good-friday-3779943_960_720.jpg

Të vdesësh në Zotin

Artikulli i pestë i “Ditarit të krizës” shkruar nga atë Lombardi: për Jezusin nuk ka të vdekur të harruar, në asnjë vend të tokës e të historisë, në asnjë skaj të goditur nga pandemia

R. SH. - Vatikan

Federico  Lombardi

Një nga mendimet më të mprehta e më të shquara shpirtërore të Shën Gjon Palit II ishte ta mbante gjallë kujtimin e martirëve të shekullit XX, një nga shekujt më të dhunshëm të historisë. E natyrisht, duke kujtuar para Zotit dëshmitarët e shumtë të fesë, nisëm të kujtonim, bashkë me ta, edhe viktimat e panumërta e, më gjërë akoma, gratë e burrat e të gjitha racave, kohëve e gjendjeve, që humbën jetën e tyre në rrethana dramatike, në tokë  e në det, në luftë e në paqe, larg çdo ngushëllimi njerëzor, viktima të  dhunës pa pikë kuptimi a të katastrofave, të braktisjes a të vetmisë. Të duket sikur dëgjon një britmë zemërçjerrëse dhimbjeje, që ngrihet në heshtje nga pluhuri në të katër anët e dheut; britmë, që dëgjohet nga ata, të cilët kanë veshë për të dëgjuar, britmë, që të kujton miliona e miliarda të harruar. Britmë e krijesave, që e ndjejnë veten të rrokullisur tatëpjetë, në  hon e në harresë. Për ta e me ta duam të lartojmë edhe ne sot, një britmë pseje e mëshire!

Pamja e radhës së arkivolave në Kishat e Lombardisë, ata të varrezës së madhe pranë New Yorkut, mendimi se shumë njerëz, posaçërisht pleq vdiqën në kushte izolimi e vetmie të frikshme gjatë muajve të fundit, na prek thellësisht. Jo vetëm për dhimbjen e natyrshme të të afërmve, që nuk mundën ta jetonin çastin kur të dashurit e tyre duhet të ndaheshin nga jeta me ngushëllimet e krishtera, por më shumë akoma për vetë të vdekurit, për ata, që u shuan e po shuhen në vetmi.

E gjithë kjo, na bëri të kuptojmë edhe një herë sa të çmuara janë afërsia dhe dashuria e sinqertë në kohë ligështie, pleqërie, sëmundjeje. Por na bëri edhe të mendojmë se ndoshta çdo vdekje, duke përfshirë edhe tonën,   mbart gjithnjë me vete përmasën e vetmisë! Jemi vetëm në vdekje! Sepse, në fund të fundit, çdo ngushëllim e afërsi e të tjerëve, është e pafuqishme. E asgjë nuk mund të na shpëtojë nga kalimi përfundimtar.

Si mund të përgatitemi për këtë çast, nga i cili nuk shpëton dot askush? Por që për viktimat e coronavirusit arriti kur nuk e prisnin? Ndonëse e kishin përpara? Si e kemi edhe ne? Si të ikim larg ankthit, që na kujton se mund të rrokullisemi papritmas në honin e asgjësë?

Pak ditë më parë patëm hirin të rijetojmë vdekjen e Jezusit. Çdo ditë  e rijetojmë, duke u bashkuar sakramentalisht a shpirtërisht me Jezusin në kungim. Po e Premtja dhe e Shtuna e Madhe sjellin me vete një hir krejt të veçantë. Vdekja e Jezusit, e vërtetë dhe mizore, mbart me vete gjithë përvojën e braktisjes nga ana e njerëzve, e edhe të braktisjes misterioze nga ana e Zotit, siç na e kujton vargu i Psalmit, që i kushtohet Jezusit mbi Kryq. Një vdekje e vërtetë, e pasuar nga varri, ku  u mbyll kufoma e Zotit  ditën e shtunë. Të Shtunën e Madhe, ne besojmë, e pohojmë: “…u kryqëzua, vdiq e u varros; zbriti në ferr…”. Zbritja e Jezusit në ferr na thotë se ai u bë i afërt me vëllezërit e me të  gjithë ata, që zbresin në humnerën e vdekjes. Që nuk e harron askënd! Po për Jezusin nuk ka të vdekur të harruar, në asnjë vend të tokës e të historisë, në asnjë skaj as skutë, të prekur nga pandemia. Jezusi vdiq me të vërtetë, si ata, e me ta!

Pas vdekjes së Jezusit, zbritjes në ferr e ringjalljes, vdekja nuk është më siç ishte. “E ku është, o vdekje, fitorja jote?” - brohoret Shën Pali. Vdekja tani mund të jetohet me Krishtin, që na bind se dashuria e Zotit është shumë më e fortë se vdekja. Se e kapërcen çdo vetmi njerëzore. Njeriu që vdes, edhe më i panjohuri e më i harruari, mund ta lëshojë, kështu, shpirtin në duart e një Ati!ak ditë më parë Françesku, në Shën Martë, duke komentuar fjalët që Jezusi ia tha Nikodemit, i ftoi të gjithë t’ia ngulin sytë kryqit. Është pika qëndrore e fesë dhe e jetës së krishterë. Kush i ka parë, nuk mund t’i harrojë kurrë pamjet e Gjon Palit II, të përqafuar me kryqin në kapelën e tij, pak ditë para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë për dritën e kësaj bote, ndërsa populli ishte mbledhur në Koloseum, në lutje, duke ndjekur Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe. Nuk ka mënyrë tjetër përgatitjeje për ta jetuar vdekjen, pëveçse duke e shikuar me gjithë shpirt Krishtin, që vdes me ne e për ne, e duke dhënë shpirt të përqafuar me Të me gjithë zemër. Atëhere vdekja, e jetuar me Jezusin, mund ta humbasë fytyrën e saj të llahtarshme e t’ia lërë vendin misterit të dashurisë e të mëshirës. Atëhere, ndoshta, nuk do ta ndjejmë më dëshirën për të mos menduar se ka vdekje, për ta shlyer nga e përditshmja, madje, me fe e me kalimin e kohës, mund të na bëhet familjare deri në atë masë, sa ta quajmë “motër” si e pati quajtur Shën Françesku.

Edhe në botën e shekullarizuar, vdekja vjen se vjen, me koronavirusin a me ndonjë mënyrë tjetër. Por të mos e harrojmë se falë Jezusit, vdekja nuk do ta thotë më fjalën e fundit. Çdo vdekje, edhe më e harruara e më vetmitarja, nuk është rënie në hon, por në duart e Zotit!”.

28 prill 2020, 14:32