Kërko

20171107_Exultet, Angelica turba coelorum, 1060-70, Montecassino, BAV, Vat. Lat. 3784, Vaticano_ANGELO CUSTODE 2.jpeg 20171107_Exultet, Angelica turba coelorum, 1060-70, Montecassino, BAV, Vat. Lat. 3784, Vaticano_ANGELO CUSTODE 2.jpeg  (@ BAV Vat. lat. 3784)

'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve

“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!/ Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurt/ e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës! / Ti, Fjalë e gjallë e Atit, / jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë/ kuptimin e vërtetë të jetës së tyre./ Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun/ e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.

R.SH. - Vatikan

E Shtuna e Madhe: 'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve:

O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshëm se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe. 

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha 
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.

Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:

“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne! 
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurt
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe. 

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re. 

“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.

11 prill 2020, 19:11