Kërko

Editorial
Vatican News

Shën Marta, thelbësorja dhe Jezu Krishti, që e mund frikën

Çdo ditë, me meshën në Shtëpinë, që mban emrin e shenjtes së zënë me punët e përditshme, Papa na fton të mos i harrojmë gjërat më të rëndësishme, më thelbësore. Prania e të Ringjallurit fiton mbi frikën e dishepujve në “lockdown”.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

         Çdo ditë, që nga fillimi i krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19, Papa Françesku shoqëron miliona njerëz në gjithë botën, duke kremtuar meshën e mëngjesit, e cila përfundon me disa minuta adhurimi eukaristik para të Shenjtnueshmit Sakrament. Mesha e kremtuar nga Papa për besimtarët e detyruar të rrinë në shtëpi, me ndjetin e tij të veçantë në lutjen e hyrjes, transmetohet drejtpërdrejt nga Domus Sanctae Marthae, banesa, ku ka dashur të jetojë Ati i Shenjtë, shtëpi, që mban emrin e shën Martës.

         Marta ishte motra e Lazrit dhe e Marisë. Familje nga Betania, të cilën Jezusi e donte shumë dhe e vizitonte shpesh. Ungjilli sipas Lukës tregon se një ditë, ndërsa Marta po merrej me punët e shtëpisë për t’i shërbyer Nazarenasit, e motra, Maria, vetëm sa rrinte aty, me mysafirin. Marta, megjithëse ëmbëlsisht, u ankua pak: “Zotëri, a nuk po të duket e rëndë, që motra ime më la krejt vetëm të shërbej?” E Jezusi iu përgjigj: “Marta, Marta, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, e nevojshme është vetëm një”.

         Sot, ngjan sikur Jezusi të ketë gjetur një mënyrë për të na kujtuar se këto kohë, kur jemi larg nga mesha e nga Eukaristia, nuk duhet të harrojmë gjërat e rëndësishme, ndërsa jemi të zënë me punë shtëpie, si Marta. E kështu, Papa hyn në banesat tona, nga Shtëpia e tij e Shën Martës në shtëpinë tonë të Martës, për të na e kujtuar këtë përditë. Për të na e kujtuar neve, që të gjithë, jemi si Marta. Mesha përfundon me adhurimin eukaristik, për të na dhënë mundësi ta shohim e ta kundrojmë Zotin. Ose më mirë, siç do të thoshte Papa Françesku, për ta lënë Atë të Lumin të na shohë.

         E megjithatë, kapela e Domus Sanctae Marthae, ndërtuar në gjysmën e viteve ’90, me urdhër të shën Gjon Palit II, për të strehuar kardinajtë e thirrur për të zgjedhur Papën e ri, nuk mban emrin e shenjtes motër të Marisë. I kushtohet Shpirtit Shenjt. Kjo na çon tek pjesa e Ungjillit të shën Gjonit, që u lexua të Dielën II të Pashkëve. “Mbrëmjen e po asaj dite, të parën ditë të javës, ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: …’Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati,  ashtu unë po ju dërgoj ju’. Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: ‘Merrni Shpirtin Shenjt!’”.

         Dishepujt kishin frikë e ishin mbyllur me çelës në Çenakull. Përjetonin ndjenja e gjendje, që sot kanë të bëjnë ngushtësisht edhe me ne: frikën dhe “lockdown” apo mbylljen brenda mureve të shtëpisë. Kemi frikë nga rreziku i infektimit, jemi kyçur në shtëpi. Por Krishti i Ringjallur kalon nëpër të gjitha dyert e mbyllura të banesave e të zemrave tona dhe e mund frikën. Duket në shtëpitë tona, që janë kisha shtëpiake. E na kujton kështu se pikërisht banesat tona janë vendi i parë, ku dëshmohet e transmetohet feja, nëse dimë ta shohim Atë të Lumin dhe e lejojmë të na shohë.

20 prill 2020, 14:35