Kërko

Vatican News
AIF - Autoriteti i Informacionit Financiar AIF - Autoriteti i Informacionit Financiar  (Vatican Media)

Giuseppe Schlitzer është drejtori i ri i AIF-it

Kardinali Pietro Parolin bën emërime, që rinovojnë drejtimin e Autoritetit vatikanas të Informacionit Financiar.

R.SH. - Vatikan

Giuseppe Schlitzer është drejtori i ri i AIF-it, Autoritetit të Informacionit Financiar të Selisë së Shenjtë për luftën kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit. I emëruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, Schlitzer zëvendëson Tommaso Di Ruzza-n, i cili përfundoi mandatin e tij 5-vjeçar, më 20 janar.

I diplomuar në Ekonomi në Universitetin “Federico II” të Napolit, është specializuar, gjithnjë në ekonomi, në SHBA-të, në Universitetin e Çikagos dhe në Universitetin George Washington. Profesor i Financave Ndërkombëtare në LIUC - Universiteti Cattaneo - i Castellanza-s, ai është autor i eseve të shumta për makroekonominë dhe financat, për parashikimet ekonomike, qeverisjen dhe etikën e biznesit.

Ka kryer detyra të ndryshme në Bankën e Italisë - ku aktualisht ishte Këshilltar Censor në filialen e Qendrës Donato Menichella - Fondi Monetar Ndërkombëtar në Uashington D.C., Confindustria dhe Federata Abi-ANIA. Ka qenë Këshilltar Delegat i AITEC, Shoqata tekniko-ekonomike e çimentos.

Zv.drejtori i AIF-it është Federico Antellini Russo

Kardinali Parolin emëroi edhe zv.drejtorin e AIF-it. Ai do të jetë Federico Antellini Russo, i cili shërben në organin financiar të Vatikanit që nga viti 2015. Është diplomuar në ekonomi politike në Universitetin italian LUISS Guido Carli dhe më pas, ka qenë pedagog në këtë universitet. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Antellini Russo ka qenë ekonomist i departamentit të Kërkimit dhe Zhvillimit në Consip (qendra e administratës publike italiane për blerjet), ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2015, ka punuar në Shërbimin Kërkimor e Studimor të “Cassa Depositi e Prestiti”.

Këto dy emërime, plotësojnë drejtimin e AIF-it, në krah të presidentit, sicilianit Carmelo Barbagallo, ish-funksionar i përgjithshëm në rolin e këshillimit të nivelit të lartë për drejtorinë e Bankës së Italisë, në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe financiare dhe në atë të marrëdhënieve me “Single Supervisory Mechanism”. I emëruar nga Papa në nëntor 2019, Barbagallo deklaroi menjëherë se frymëzohej nga vlerat themelore të korrektësisë dhe transparencës së lëvizjeve financiare të Selisë së Shenjtë.

15 prill 2020, 17:22