2019.04.19 Passione di Gesù Cristo,  Ecce Homo,  Crocifisso  venerdi santo 2019.04.19 Passione di Gesù Cristo, Ecce Homo, Crocifisso venerdi santo 

E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Kjo është e vetmja ditë e jetës së Krishtit, për të cilën mund të flasim hollësisht, duke nisur nga agimi, në muzg. Dhimbje mbi dhimbje. Tani arrin në majë e shtrin trupin tënd të panjollë mbi dru, o Krisht, që flijohesh për ne të pacipët, për turpin tonë; që i lë xhelatët të t’i mbërthejnë me çekan këmbë e duar, të të lartojnë, pastaj, duke t’i dërmuar nerva e muskuj. Biri i Hyjit, mbreti im naltohet mbi fronin e tij! Për mua, për mëkatet e mia! “Corpus Christi, salva me!” – “Korpi i Krishtit, shpëtomë!”

R.SH. - Vatikan

Kjo është e vetmja ditë e jetës së Krishtit, për të cilën mund të flasim hollësisht, duke nisur nga agimi, në muzg. Dhimbje mbi dhimbje. Në zemër e në korp të Njeriut-Zot. E butësi e pafundme, njëherësh me egërsinë e pushtetin e terrinave, mizoritë e njeriut e misterin e mëkatit. Duam, por s’mund t’i shkojmë pranë Jezusit udhës së kalvarit të tij. Mundemi vetëm të numërojmë hallkat e vargoit të ngjarjeve e të shikojmë me sytë tanë sa shtrenjtë i kushtoi Jezusit dashuria e sa pak u kuptua dhurimi i tij.

Zhgënjimin e parë atë natë e provon nga dishepujt. Ishin me të deri vonë, i panë gjestet e mrekullueshme që kreu, i dëgjuan fjalët tejet të larta, që tha. Ndërsa tani, kur ai, i vetmuar, ndodhet ballë përballë me misterin e fatit të vet e djerset gjak nga tmerri, dishepujt flejnë. Nuk janë në gjendje të dhurojnë tjetër, veç trupit të rraskapitur nga lodhja, e gjumit. Vetëm tradhtari nuk fle, e s’fle as banda e tij. I prin urrejtja e shfrenuar e lakmia pa fre. Shtrin duart për një përqafim të turpshëm e buzët, për një puthje tradhtare! Simbole të të gjitha përqafimeve të rreme e puthjeve, që ngjasin më shumë me kafshime!

Po Krishti nuk e ka në mend të kundërshtojë. Dhuron vetveten: Jam unë! – thotë e dorëzohet pa fjalë. Juda nuk është fare i nevojshëm. Mëkati është i kotë.

Por gjithsesi mbetet i dhunshëm e i urryer: Jezusin e lidhin dhe e heqin zvarrë si keqbërës, ndërsa dishepujt ia mbathin këmbëve nga frika e pjesëmarrjes në rrënimin e tij. E ku shkoi gjithë ajo dashuri për Mësuesin? “Jemi gati të mbyllemi në burg e të vdesim për ty”- patën bërtitur ndonjë orë më parë. E ja ç’bëjnë tani! Ua grahin këmbëve, kush e kush të ikë më shpejt. Të tjerët, armiqtë, ziejnë nga urrejtja!

Janë krerët e popullit, deputetë në shërbim të Hyjit. Në emër të Zotit, s’e kanë fare për gjë të kryejnë krimin: Ai blasfemoi, duhet të vdesë! Por përballë sundimtarit romak e akuzojnë të burgosurin e tyre si keqbërës e kundërshtar politik, sepse ata s’e çajnë fare kokën, kur është fjala për të mbrojtur të vërtetën e drejtësinë. Duan ta shikojnë një orë e më parë të vdekur! E ngulin këmbë! E fitojnë mbi ndërgjegjen e brishtë të Pilatit. E detyrojnë të komprometohet e ta zëvendësojë vendimin e drejtë, me të shtrembrin: Krishti poshtërohet, fshikullohet me kamxhik, kurorëzohet me ferra, zë vendin e një vrasësi, dënohet me vdekje!

“Ibis as crucem”, “Do të kryqëzohesh”, shqipton sundimtari. Çuditet nga vetja e nga ky njeri i jashtëzakonshëm. Ecce homo! – Ja njeriu! Pati bërtitur duke ia paraqitur popullit maskën e përgjakur të Krishtit, me shpresë se do ta mëshironte. Ndërsa mëshira kthehet në urrejtje. Ecce homo!

O Hyj, na jep hirin që fytyra e martirizuar e Krishtit ta ndriçojë zemrën tonë, të përhumbur nga një dëshirë e thellë: shndërroje tmerrin, që na shkakton dënimi i tij, në neveri për mëkatin.

Ecce homo! Mbi këtë njeri ngulen sytë e Nënës, të Magdalenës, të Gjonit, të miqve të tjerë. Nuk dinë ç’të thonë, nuk janë të zotët t’i kundërvihen mbrapshtisë të së keqes; kanë forcë vetëm ta shoqërojnë Jezusin plot dhimbje në udhën e tij të tmerrshme drejt Kalvarit, Udhën e tij të lemeritshme të Kryqit!

Ja: merr mbi supe drurin e martirizimit e vihet për rrugë, duke u lëkundur. I kapitur nga humbja e gjakut, nga mungesa e ushqimit, nga poshtërimet, nga mohimet, nga neveria për mëkatin e përhershëm. Bie. I hapen plagët e shkaktuara nga kamxhiku; ringrihet në këmbë, i sfilitur, i përvëluar nga ethet e nga etja, me trupin që i dridhet, ndërmjet ulërimave, kërcënimeve, fshikullimës së kamxhikut.

Shumë njerëz të panjohur shtyhen për të soditur dhimbjen e tij. Papritmas, një fytyrë e njohur: është nëna. Asnjëherë më shumë se në këtë çast shpata e parafolur nga Simeoni, nuk e kishte shporuar kaq thellë zemrën e saj. Por i dënuari nuk mund të ndalet-Fati e thërret të vijojë udhën. Duke u rrëzuar nën kryq e duke u ngritur, për t’u rrëzuar rishtas. Caktojnë një njeri për ndihmë, një Cirineas, që të mos i shpëtojë, duke vdekur, vdekjes që i kanë përgatitur në majë të kodrës!

Gratë vajtojnë gjatë gjithë rrugës së tmerrshme të kryqit. Veronika ia fshin fytyrën e shpërfytyruar nga gjaku e nga qelbi, e ai, druri i blertë, i sfilitur, i paralajmëron bijat e Jerusalemit e të gjithë be, drurë të brerë nga mëkati, për zemërimin e hakmarrësit.

Tani arrin në majë e shtrin trupin tënd të panjollë mbi dru, o Krisht, që flijohesh për ne të pacipët, për turpin tonë; që i lë xhelatët të t’i mbërthejnë me çekan këmbë e duar, të të lartojnë, pastaj, duke t’i dërmuar nerva e muskuj. Biri i Hyjit, mbreti im naltohet mbi fronin e tij! Për mua, për mëkatet e mia! “Corpus Christi, salva me!” – “Korpi i Krishtit, shpëtomë!”

Ushtarët i ndajnë petkat tua. S’të mbetet më gjë prej gjëje, Krishti i varfërisë sime e i shpërdorimeve të mira. Më mëso të fitoj mbi lakminë, ta ndihmoj, pa mburrje, njeriun që ka nevojë. Më mëso të mos e bashkoj zërin me korin e armiqve të tu fitimtarë, që ia lejojnë vetes talljen e sarkazmin: “Zbrit nga kryqi, e do të të besojmë!”. Janë britmat e popullit, ditën e kurorëzimit tënd. Ti, Jezus, lutesh: “Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”.

Jam një prej atyre, për të cilën u lute mbi Kryq. Të falënderoj, o Krisht, që më dhe hirin e pendimit. Si hajduti mirë, të lutëm: kujtohu për mua! S’ka pikë rëndësi një jetë e mjerë, plot mundime e kompromise. Jam gati të të ndjek, nëse do të më thuash: “Do të jesh me mua në Parriz!”. Kërkoj ndërmjetësimin e Nënës sate, në duart e së cilës na lëshove: Grua, ja yt bir!

Të falënderojmë. Do të jemi bijtë e tu, Nënë e Virgjër, në këtë orë të dhimbjes sate. Pranë teje do të dëgjojmë ankimin e fundit të Krishtit: Atë, pse më lëshove dore!? Në të, që pëson këtë vetmi pa fund, do të gjemë strehë, kur të na braktisin, kur të jemi fillikat. Ti, o Zot, do ta shuash etjen tonë për gëzim: me Ty, në jetën tonë pa pikë kuptimi, do të lulëzojnë virtytet. Mos na leshi dore, o Krishti i kryqit tonë, sepse të duam me të njëjtën dashuri që pati për ty Nëna jote në këtë Premte të Madhe, sepse pranë teje, o i Kryqëzuar, nxëmë çdo ditë, pa u lodhur kurrë, mësimin më të çmuar të dashurisë.

10 prill 2020, 10:23