Kërko

Pentecoste, discesa dello Spirito Santo sugli apostoli e Madonna, lingue di fuoco, colomba  Pentecoste, discesa dello Spirito Santo sugli apostoli e Madonna, lingue di fuoco, colomba  

Pas Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë

Menjëherë nga kjo e diele fillon koha qё na përgatit pёr Rrёshajё. Fillon, kështu, “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të Ngjallur dhe dikimin e Shpirtit Shenjt.

R.SH. - Vatikan

Nga e diela “in albis”, e diela që quhet “Tetëditshi i Pashkëve”, fillon koha qё na përgatit pёr Rrёshajё. Siç dihet, Pashkët kremtojnë ngjalljen e Krishtit, ndërsa Rrëshajët, pesëdhjetë ditët e Pashkëve, shënojnë fillimin e jetës së re të Jezu Krishtit të Ngjallur në besimtarë, në saje të veprës së vet Shpirtit Shenjt. Ajo që ndodh më Krishtin, ditën e parë të Pashkëve, në ditën e pesëdhjetë, ndodh për gjymtyrët e korpit të Tij mistik, që është Kisha

Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit e të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditshi i Pashkëve”, sepse të krijojnë idenë e një dite të vetme.  Pra kremtimi e Pashkëve, qё liturgjikisht shtrihet tërë javën, duke e zgjatur, kështu, gëzimin e së Kremtes më të madhe të tёrё vitit, të Ngjallurit e Krishtit, tetё ditё, përfundon me tё Dielën e cila dikur quhej “In Albis”, sepse të posapagëzuarit Natёn e Pashkёve, këtë javë visheshin me petka të bardha  – e “in albis” do të thotë “me të bardha” – pra deri në të dielën e mëpasshme. E menjëherë nga kjo e diele fillon koha qё na përgatit pёr Rrёshajё. Fillon, kështu, “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të Ngjallur dhe dikimin e Shpirtit Shenjt.

Fillon koha e gëzueshme e Rrëshajëve

Siç dihet, Pashkët kremtojnë Ngjalljen e Krishtit, ndërsa Rrëshajët, pesëdhjetë ditët e Pashkëve, shënojnë fillimin e jetës së re të Jezu Krishtit të Ngjallur në besimtarë, në saje të veprës së vet Shpirtit Shenjt. Ajo që ndodh më Krishtin, ditën e parë të Pashkëve, në ditën e pesëdhjetë, ndodh për gjymtyrët e korpit të Tij mistik, që është Kisha.

Libri i ‘Veprave të Apostujve’ na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën që po lindte, nga Jerusalemi në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate të mrekullueshme, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit. Kështu, koha e Ngjalljes së Jezu Krishtit, koha Pashkëve, shkon për 50 ditë deri në festën e Rrëshajëve.

Të përgatitemi për ta pritur denjësisht Shpirtin Shenjt

 Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë.

E si duhet të përgatitemi?

Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues!, Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime.
 
Po çka është, ose më mirë të themi, kush është Shpirti Shenjt?
 
Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin Hyj. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Perëndisë, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, që është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e Shpirtit të Zotit. Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e Birit.

Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull, që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit dhe e pajis njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt Zot, ndoshta kështu jeta do të ishte më pak monotone nga çka është tani, sidomos për të krishterë

19 prill 2020, 16:50