2018.11.30 Visita card. Sandri in Terra Santa 2018.11.30 Visita card. Sandri in Terra Santa 

Kardinali Sandri: Lëmoshët për Tokën Shenjte do të mblidhen më 13 shtator

Prefekti i Kongregatës për Kishat lindore shpjegon arsyet që e shtynë Papën për ndryshimin e datës: data e re është shenjë solidariteti për bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme dhe strukturat e tyre, si spitalet e shkollat. Pa ndihmat e mbledhura të Premten e Madhe, e me pandeminë, që vijon të krijojë një situatë të rëndë, do të ishte një vuajtje më shumë.

R.SH. - Vatikan

Në botën gjysëm të paralizuar nga coronavirusi, disa zona kanë vështirësi shumë më  të mëdha sesa të tjerat, posaçërisht ato që u bllokuan për shkak të rrethanave të krijuara nga sëmundja. Ndërmjet tyre, duhen kujtuar bashkësitë e krishtera të Tokës Shenjte që, sipas një njoftimi të Kongregatës për Kishat Lindore, jetojnë në kushte tejet të vështira e mbështeten çdo vit nga solidariteti i besimtarëve të mbarë botës, që të mund ta vijojnë praninë e tyre ungjillore si dhe të mbajnë në këmbë shkollat e strukturat asistenciale, të hapura për gjithë qytetarët për edukimin njerëzor, bashkëjetesën paqësore dhe kujdesin, posaçërisht për më të vegjlit e më të varfrit!

Kisha është gjithnjë shumë pranë këtyre bashkësive, posaçërisht në prag të Pashkëve, me Lëmoshët e së Premtes së Madhe, siç quhen ofertat që mblidhen këto ditë nëpër Kishat e botës, për t’i ndihmuar bashkësitë e këtyre vendeve. Sivjet, me që masat për ndalimin e pandemisë e pengojnë kremtimin normal të Riteve të Javës së Madhe, Papa Françesku, nënvizohet në komunikatë, e miratoi propozimin  që Lëshoshët për Tokën Shenjte për vitin 2020, të mblidhen më 13 shtator, në prag të Festës së Lartimit të Kryqit, që përkujton rigjetjen e Relikes së Kryqit nga Shën Elena.

Kardinali Sandri  e shpjegon këtë ndryshim  me frazën e parë  që shkroi për t’i ftuar të gjithë  në mbledhjen eLëmoshëve të së Premtes së Madhe 2020, cituar nga mendimet e Pascal:“Jezusi do të jetë në agoni deri në fund të fundit të botës, nuk duhet të flemë gjatë kësaj kohe!”. Domethënë, nuk duhet të harrojmë se Toka Shenjte po rijeton agoninë e Kryqit! Së bashku me gjithë Lindjen e Mesme, me të gjitha vendet, me të cilat merret Kongregata për Kishat Lindore, që po pësojnë rëndë nga pandemia. E kjo do të thotë se nevojat  po bëhen gjithnjë më dramatike në këto vende, në këto bashkësi të krishtera, të cilat Kongregata përpiqet  t‘u shtrijë dorën për t’i ndihmuar sa më shumë e më mirë që mundet.

Por, pse u zgjodh data 13 shtator
Papa vendosi ta zhvendosë mbledhjen e  lëmoshëve të dielën më afër 13 shtatorit, pikërisht sepse në këtë kohë kremtohet Lartimi i Kryqit, për të mos e harruar vuajtjen e Kishave e të vendeve të Lindjes së Mesme dhe të gjitha Kishave lindore, që u vunë në një provë edhe më të rëndë nga pandemia, e cila sot po trondit thellë mbarë botën.

03 prill 2020, 17:15