Kërko

Kishë, në kohë koronavirusi Kishë, në kohë koronavirusi  Editorial

Emergjenca e pandemisë dhe nostalgjia e bashkësive me mish e gjak

Homelia e Papës në Shën Martë: “Familjariteti i të krishterëve me Zotin është gjithnjë komunitar. Është personal, por në bashkësi. Familjariteti pa bashkësinë, pa bukën, pa Kishën, pa popullin, pa sakramentet, është i rrezikshëm”.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

          “Familjariteti pa bashkësinë, pa bukën, pa Kishën, pa popullin, pa sakramentet, është i rrezikshëm”. Në homelinë e meshës së mëngjesit në Shën Martë, takim që shoqëron e  ngushëllon miliona njerëz në këto kohë izolimi të detyruar dhe i ndihmon bashkësitë ta ruajnë unitetin, Françesku foli për rrezikun e një feje, jetuar në mënyrë tejet intime. Reflektimi i Papës filloi nga tregimi i Ungjillit sipas Gjonit: Jezusi pret dishepujt në bregun e liqenit të Tiberiadit, rri me ta dhe ha së bashku me ta peshkun e pjekur mbi thëngjij. Është një familjaritet, që realizohet përmes qëndrimit rreth tryezës, duke folur së bashku.

          Ajo e të krishterit, shpjegoi Françesku, është “familjaritet i përditshëm me Zotin”, si ajo e njeriut, që ulet në tryezë për të ngrënë mëngjes e për të folur natyrshëm për gjithçka ka për zemër. Një familjaritet, që është gjithnjë komunitar, megjithëse është edhe personal e intim. Sepse familjariteti pa bashkësinë, pa marrëdhëniet njerëzore, pa ndarjen e bukës, pa sakramentet, ka rrezik të bëhet “gnostik”, jetëshkurtër. Pra, të reduktohet në “një familjaritet vetëm për mua, larg nga populli i Zotit”. Ndërsa ajo, që provuan apostujt me Jezusin, ishte gjithnjë një familjaritet bashkësie, jetuar në tryezë, shenjë e bashkësisë, “me Sakramentin, me bukën”.

          Izolimi i detyruar i këtyre kohëve, për shkak të pandemisë, pamundësia për të marrë pjesë në kremtimin e Eukaristisë në këtë gjendje emergjence, nuk duhet të bartë në vetvete edhe rrezikun që të mësohemi e të jetojmë një fe intimiste. Sot, miliona njerëz lidhen përmes mass mediave, duke u përpjekur ta jetojnë kështu përkatësinë e tyre në një bashkësi, mblidhen bashkë para ekranit, por nuk janë bashkë fizikisht. Natyrisht, është një mënyrë e domosdoshme në këtë çast, e vetmja mundësi në këtë emergjencë, që të gjithë shpresojmë të përfundojë sa më shpejt.

          Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se Kisha, Sakramentet, populli i Zotit janë konkretë. Familjariteti i përjetuar përmes mjeteve të komunikimit është ndihmë e sot, përfaqëson një mënyrë për “të dalë nga tuneli, jo për të mbetur në të”, shpjegon Papa. Prandaj, Françesku na fton të mos e konsiderojmë normale këtë mënyrë, pavarësisht se po i ngushëllon njerëzit gjatë javëve të fundit, duke i mbështetur në vetmi e në sprovë. Vërtet, të krishterët bëjnë pjesë në një bashkësi, në popullin e Zotit. Njerëz me mish e gjak, që thyejnë bukën, dëgjojnë Fjalën e Zotit, bëjnë bamirësi dhe i kumtojnë njëri-tjetrit gëzimin e Ungjillit, përmes dëshmisë së jetës dhe afërsisë konkrete. Popull, që di të shfrytëzojë me krijimtari të gjitha mundësitë, që i japin teknologjitë e reja për t’u lidhur e për të arritur tek njerëzit e vetmuar, gjithnjë, në pritje që, kur të jetë e mundur, të bashkohet fizikisht rreth sofrës eukaristike. Popull, që ndihet përditë i shoqëruar nga Papa e që i sheh me mirënjohje meshtarët, rregulltarët dhe vullnetarët e shumtë, të cilët, këtyre ditëve, kanë gjetur mënyra për t’u qëndruar konkretisht pranë atyre, që po vdesin, të sëmurëve, të mënjanuarve, madje, duke vënë në rrezik edhe jetën e, jo në pak raste, duke e flijuar atë.

17 prill 2020, 18:16