Kardinali George Pell del nga burgu Kardinali George Pell del nga burgu 

Kardinali Pell, i pafajshëm për të gjitha akuzat: vendim unanim i gjykatësve

Shtatë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Australiane hodhën poshtë aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, e cila e pati dënuar kardinalin George Pell për abuzim ndaj të miturve, pasi ka një mundësi të arsyeshme që ky krim të mos jetë kryer. Kardinali theksoi edhe një herë se është i pafajshëm: tani është i lirë.

R.SH. - Vatikan

Gjykata e Lartë e Australisë hodhi poshtë të gjitha akuzat kundër kardinalit George Pell, i cili po vuante një dënim 6-vjeçar për abuzim seksual ndaj të miturve. U përmbys kështu vendimi i Gjykatës së Apelit, dhënë në gusht të vitit të kaluar e u konfirmua vendimi i Gjykatës se Melburnit, marrë në dhjetor 2018. Kardinali 78-vjeçar, kryeipeshkëv nderi i Sidnejt dhe ish-prefekt i Sekretariatit tw Selisë së Shenjtë për Ekonominë, ka deklaruar gjithnjë se është i pafajshëm. Tani, është i lirë: sot paradite doli nga burgu Barwon, për të shkuar në një institut fetar afër Melburnit.

Mund të dënohej një i pafajshëm

Shtatë gjyqtarët e lartë australianë e morën vendimin unanimisht me motivacionin se ka një mundësi të arsyeshme që krimi të mos jetë kryer, prandaj ka një mundësi jo të vogël që të dënohet një person i pafajshëm.

Pell: procesi nuk është referendum kundër Kishës

 Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kardinali George Pell nënvizoi se e ka deklaruar gjithnjë pafajësinë e tij dhe se tani, padrejtësia që i bënë është korrigjuar. Gjithashtu, pohoi se nuk i mban mëri djalit, që e akuzoi: një ministrant i katedrales së Melburnit në vitet ’90. Procesi, theksoi më pas, nuk ishte referendum kundër Kishës Katolike dhe as referendum për mënyrën e trajtimit të krimit të pedofilisë nga autoritetet e Kishës në Australi. “Çështja ishte nëse unë i kam kryer këto krime të tmerrshme apo jo e unë nuk i kam kryer”. Kardinali uroi që lirimi i tij të mos shkaktojë dhimbje të mëtejshme. “E vetmja bazë për shërimin afatgjatë [nga fenomeni i pedofilisë] - tha ai - është e vërteta; baza e vetme për drejtësinë është e vërteta, sepse drejtësi do të thotë të dalë në pah e vërteta për të gjithë”. Kardinali Pell falënderoi avokatët e tij dhe të gjithë ata, që u lutën për të, e ndihmuan dhe e ngushëlluan në këtë periudhë të vështirë.

Deklarata e Konferencës Ipeshkvnore Australiane

 Në emër të Konferencës Ipeshkvnore Australiane, kryetari i saj, kryeipeshkvi Mark Coleridge, pranoi se vendimi i Gjykatës së Lartë do të mirëpritet nga ata, që besojnë në pafajësinë e kardinalit, ndërsa do të jetë shkatërrimtar për të tjerët. Prandaj, theksoi impenjimin e palëkundur të Kishës për sigurinë e fëmijëve dhe për t’u dhënë përgjigjet e duhura të mbijetuarve dhe viktimave të abuzimit seksual të të miturve.

Selia e Shenjtë ka respektuar autoritetet gjyqësore

Në gjithë këtë çështje, Selia e Shenjtë i ka pasur gjithnjë parasysh vendimet e gjyqtarëve australianë, duke treguar respekt të madh për autoritetet gjyqësore të çdo shkalle gjykimi, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme të procesit. Duke kujtuar në deklarata të ndryshme se kardinali gjithmonë është deklaruar i pafajshëm dhe duke kujtuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur deri në fund, është treguar gjithnjë e afërt me viktimat e abuzimit seksual dhe është impenjuar, përmes autoriteteve kompetente kishtare, të përndjekë ligjërisht anëtarët e klerit, që janë njollosur me këtë krim.

07 prill 2020, 11:47