Kërko

FINLAND-HEALTH-VIRUS FINLAND-HEALTH-VIRUS 

Teologët për Covid-19: “përvojë gjithëpërfshirëse, që përshkon plagët e jetës”

Një grup teologësh reflektojnë mbi jetën e Kishës, realitetin shoqëroro-ambiental dhe pezullimin e luftrave, si mundësi për krizë ose për risim, në këto kohë koronavirusi.

R.SH. - Vatikan

“Pandemia kërcënon të gjitha qeniet njerëzore, përtej çdo kufiri gjeografik dhe politik; është një përvojë gjithëpërfshirëse, e cila përshkon thelbin e ekzistencës dhe prek përmasat shoqërore dhe ekonomike, civile, politike dhe fetare. Shprehja ‘Unë rri në shtëpi’ është bërë pjesë e jetës së përditshme të miliarda njerëzve dhe nuk është vetëm çështje këshillash për shëndetin publik; është diçka që gdhendet thellë në histori dhe në ndërgjegje”. Kështu shkruajnë teologët Vittorio Berti, Enzo Biemmi, Alessandro Cortesi, Marco Giovannoni, Andrea Grillo, Fabrizio Mandreoli, Simone Morandini, Serena Noceti, Riccardo Saccenti, në letrën e tyre të hapur, me titullin e marrë nga lutja historike e Papës Françesku, të premten, më 27 mars: “Së bashku në të njëjtën barkë”.

“Të gjithë, burra e gra, - theksojnë ata – jemi përfshirë në një përvojë, që na bashkon në frikë, dhimbje e shqetësim; jemi përshkuar nga vetëdija e thellë dhe provokuese për të qenë pjesë e një gjendjeje të vetme, të lidhur me njëri-tjetrin në nivel planetar. Të gjithë jemi dëshmitarë të dëshmisë bujare të shumë personave, të cilët në botën e shëndetësisë, të punës, ose të vullnetariatit, veprojnë sipas fjalëve të Jezusit: ‘Isha i sëmurë dhe më vizituat’ (megjithëse arsyet janë të ndryshme, fetare e jo)”.

Për teologët, “sfida është të kuptojmë si ta jetojmë këtë kohë, kaq e mbushur me dhimbje, vuajtje e vdekje, ndoshta, edhe me vetmi. Kohë ankthi për familjen dhe miqtë, por edhe për më të brishtët, për ata, që nuk kanë mbështetje, për të pastrehët e për ata, që kërkojnë strehim. Kohë vetmie, të detyruar të ndajmë me njëri-tjetrin hapësira të kufizuara (sepse kjo është për shumë njerëz ‘Unë rri në shtëpi’); kohë veprimesh të rrezikshme, por dramatikisht urgjente për disa, kohë zbrazëtie dhe mosveprimi për shumë të tjerë.

Kohë ankthi për humbjen e vendit të punës dhe shqetësim për jetën familjare, që duhet të shkojë përpara. Kohë, që në një mënyrë tjetër, na zbulon kush jemi: nxjerr në pah brishtësinë tonë dhe na bën të prekim me dorë sa thelbësore janë rrjetet e marrëdhënieve, në të cilat bëjmë pjesë dhe mbështetja, që na ofrojnë. Kohë, që nxjerr në pah shumë kontradikta të formës aktuale shoqërore dhe i bën ato më të mprehta: prodhimi i armëve vazhdon, sikur të ishte veprimtari thelbësore, ndërsa nëpër spitale, mungojnë pajisje elementare e shumë vetë provojnë varfërinë. Kohë, pra, që sfidon siguritë dhe na detyron të rimendojmë se çfarë i jep vlerë dhe cilësi jetës.

01 prill 2020, 19:08