Kërko

Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme  Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme  

Shenjtorët e javës 5-12 prill

Me të Dielën e Larit përkujtohet hyrja solemne e Jezusit në Jerusalem dhe pritja e hareshme me degë lari e ullinjsh nga turma e hebrenjve. Po me të Dielen e Larit a të Luleve, fillon Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. Liturgjia e Fjalës së Zotit përkujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe historikun e mundimeve të Tij.

R.SH. - Vatikan

E Diel 5 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Larit apo të Luleve dhe të Mundimeve të Jezu Krishtit. Me këtë Diele të Larit të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, për Kishën katolike fillon Java e Shenjtë ose Java e Madhe e Pashkëve, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë. Pra, përfundon koha e Kreshmëve e hyjmë në kremtimet e Pashkëve.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje dhe momente ngushtë të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes së Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij udhës së kalvarit. Bekimi i degëve të ullirit, dafinave dhe palmave na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që përkujtim i kësaj të kremte, përmes këtij triumfi të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas bekimit të degëve të ullirit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Jezu Krishtit - Shëlbuesit të botës.

Gjithnjë më 5 prill, kalendari kishtar përkujton shën Vinçencin Ferrer, meshtar domenikan e shën Irenën, virgjër e martire.

Të hënë e Madhe të Pashkëve, më 6 prill, është dita e parë e Javës së Madhe së Shenjtë, e meditojmë mbi faktin se Zoti është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet.

Gjithnjë më 6 prill, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfëra.

Martën e Madhe të Pashkëve,  më 7 prill, të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbramë, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmen e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme.

Gjithnjë më 7 prill, bie festa liturgjike e shën Gjon Pagëzuesit de La Sal, meshtar e shën Ermano Jozefit nga Këlni.

Të Mërkurën e Madhe të Pashkëve, më 8 prill, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit dhe vëllezërve.

Gjithnjë më më 8 prill, kalendari kishtar përkujton shën Dionisin Areopagit, shën Amanazin e të Lumin Klementin nga Osimo.

Me të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 9 prill, fillon Treditëshi i Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbramë. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit Jezu Krisht.

Gjithnjë më 9 prill, kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin e shën Liborin.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, më 10 prill, gjunjëzohemi para Kryqit të Jezu Krishtit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës.

Gjithnjë më 10 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Tretë të Pashkëve. Gjithnjë më 10 prill kalendari përkujton edhe shën Magdalenën e Kanosës.

E Shtuna e Madhe e Pashkëve, më 11 prill, karakterizohet nga Heshtja e Zotit, Nata e lutjes në pritje të Ngjalljes së Krishtit. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte Ngjallur. Mahnitja e tre grave te varri i zbrazët i Jezusit duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar në botë vërtetësinë e asaj ngjarjeje.

Gjithnjë më 11 prill, kalendari kishtar përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv i Krakovit (Poloni).

Të dielën e ardhshme të Pashkëve, më 12 prill, Kisha katolike do kremtojë Pashkët e Ngjalljes së Jezu Krishtit.  Alelluja!  Kjo është Dita e Krishtit Zot! Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’i japim njëri-tjetrit, së bashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u Ngjall, me të vërtetë u ngjall! Alelluja!”.

Gjithnjë më 12 prill, kalendari kishtar përkujton  shën Sabën, got.

05 prill 2020, 10:29