Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Pandemia, Parolin: pavarësisht nga frika, të mos mbyllemi në vetvete

Intervistë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit: duhet vërtet të impenjohemi të gjithë që të mos mungojë kurrë solidariteti ndërkombëtar. Propozimi për famullitë që t’u bien kambanave në mesditë, për t’i ftuar njerëzit të luten.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

“Kisha vigjëlon mbi të gjithë. I qëndron afër kujtdo, që vuan dhe ka nevojë”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e shpreh me këto fjalë afërsinë e Kishës në këtë kohë dramatike, që njerëzimi po përjeton, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një intervistë për mediat vatikanase, realizuar nga drejtori ynë editorial, Andrea Tornielli, kardinali fton të mos mungojë kurrë “solidariteti ndërkombëtar”: pavarësisht nga emergjenca dhe frika, “është koha të mos mbyllemi në vetvete”.

Si po e jetojnë Papa dhe Kuria Romake këtë çast emergjence?

Ne po e ndajmë këtë çast të vështirë me të gjithë njerëzit. Për shumë vetë, ky është çast dramatik. Mendoj për të sëmurët, sidomos për të moshuarit, për ata, që vdesin, për familjet e tyre. Jemi në prag të Pashkëve. Kisha vigjëlon mbi të gjithë. I qëndron afër kujtdo, që vuan dhe ka nevojë. Duhet të çlirohemi nga robëria e kohës së jetuar me zhgënjime, nga kërcënimi i sëmundjes dhe i vdekjes. “Lazër dil!” (Gjn 11,43): kjo është thirrja, që jehon në kohë, sot veçanërisht, që të jenë kohë të reja për jetën e shpirtin. Ati i Shenjtë, Françesku, po përdor të gjitha mënyrat e mundshme për t’u qëndruar pranë njerëzve, në të gjithë botën. Për të, kontakti me njerëzit ka qenë gjithmonë thelbësor dhe, megjithëse në një mënyrë të re e të pazakontë, ai synon ta ruajë atë. Transmetimi i drejtpërdrejtë i meshës në Shën Martë, çdo ditë, është shenjë konkrete e kësaj. Lutja e vazhdueshme për viktimat, për familjet e tyre, për punonjësit e shëndetësisë, vullnetarët, meshtarët, punëtorët, familjet, është një tjetër shenjë konkrete. Ne, bashkëpunëtorët e Papës, përpiqemi ta ndihmojmë të mbajë kontakte me Kishat e të gjitha vendeve të botës.

Çfarë na mëson kjo kohë dramatike, që ka përfshirë familjet, po u ndryshon jetën njerëzve dhe do të shkaktojë dëme edhe mbi sistemin ekonomik?

Jemi duke përjetuar një dramë, që do të ketë pasoja të rëndësishme në jetën tonë. Para së gjithash, jemi përballur me brishtësinë dhe ligështinë tonë. E kuptojmë se nuk jemi krijues, por jemi krijesa të varfëra, të cilat ekzistojnë, sepse Dikush u dhuron jetën çdo çast. Ne nuk jemi zotër absolutë. Mjafton një gjë e vogël, një armik i mistershëm dhe i padukshëm, për të na bërë të vuajmë, për të na bërë të sëmurë rëndë, për të na bërë të vdesim. E shohim veten të vegjël, të pasigurt, të pafuqishëm, duam ndihmë. Gjithashtu, vihemi përballë thelbësores, me gjithçka ka vërtet rëndësi. Na jepet mundësia të rizbulojmë vlerën e familjes, të miqësisë, të marrëdhënieve ndërnjerëzore, të të njohurve, për të cilët, normalisht, s’kemi kohë, vlerën e solidaritetit, të bujarisë, të bashkëndarjes, të afërsisë në gjërat e vogla e konkrete. Kemi nevojë për njëri-tjetrin, për bashkësi dhe shoqëri, që të na ndihmojnë të kujdesemi për njëri-tjetrin. Besoj se ky është çast i volitshëm për t’u rikthyer tek Zoti me gjithë zemër, siç na kujtoi Papa Françesku në çastin e jashtëzakonshëm të lutjes së 27 marsit e, disa ditë më parë, edhe në Atynën “ekumenike”, së bashku me gjithë të krishterët e botës.

Si na ndihmon feja e krishterë t’i jetojmë këto kohë të vështira pandemie, kur e gjithë bota është mbyllur në shtëpi, me frikën e koronavirusit?

 Feja e krishterë është hyrja e Zotit në historinë njerëzore. Po përgatitemi për të kremtuar Pashkët, në këto Kreshmë të veçanta: Jezusi ringjallet, fiton mbi vdekjen, dhuron jetën. Vështrimi i fesë, në këto kohë të vështira, na ndihmon ta lëshojmë gjithnjë e më shumë veten në dorën e Zotit, të trokasim në derën e Tij me lutjen tonë të pandërprerë, për ta shkurtuar këtë kohë sprove. Na ndihmon të shohim të mirën, që na rrethon dhe këtë e dëshmojnë shumë njerëz. Të ngushëllon krijimtaria baritore e ipeshkvijve, e meshtarëve, e rregulltarëve dhe e murgeshave, angazhimi i shumë laikëve, përmendur tashmë edhe nga Papa Françesku. Ata janë “zëri” i Ungjillit. Siç janë të gjithë ata (nga mjekët tek infermierët e deri tek vullnetarët), që luftojnë sëmundjen. Unë mendoj se është mirë të shihet se si Kisha, e cila jeton e zhytur në realitetin e njerëzve të saj, kërkon dhe gjen një mijë mënyra, duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme, për të mos i lënë njerëzit vetëm, për t’u lutur me ta, për t’u thënë një fjalë ngushëllimi. Do të ishte bukur sikur të gjitha kishat, njëkohësisht, për shembull në mesditë, t’u binin kambanave për një minutë; e tingulli i tyre të ishte thirrje për t’u lutur së bashku, megjithëse larg fizikisht…

Ç’mund të na thoni për gjendjen shëndetësore të punonjësve të Selisë së Shenjtë?

Siç e dini, aktualisht ka shtatë raste me Covid-19 në Vatikan. Në fillim të marsit, patëm rastin e një personi, që kaloi në ambulancën tonë për disa analiza mjekësore, para punësimit në Kurien Romake. Këtij rasti të parë, gjatë javëve të shjkuara, iu shtuan edhe gjashtë të tjerë. Të gjithë e kanë kaluar fazën kritike dhe tani po përmirësohen. Natyrisht, ashtu si në Itali dhe në vendet e tjera të botës, edhe ne e monitorizojmë situatën dita-ditës, orë për orë, falë angazhimit të mjekëve dhe të infermierëve tanë.

Ç’po bën konkretisht Selia e Shenjtë për të ndihmuar Kishat e ndryshme në botë?

Selia e Shenjtë, përmes Dikastereve të saj, impenjohet të mbajë kontaktet me Kishat e veçanta, duke u përpjekur të ndihmojë, për sa është e mundur, popullsitë më të prekura nga përhapja e koronavirusit, pavarësisht nga feja ose kombësia, së cilës i përkasin, si gjithmonë. Që nga fillimi i emergjencës globale shëndetësore, vetë Ati i Shenjtë deshi të shprehë afërsinë dhe solidaritetin e tij për popullsinë kineze, duke dërguar një dhuratë për organizatën bamirëse Jinde Charities dhe për dioqezën e Hong Kongut, e më pas, edhe në Iran, në Itali dhe Spanjë. E po studiohen edhe disa nisma për një solidaritet më konkret e për dëshminë e bamirësisë.

Kriza po bëhet botërore e po mbërrin edhe në vendet e Jugut të botës. Kisha është e pranishme në këto vende me ndihmën e saj, por në ç’mënyrë mund të kontribuojë që të mos mungojë solidariteti dhe bashkëpunimi shumëpalësh, në këto kohë, kur çdo vend ka problemet e veta me koronavirusin?

Për fat të keq, jemi përballur me një pandemi dhe me një infeksion, që përhapet si vaji në ujë. Nga njëra anë, shohim përpjekjet e jashtëzakonshme të vendeve të zhvilluara, me jo pak sakrifica në jetën e zakonshme të çdo familjeje dhe në ekonominë kombëtare, për të përballuar frytshëm krizën shëndetësore dhe për të ndalur përhapjen e virusit. Nga ana tjetër, jam akoma më i shqetësuar për situatën në vendet më pak të zhvilluara, ku strukturat shëndetësore nuk janë në gjendje të ofrojnë trajtimin e nevojshëm për popullatën, në rast të përhapjes së Covid-19. Për hir të thirrjes së saj, Selia e Shenjtë përpiqet të ketë gjithë botën si horizont, përpiqet të mos e harrojë kë është më larg, kë vuan më shumë, kë nuk i ka reflektorët e mediave ndërkombëtare mbi veten. Ky nuk është shqetësim i lidhur vetëm me emergjencën aktuale për pandeminë: sa luftëra, sa epidemi, sa zi për bukë përjetojnë vëllezërit dhe motrat tona! Kemi vërtet nevojë të lutemi dhe të angazhohemi të gjithë, që solidariteti ndërkombëtar të mos mungojë kurrë. Megjithë emergjencën, pavarësisht nga frika, është koha të mos mbyllemi në vetvete. Fatkeqësisht, po e shohim këto ditë: problemet dhe tragjeditë, që i kemi konsideruar të largëta na kanë trokitur në derë. Është rast për t’u ndjerë më të bashkuar dhe për ta shtuar solidaritetin ndërmjet të gjitha vendeve, ndërmjet të gjithë popujve, ndërmjet të gjithë burrave dhe grave të botës sonë. Nga kjo emergjencë do të lindin vështirësi dhe ndryshime të thella. Kemi nevojë që përgjegjësit e politikës të shohin përtej egoizmit të interesit të tyre personal, të grupit e të kombit, të dinë të mbrojnë me mençuri të mirën e përbashkët, sipas vlerave të lirisë dhe të drejtësisë.

02 prill 2020, 17:02