Gesù Risorto Gesù Risorto  

Nata e Pashkëve: Krishti u Ngjall. Me të vërtetë u Ngjall, Aleluja

Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit të Ngjallur. Në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

R.SH. - Vatikan

Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit Gjall, ju miq e dëgjues të Radio Vatikanit - Vatican News e shqiptarë të nderuar kudo që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.

Këtë të Shtune ndalemi te liturgjia e Natës së Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, Natës së Pashkëve në të cilën Kisha mbarë i kumton njerëzimit Ngjalljen e Krishtit. Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera. Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur.

Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën  historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të ringjallur.

Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria. Prezenca në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetsemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, të Birin e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjes së vet, kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit: në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.           

 Vigjilja e Pashkëve sot përmban këto katër pjesë

Shtuna e Madhe e Pashkëve është ditë kundrimi dhe heshtjeje të madhe, ditë të cilën të krishterët ftohen ta kalojnë në lutje deri në kumtin e Ngjalljes së Krishtit. Në inflacionin e fjalëve që kaq shumë dëgjojmë çdo ditë, është tepër e nevojshme kjo ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh Papë një herë pati thënë: ‘Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”.

Nata e Pashkëve, me ritet liturgjike të veta të bekimit të ujit, të zjarrit dhe të shpalljes së Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës, e cila u kujton besimtarëve se Treditëshi i Pashkëve nuk është kujtim i realitetit të së kaluarës, por është realitet aktual. Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë fjalën e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria. Në se jemi gati të vuajmë e të vdesim me Të, siç na tregon shën Pali në liturgjinë e Fjalës të kësaj Nate të Shenjtë të Pashkëve, jeta e Tij do të bëhet jeta jonë. Mbi këtë siguri mbështetet dhe ngrihet feja dhe jeta jonë e krishterë.

Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin pikërisht në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit. E Shtuna, e treta ndër ditët e shenjta të Pashkëve është, ndër të gjitha, më e pasura me rite, simbole, fjalë e shenja, që shprehin fitoren e Jezu Krishtit,  Zot e Shpëtimtar mbi vdekjen dhe forcat e errëta të së keqes. Është shpresë që u ofrohet të gjithë atyre njerëzve që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. E Shtuna e Madhe është pra një ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit. Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”. 

Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës. 

Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit Hyjnor, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën. 

Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arsyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin. E tani të përshkruajmë e të përshkojmë së bashku ritet dhe simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve.                                     

 Liturgjia e dritës

Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si

Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë. Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm në një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është jeta e Krishtit të Gjall.

Ja me fjalë tjera Shërbesa e Dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës. Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet të veçohen momentet si bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit vijues, pastaj mundë të vihen pesë kokrrat e kemit po kështu në formë kryqi. Prej zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur.

Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni, ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te altari: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin.

Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmban pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet; d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika e bletëve. Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon shërbesa e fjalës. 

Liturgjia e Fjalës

Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.

Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet.

Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit.
Deri tek Ungjilli, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme.

Ja me fjalë tjera Shërbesa e Fjalës  së Zotit: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet. Për shërbesën e fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mundë të reduktohen në më së paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë). Pas leximit të fundit të BV dhe lutjes meshtari këndon Lavdi… Vijon lutja dhe leximi i letrës nga Besëlidhja e Re. Kur ky  përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe Homelia apo komenti i leximeve biblike.

Liturgjia e Pagëzimit

Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori. Ja me fjalë tjera Shërbesa e Pagëzimit:: Sakrament ky përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe nëse ka katekumen ( kandidat të rritur për pagëzim apo fëmijë) bëhet paraqitja dhe e nunave, e  pastaj kremtohet pagëzimi i tyre.  Nëse nuk ka asnjë  kandidat për pagëzim, bashkësia e besimtarëve ftohet në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. E  pastaj bëhet përtëritja e premtimeve të pagëzimit, e më këtë rast nuk thuhet Besojma.

Liturgjia Eukaristike

Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falënderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqendrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por së bashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajëve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon Atin së bashku me Birin”.

Ja me fjalë tjera Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e gjakun e Krishtit të Gjallë. Shërbesa Eukaristike është kulmi i këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: me praninë e Krishtin të Gjallë kalojmë nga vdekja në jetë të vërtetë. Kremtimi i Meshës vazhdon si rëndomtë me lutjet përkatëse e të përshtatshme të kësaj të Kremte, sipas Mesharit Romak. Kremtimi i Natës së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. 

Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: buka e të Ngjallurit për bashkësinë e vet. 

Ta lusim, prandaj Zotin, në këtë orë të pagjumë, të na mbushë plot me gëzimin e dritës së Tij!
e ta lusim që edhe ne të bëhemi mbartës të dritës së Krishtit të Ngjallur;
e që përmes Kishës, shkëlqimi i fytyrës së Krishtit, të hyjë në jetën e botës!

Audio Embed Programi radiofonik kushtuar Natës së Shenjtë të Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit
11 prill 2020, 17:08