Kërko

 Risurrezione Risurrezione 

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë vjet Pashkët

Nga redaksia shqipe e Vatican News – Radio Vatikanit, për Shumë Vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

R.SH. - Vatikan

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

për shumë vjet Pashkët  nga redaksia shqipe e Vatican News – Radio Vatikanit, tё gjithё ju vëllezër e motra, miq e dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit.

Krishti u Ngjall! Paqja e të Ngjallurit qoftë me ju!

Nё festёn e Pashkёve kremtojmë misterin e madh, themelin e fesë e të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekuri në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Lajmin që engjëjt i dhanë Marisë nga Magdala dhe grave që kishin rendur tek varri në agimin e ditës së parë pas së shtunës, e dëgjojmë edhe sot me emocion: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është këtu! Është ngjallur!”. (Lk. 24, 5-6).

Nuk është e vështirë të përfytyrojmë çka ndjenë atë çast këto gra: trishtim e tronditje për vdekjen e Zotit të tyre, mosbesim e habi për faktin aq të jashtëzakonshëm e aq të vështirë për t’u besuar. Gjithsesi varri ishte i hapur, i zbrazët: trupi nuk ishte më aty. Pjetri e Gjoni, të njoftuar nga gratë, vrapuan tek varri dhe vërtetuan se ato kishin të drejtë. Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, ishte vënë në provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa Jezusi arrestohej, dënohej e vdiste, ata qenë shpërndarë, ndërsa tani ishin përsëri bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë i Ngjalluri erdhi t’i takonte e t’u shuante etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi erdhi, u ndal midis tyre e u tha: “Paqja qoftë me ju!”. (Gjn 20,19)

Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm: Po, Zoti e përmbushi premtimin që na pati bërë; vërtetë u ngjall e ne e pamë dhe e prekëm! Kështu thanë Apostujt, por Toma vijoi të dyshonte e të ngurronte. Kur Jezusi erdhi për herë të dytë, tetë ditë më pas, në Çenakull, i tha: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim e mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Përgjigja e Apostullit është besojmë prekëse feje: “Zotëria im e Hyji im!”. (Gjn 20, 27-28).

“Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën personale të fesë sonё së bashku me Tomën. Si urim për Pashkët e këtij viti, menduam të zgjedhim pikërisht fjalët e kёtij apostulli, sepse njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se me këtë Apostull mund të davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë, nё çdo njeri dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të Tij të amshuar shëlbues.

Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit e na çon drejt zbulimit të fytyrës së tij të vërtetë: fytyrës së një Zoti i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Toma mori nga Zoti Jezus e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Një fe që gati-gati kishte vdekur e që rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.

“Nga plagët e tij jeni shëruar” (1 Pt. 2,24) – është ky lajmi që u jepte Pjetri atyre që u kthyen të parët në fenë e Krishtit. Këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, sepse shenja të dukshme të falimentimit të Jezusit, po këto plagë u bënë, në takimin me të Ngjallurin, prova të një dashurie ngadhënjimtare. Këto plagë që Krishti i mori për dashurinë tonë, na ndihmojnë të kuptojmë kush është Zoti e të përsërisim edhe ne: “Zotëria im e Hyji im!”. Vetëm një Zot që do aq shumë, sa të marrë mbi vete plagët e dhimbjet tona njerëzore, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!

Miq e dëgjues të nderuar të Vatikan News - Radio Vatikanit, përmes plagëve të Krishtit të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja. «Ashtu si ju kam dashur unë – u tha Apostujve para se të vdiste - ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! » (Gjn. 13, 34).

Vëllezër e motra në fe, që na  shoqëroni e dëgjoni nga të katër anët e Tokës ! Krishti i ngjallur është i gjallë mes nesh, është Ai shpresa për një ardhmëri më të mirë. Ndërsa me Shën Tomën themi : « Zoti im e Hyji im ! », të jehojë në zemrën tonë fjala e ëmbël, por impenjative e Zotit : «Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im » (Gjn 12,26). E edhe ne, të bashkuar me Të, të gatshëm për të shkrirë jetën për vëllezërit tanë (cfr. 1Gjn 3,16), bëhemi apostuj të paqes, lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja, gëzimit të Ngjalljes. Na e nxjerrtë nga Zoti hirin e kësaj dhurate Pashkësh Maria, Nëna e Krishtit të ngjallur. 

Nga redaksia shqipe e Vatican News – Radio Vatikanit, tё gjithё ju për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

11 prill 2020, 22:45