Kisha e Shëlbuesit - Pekin Kisha e Shëlbuesit - Pekin 

“La Civiltà Cattolica” flet tani edhe gjuhën kineze

Nismë e revistës së jezuitëve. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, uron që “La Civiltà Cattolica” në gjuhën kineze të jetë “mjet për pasurimin kulturor e shkencor për të gjithë njerëzit, që kërkojnë bukurinë e të vërtetën”, duke synuar një “qytetërim autentik me dialog të hapur e me paqe të qëndrueshme ndërmjet gjithë popujve”.

R.SH. - Vatikan

Revista e njohur e jezuitëve, “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), tani, flet edhe në gjuhën kineze. Me rastin e 170-vjetorit të saj, kjo revistë fillon një edicion të ri në kinezçen e thjeshtuar (公教 文明, Gōngjiào wénmíng), duke e quajtur këtë hap një “gjest miqësie në frymën e atë Matteo Ricci-t”, që “merr parasysh rolin që luan sot kjo gjuhë në kontekstin global”. Adresa e faqes është https://www.gjwm.org. Faqja e internetit është e ndarë në 4 seksione: Lajmet (新闻), Bota (观 世界), Reflektimi i krishterë (基督教 文化 研究) dhe Kultura (文化 及 评论). E lidhur me faqen është edhe rrjeti shoqëror WeChat i revistës, kodi i identifikimit i së cilës është gjwm1850.

Nisma e re shihet pozitivisht nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili, në një letër për revistën, uron që ajo të shërbejë “për të shkruar faqe të reja, fryt i takimit miqësor me traditën e pasur të popullit kinez”. Kardinali përmend fjalët e Papës Françesku për shkrimtarët e “La Civiltà Cattolica”, duke kujtuar se “detyra e tyre kryesore është ndërtimi i urave dhe vendosja e dialogut me gjithë njerëzit, jo vetëm me besimtarët, por edhe me ata që, megjithëse nuk e pranojnë fenë e krishterë, kanë respekt të veçantë për vlerat më të larta njerëzore”. Kardinali Parolin uron që versioni kinez i revistës “të bëhet mjet i fuqishëm për pasurimin kulturor e shkencor të gjithë njerëzve, në kërkim të bukurisë e të së vërtetës”, duke synuar bashkëpunimin për ndërtimin e një “qytetërimi autentik me dialog të hapur e me paqe të qëndrueshme ndërmjet gjithë popujve të botës”.

Në faqen e internetit të edicionit të parë në gjuhën kineze, do të botohen artikuj mbi marrëveshjen ndërmjet Kinës dhe Selisë së Shenjtë e mbi perspektivat e saj; një artikull mbi katolicizmin në Kinë në shekullin XXI, një reflektim mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës në Kinë e disa “rrugë për azhurnimin” e Kishës Katolike në këtë vend. Përkrah artikujve do të jenë të pranishëm edhe pesë lajme aktualiteti.

20 prill 2020, 11:05