Sheshi i Shën Pjetrit Sheshi i Shën Pjetrit  

Falënderim i Selisë së Shenjtë për ndihmat, dërguar nga kinezët

Drejtori i Sallës së Shtypit Bruni: “Duke vlerësuar shumë gjestin bujar, i shprehim mirënjohjen ipeshkvijve dhe besimtarëve katolikë, institucioneve dhe gjithë qytetarëve kinezë për nismën e tyre humanitare.

R. SH. Vatikan

Falënderim kinezëve, për ndihmat kundër epidemisë, ardhur nga Kina. E shprehu drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni:

“Në këto ditë, nga Kina, posaçërisht përmes organizatave të Red Cross Society dhe Hebei Jinde Charities Foundation, në farmacinë e Vatikanit  arritën furnizime sanitare, si shprehje e solidaritetit të popullit kinez dhe bashkësisë katolike për ata, që impenjohen në ndihmë të njerëzve të prekur nga Covid-19 e në parandalimin e epidemisë së coronavirusit, në vijim. Selia e Shenjtë - përfundon Bruni -  e vlerëson gjestin bujar dhe u shpreh mirënjohjen ipeshkvijve dhe besimtarëve katolikë, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve kinezë për këtë nismë humanitare, duke i siguruar për nderimin dhe  lutjet e Atit të Shenjtë”.

Agjencia Fides pati njoftuar, pak ditë më parë, se një pjesë  e ndihmave iu dërguan, përmes farmacisë së Vatikanit, Zyrës së baritorisë shëndetësore të Vikariatit të Romës (10mijë maska të modelit N95, më se 500 mijë maska të njëpërdorimshme, 27 mijë doreza kirurgjike, 8 mijë tuta e 6 mijë syze mbrojtëse). Ndihma të tjera, me shumicë, të të njëjtave mjete  shëndetësore, iu dërguan dioqezës së Maceratës, poliklinikës Agostino Gemelli dhe spitalit fushor të Shoqatës kombëtare të alpinëve. Ngarkesa e fillestare arriti në Itali dy javë më parë: në atë rast mjetet e mbrojtjes u morën në dorëzim e edhe u shpërndanë nga Karitasi ambrozian, në territorin e kryedioqezës së Milanos e në Lombardi, epiqendër e epidemisë.

 

09 prill 2020, 15:20