Kërko

 Filipine: meshtari duke dhënë Kungimin Filipine: meshtari duke dhënë Kungimin 

Ditari i krizës: “Kthesë”

Artikulli i katërt i “Ditarit të krizës”, shkruar nga atë Lombardi. Pandemia është edhe thirrje për kthesë, për të krishterët, por edhe për të gjithë njerëzit.

R. SH. - Vatikan

Federico Lombardi

Shumë nga ne kanë qenë ndonjëherë të sëmurë seriozisht, ose kanë pasur frikë se mund të jenë kështu. Nëse nuk u pushtuam nga paniku, jetuam një periudhë, që na la gjurmë në shpirt, zakonisht në mënyrë pozitive. Kuptuam se sendet e projektet, që na dukeshin tepër të rëndësishme, në fund të fundit ishin kalimtare e relative. Se ka gjëra, që kalojnë e gjëra, që mbeten. U bëmë, sidomos, më të vetëdijshëm për brishtësinë tonë. E ndjemë vetveten të vegjël, përballë botës e përballë misterit të Zotit. E kuptuam se fati ynë është vetëm pjesërisht në duart tona, edhe pse mjekësia e shkenca bëjnë mrekullira. Siç na kujton një fjalë e urtë, e  lashtë, u bëmë më të përvuajtur. E edhe u lutëm më shumë, u bëmë më të ndjeshëm e më të vëmendshëm në lidhjet me të tjerët, e vlerësuam më shumë vëmendjen e tyre si dhe afërsinë njerëzore e shpirtërore.

Më pas, veç, kur na  u kthyen pak nga pak forcat e rreziku i madh kaloi,  dalëngadalë këto sjellje u zbehën e u ribëmë pak a shumë, ashtu siç ishim më parë: të sigurt në vetvete, të shqetësuar vetëm për planet tona e kënaqësitë tona të menjëhershme, më pak të vëmendshëm ndaj delikatesës së marrëdhënieve tona….  e lutja, nga kryet e vendit, kaloi rishtas në skaj të jetës. Për disa aspekte, duhet të pranojmë se kur zumë krevatin, ishim më të mirë e se, kur u forcuam përsëri, e harruam shumë shpejt Zotin!

Pandemia është sëmundje e përhapur, që po e jetojmë të gjithë. Është përvojë e përbashkët, me një brishtësi të madhe e të papritur. I vë seriozisht në diskutim shumë aspekte të jetës sonë e të botës sonë, që ne i mendonim si të patundshme. E kjo shkakton shumë vuajtje e trazira. Por, është  thjesht një gjë e keqe, apo edhe një rast?

Në predikimin e Gjon Pagëzuesit  e në atë të Jezusit, është një fjalë, që përsëritet shpesh e me forcë të veçantë: “Kthesë!”. Nuk është ndonjë fjalë që e duam. Na vë në pikëpyetje e na frikëson, ngaqë e marrim me mend se nuk është gjë e parrezikshme. Gjatë gjithë kohës së Kreshmëve - që u shoqërua me ngjarjen e pandemisë që në fillim, gjë e jashtëzakonshme për jetën tonë të krishterë -  e dëgjuam dhe e ridëgjuam  ftesën për t’u penduar, për të bërë kthesë, ridëgjuam lutjet e mëdha pendestare të Besëlidhjes së Vjetër (Esterin, Zakarinë… ) e thirrjet e profetëve, të cilët  i panë mënxyrat dhe vuajtjet e popullit, si thirrje të fortë për t’u penduar e për t’u rikthyer tek Zoti…. Po ne nuk duhet t’i shikojmë fatkeqësitë e botës, nga të cilat po e pëson shumëkush, si ndëshkim, që vjen nga një Zot hakmarrës, por nuk duhet as të jemi aq të çiltër e të cekët, sa të mos i kuptojmë përgjegjësitë njerëzore në ngjarjet që ndodhin e të mos kujtohemi se historia e njerëzimit është e përlyer që në zanafillë me pasojat e mëkatit. Nëse nuk do të ishte kështu, Jezusi nuk do të kishte nevojë të vdiste, për të na prirë përsëri drejt Zotit!

Shpejt a vonë kjo pandemi do të kalojë. Çmimi është shumë i lartë. Por do të kalojë. Të gjithë presim me ngut të kalojë sa më parë, gjë që e dëshirojmë me gjithë shpirt. Duam të rifillojmë, ta rinisim udhën. Eshtë e drejtë: solidariteti na detyron të shpresojmë se të ligshtit nuk do të vuajnë më. Shpresa na nxit të shikojmë përpara e bamirësia duhet të jetë veprimtare. Por, a thua kemi bërë sadopak kthesë? A jemi penduar ndopak, apo do të rifillojmë menjëherë ecjen në të njëjtat rrugë, ku ecnim më parë?

Përgjigjen mund ta gjejmë në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, që u përgjigjet  pyetjeve të mëdha të ardhmërisë së njerëzimit. Duhet të pranojmë se jemi krijesa, se bota nuk është jona, por na u dhurua e nuk mund ta sundojmë e ta shfrytëzojmë sipas  dëshirës sonë. Nëse jo, do ta shkatërrojmë atë, e me të, edhe vetveten. Vetëm mbi bazën e përvujtërisë më të madhe para Zotit, arsyeja e shkenca mund të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë. Duam të nisemi ngutshëm. Të themi se shumë gjëra do të ndryshojnë. Ndoshta mendojmë se kemi nxënë shumë mësime - kush e di - në sistemin shëndetësor e shkollor, në dixhitalen e në mundësitë e reja, që krijojnë…. Edhe shkenca mjekësore do të bëjë hapa të tjera përpara… E për më tepër, mendojmë për përgjigje në terma kryesisht teknike, me rezultate më të mëdha e me racionalitet më organizativ.

Mirëpo pandemia është edhe thirrje për kthesë shpirtërore më në thellësi. Thirrje për besimtarët e krishterë, e jo vetëm për ta, por edhe për të gjithë njerëzit, që mbeten krijesa të Zotit, edhe kur nuk e kujtojnë këtë. Pa harruar se një jetë më e mirë në shtëpinë tonë të përbashkët, në paqe me krijesat, me veten, me të tjerët, me Zotin, jetë e pasur me kuptim, rikërkon kthesë!  

25 prill 2020, 11:57