeriut thirrjen për solidaritet. Rizbulon sa i lidhur është fati i secilit me atë të të tjerëve. Rizbulon vlerën e gjërave të rëndësishme dhe jo vlerën e atyre, që mendonim se ishin të rëndësishme. Siç tha Papa më 27 mars: “Stuhia nxjerr në dritë brishtësinë tonë dhe zbulon ato siguri të rreme dhe të tepruara, me të cilat kemi mbushur agjendat, projektet, zakonet dhe përparësitë tona”.

15 prill 2020, 16:10