Kërko

CUsersstefano.anellaDesktopAnziani15-10-2016 Associazione Nazionale Lavoratori Anziani (9).jpg

Gjysma e viktimave të pandemisë, në Qendrat për të Moshuar. Turkson: “Bashkësi do të thotë të kujdesh për tjetrin”

50% e viktimave të koronavirusit në Evropë banonte në struktura për të moshuar. Në janarin e këtij viti, Papa pati kujtuar se “pleqëria është privilegj, jo sëmundje”. Koment i kardinalit Peter Turkon, prefekt i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Tragjedi e paimagjinueshme: kështu e quan drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge. Në kontinent, gjysma e viktimave të pandemisë Covid-19 banonin në struktura për të moshuarit. Shifër, që aktualisht, i afrohet 50 mijëshit. “Kemi nevojë urgjente dhe të menjëhershme të rimendojmë mënyrën e funksionimit të shtëpive për të moshuar, sot dhe gjatë muajve në vazhdim” shton Kluge, duke theksuar se “njerëzit, që punojnë në ato ambiente - shpesh të mbingarkuar dhe të pambrojtur si duhet - janë ndër heronjtë e kësaj pandemie”. Prandaj, të gjithë janë të thirrur të mendojnë sërish për gjendjen e të moshuarve, sidomos për vendet dhe njerëzit me të cilët i kalojnë ditët. Kisha ka qenë gjithnjë tejet e vëmendshme për këto çështje.

Turkson: “Të rinjtë kanë përgjegjësi për të moshuarit”

 Solidariteti ndërmjet brezave është domosdoshmëri në çdo kulturë dhe në çdo popull, por “të rinjtë nuk janë gjithmonë në shërbim të të moshuarve në bashkësi, megjithëse kjo normë duhet të vlejë gjithnjë, është detyrë, që nuk mund të mos plotësohet, pasi të rinjtë janë në këtë botë, sepse janë të moshuarit”, që u kanë bërë kokën. Është kardinali Peter Turkon, që e thekson disa herë këtë, në një intervistë me Vatikan News. Prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor kujton se si në të kaluarën, edhe në bashkësitë afrikane, - tradicionalisht, më komunitare - kujdesi për të moshuarit ishte më i madh se tani. Reflektimi i tij fillon nga vetë natyra e njeriut, “krijesë e brishtë dhe e papërsosur”, “ligështia e të cilit, megjithatë - nënvizon ai - nuk duhet kuptuar pa tjetër si diçka negative”. Kjo gjendje manifestohet edhe në gjithçka “arrin të realizojë njeriu, përfshirë gjërat, që kanë të bëjë me kujdesin dhe sistemin shëndetësor”. “Teknologjia - nxjerr në pah prefekti - na bëri të ndihemi të plotfuqishëm, por përballë kësaj emegjence pandemie, edhe vendet më të pasura janë detyruar të merren me gjëra të vogla, siç është mungesa e maskave”.

Të moshuarit duhen vlerësuar

Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor përqendrohet më pas, në thelbin e bashkësisë, “që bëhet e gjallë - thekson ai - nga prania e dikujt, i cili di të kujdeset për tjetrin”. “Të moshuarit duhet të vlerësohen, siç ka thënë shpesh Papa Françesku”, nënvizon kardinali, duke shtuar se mirënjohja dhe solidariteti ndaj tyre nuk duhet të mungojnë kurrë. “Të mos harrojmë pastaj, një ligështi tjetër: ka ideologji të ndryshme - pohon kardinali - që ndikojnë në mënyrën e jetesës e që, në një farë kuptimi, kufizojnë lindjet, duke krijuar situata, në të cilat të moshuarve u mungojnë gjithnjë të rinjtë, që kujdesen për ta. Në shumicën e shtëpive për të moshuarit, nuk janë të rinj – të themi - ata, që kujdesen për ta, edhe pse kjo është detyrë”.

Fjalët dhe ndjenjat

          Fjalët e kardinalit Turkson nxisin një reflektim edhe për termat e përdorura. Shtëpia, nëse përpiqemi ta imagjinojmë, është vendi ku jemi rritur në fëmijëri dhe, është pa dyshim ajo pjesë e vogël e botës, ku kemi ndërtuar jetën. Ka shumë njerëz, që vendosin ta kalojnë pjesën e fundit të saj në një strukturë, sepse janë vetëm, ose thjesht duan t’i jetojnë vitet e fundit të jetës në bashkësi. Por, shumë të tjerë nuk kanë alternativa e shpesh, edhe kundër dëshirës së tyre, jetojnë në realitete, që vështirë se mund t’i quajnë “shtëpi”. Me këtë, kardinali nuk dëshiron ta zhvlerësojë punën e çmuar dhe të lavdërueshme të atyre që, në këto struktura, u kushtojnë çdo ditë të gjitha energjitë e tyre të moshuarve. Jo rrallë, këta punonjës janë pikat e vetme, ose pothuajse të vetme të referimit – madje, edhe në nivelin emocional - për miliona burra dhe gra në çdo anë të botës. Synohet një reflektim më i gjerë mbi të moshuarit e shekullit XXI. Vetëm pak muaj më parë, Papa Françesku pohoi: “Të jesh i moshuar është privilegj. Pleqëria nuk është sëmundje”.

Të moshuarit janë dëshmitarë të privilegjuar të dashurisë së Zotit

 “Vetmia mund të jetë sëmundje, por me dashuri, me afërsi dhe me ngushëllim shpirtëror mund ta shërojmë”, tha Ati i Shenjtë më 31 janar, në takimin me pjesëmrrësit në Kongresin e parë ndërkombëtar të Baritorisë për të moshuarit në Vatikan, me temë “Pasuria e viteve”. Kur mendojmë për të moshuarit, vërejti Françesku, duhet të ndryshojmë kohën e foljeve. “Nuk ekziston vetëm koha e shkuar, sikur të moshuarit të kishin pas shpine vetëm një jetë të kaluar e një arkiv të mykur”. “Zoti - shpjegoi Papa - mund dhe dëshiron të shkruajë me ta edhe faqe të reja, faqe shenjtërie, shërbimi, lutjeje”. Edhe të moshuarit “janë e tashmja dhe e ardhmja e Kishës”. “Plani shëlbues i Zotit – pohoi sërish Papa – zbatohet edhe në varfërinë e trupave të brishtë, të shterpët e të pafuqishëm. Nga barku shterpë i Sarës dhe nga trupi njëqindvjeçar i Abrahamit lindi Populli i zgjedhur. Nga Elizabeta dhe nga Zakaria plak, lindi Gjon Pagëzuesi. I moshuari, edhe kur është i brishtë, mund të bëhet mjet i historisë së shëlbimit”.

Bota dhe Evropa

 Të dhënat dramatike, publikuar dje, kanë të bëjnë me kontinentin evropian. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se aktualisht, qytetarët evropianë kanë moshën më të lartë mesatare në botë, 43 vjeç, dhjetë më shumë në krahasim me 33 vjetët e Amerikës dhe Oqeanisë, sigurisht, më e lartë edhe se mosha mesatare 31 vjeç e Azisë dhe ajo 18 vjeç e kontinentit afrikan. Për më tepër, jetëgjatësia në Evropë - siç raportohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2018 – e ka kapërcyer atë të kontinenteve të tjera, megjithëse vendi në krye të këtij klasifikimi mbetet Japonia, me 84 vjet.

24 prill 2020, 20:26