Kërko

Kryqi i Shën Marçelit në kremtimin e së Dielës së Larit Kryqi i Shën Marçelit në kremtimin e së Dielës së Larit 

Java Shenjte, nën vështrimin e “Kryqit të Mrekullive”

Pasi u vendos në shesh për lutjen e veçantë të Papës Françesku, më 27 mars, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, Kryqi i mrekullive, aq i dashur për banorët e Romës do ta shoqërojë Atin e Shenjtë gjatë gjithë Javës së Madhe të Pashkëve, në të gjitha kremtimet.

R.SH. - Vatikan

Java e Madhe, periudha më e rëndësishme e vitit për të krishterët, fillon në Shën Pjetër, nën vështrimin e Kryqit të kishës romake të Shën Marçelit, vendosur në qendër të altarit të Bazilikës Vatikanase. Është Kryqi i Mrekullive, që shpëtoi nga zjarri i vitit 1519, krejtësisht i padëmtuar dhe u mbajt në procesin disa vite më pas, për të ndalur murtajën, që e kishte kapluar Qytetin e Amshuar, ashtu si koronavirusi sot gjithë botën. Kryqi i drunjtë me Krishtin e Kryqëzuar daton nga fundi i shekullit XIV ka kaluar shpesh nëpër rrugët e Romës. Hera e fundit, para 25 vitesh, kur shën Gjon Pali II e deshi të pranishëm gjatë Ditës së Faljes e të Ndjesës në Jubileun e vitit 2000. Ndërkaq, edhe tani, kur bota është përfshirë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, Papa Françesku vendosi të shkonte në shtegtim në kishën e Shën Marçelit e të lutej para atij të Kryqëzuari. Pastaj, e deshi në Sheshin e Shën Pjetrit, krejtësisht bosh, nga i cili jehoi lutja e fuqishme e Atit të Shenjtë për fundin e pandemisë.

Një restaurim i lehtë

Atë të premte, më 27 mars, binte shi. I Kryqëzuari i kishës së Shën Marçelit ishte aty, bashkë me ipeshkvin e Romës, bashkë me dhjetëra miliona njerëz të lidhur përmes TV, radios dhe internetit e, edhe pse ishte vendosur afër fasadës së Bazilikës, u lag nga shiu i dendur. Ditët e mëvonshme, nëpër televizione e gazeta u tha se kishte pësuar dëme të rënda, por në të vërtetë, ato nuk ishin shqetësuese. E kjo mund të shihej fare qartë dje, gjatë liturgjisë të së Dielës së Larit, me po atë Kryq në qendër. U desh vetëm një restaurim i vogël e restauratorët e Muzeve të Vatikanit, që u morën vesh me autoritetet italiane, janë ekspertë të njohur për këtë. Ndërhyrja ishte thjesht ngjitja e disa pjesëve të vogla, që ishin shkëputur. Disa nga dëmtimet ishin të vjetra, ndërsa disa të tjera ndodhën si rezultat i lëvizjes. Ndërhyrjet e vogla dhe të shpejta e siguruan Kryqin, që është edhe vepër arti, e cila do të kthehet në kishën e Shën Marçelit pas Treditëshit të Pashkëve.

Arti në traditën e krishterë

Në traditën e krishterë, arti dhe bukuria kanë luajtur gjithnjë një rol thelbësor për t’i ndihmuar besimtarët të hyjnë në misterin e Shkrimit Shenjt, të liturgjisë dhe të lutjes. Ky Kryq i veçantë e ka shoqëruar historinë e Qytetit të Amshuar, duke marrë mbi vete dhimbjet, lutjet, shpresën dhe përshpirtërinë e atyre, që janë gjunjëzuar para tij. Prandaj ishte i pranishëm para Sheshit të Shën Pjetrit bosh, më 27 mars e, tani, edhe brenda në Bazilikë, pasi liturgjitë e Pashkëve do të kremtohen nën vështrimin e tij, nën vështrimin e dhembshur të të Kryqëzuarit. Shumë e shumë njerëz në gjithë botën, në këtë çast të vështirë, kur pandemia e koronavirusit ka marrë më se 50 mijë jetë njerëzish, ia besojnë lutjet e tyre Krishtit, duke e kuptuar më së miri ç’do të thotë t’i ngulësh sytë në Kryqin e Mrekullive.

06 prill 2020, 11:53