Kërko

Afërsi me të moshuarit Afërsi me të moshuarit 

Dikasteri për Laikët ngre zërin për të moshuarit: në vetmi, koronavirusi vret më shumë

Jeta e një të moshuari ka të njëjtën vlerë si të tjerat, prandaj duhen bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të shpëtuar edhe ata me moshë të shtyrë nga pandemia e koronavirusit. Kështu shkruhet në një mesazh të Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, ku përmenden në veçanti ata që banojnë në struktura për të moshuar.

R.SH. - Vatikan

Covid-19 nuk i mban hatër askujt: të pasur e të varfër, njerëz të rëndësishëm në shoqëri e qytetarë të zakonshëm, në çdo vend të botës, po infektohen vazhdimisht nga koronavirusi, por, pa dyshim, më të prekurit nga pandemia janë të moshuarit. Për shembull, në Itali, mbi 80% e viktimave janë mbi 70 vjeç. Ditët e fundit, mendimet dhe lutjet e Papës Françesku i lartohen shpesh Zotit për të moshuarit, vlerën e të cilëve për familjet e bashkësitë e ka theksuar gjithmonë.

Dikasteri i Vatikanit ngre zërin për të moshuarit

Sot, Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën u kushton vëmendje të re të moshuarve me një mesazh, që u kujton të gjithëve detyrën e afërsisë së veçantë me secilin prej tyre, por bën thirrje edhe për vetëdijësimin e mobilizimin e administratave dhe të gjithë atyre, që në këtë çast, duhet të marrin vendime të rëndësishme për të mirën e shoqërisë. “Të dashur motra dhe vëllezër, - shkruhet në mesazh - në zemër të kësaj ‘stuhie të papritur dhe të furishme, kuptuam - siç na kujtoi Papa Françesku - se jemi në të njëjtën barkë’. Brenda ka edhe të moshuar. Si gjithë të tjerët, ata ndihen të ligshtë dhe të çorientuar”. E pastaj: “Atyre u shkon sot mendimi ynë i shqetësuar dhe mirënjohës, për t’ua kthyer qoftë edhe pak atë butësi, me të cilën secili prej nesh është shoqëruar në jetë e, për t’u çuar secilit prej tyre përkëdheljen amnore të Kishës”.

Sëmundja e vetmisë

“Nëse është e vërtetë – lexohet më tej në tekst - se koronavirusi është më vdekjeprurës kur infekton një trup të ligshtuar, në shumë raste, patologjia e mëparshme është vetmia. Nuk është rastësi, që, në përmasa dhe në mënyra të tmerrshme, jemi dëshmitarë të vdekjes të shumë njerëzve, që jetojnë larg familjeve, në kushte vetmie, vërtet ligshtuese dhe shkurajuese”. Dikasteri i Vatikanit kërkon të bëhet “gjithçka është e mundur për ta ndrequr këtë gjendje”. Në pamundësi për të shkuar e për t’i takuar njerëzit aty ku jetojnë, po lindin ide të reja dhe Kisha po gjen forma të reja afërsie, siç janë telefonatat, videomesazhet, por edhe letrat. Nëpër famulli, janë aktivizuar shumë vullnetarë për t’u çuar ushqime dhe ilaçe atyre, që nuk mund të dalin nga shtëpia, ndërsa shumë meshtarë “vazhdojnë t’i vizitojnë shtëpitë për të shpërndarë sakramentet”. Por, kjo nuk mjafton. Prandaj, Dikasteri fton të bëhet më shumë, me vetëdijen e “vlerës së paçmuar të çdo jete njerëzore”. Për të moshuarit mund të lutemi, të krijojmë rrjete solidariteti, të mobilizojmë energji të reja.

Jeta e të moshuarve vlen sa të tjerat

Kronika jep çdo ditë lajme dramatike për gjendjen e njerëzve në moshë të thyer, të cilët jetojnë në struktura rezidenciale, shtëpi për të moshuar, ose për kujdes afatgjatë. Në këto vende, mijëra vetë kanë humbur jetën, gjatë kësaj periudhe. Në mesazh pranohet se arsyet janë të shumta, si përqendrimi i shumë njerëzve në të njëjtin vend, vështirësitë në marrjen e masave të nevojshme parandaluese, por e gjithë kjo, denoncon Dikasteri, është pasojë e “një braktisjeje asistenciale dhe terapeutike, që vjen nga larg”. Fjalët e mesazhit bëhen kërkuese: “Megjithë ndërlikimet e situatës që përjetojmë – lexohet në të - është e nevojshme të sqarohet se shpëtimi i jetës së të moshuarve, që jetojnë në struktura rezidenciale, ose janë vetëm a të sëmurë, është përparësi po aq sa për jetën e të tjerëve”.

Ende mund të merren masat e duhura

Thirrja e Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën është e qartë: “Në vendet ku pandemia ka ende përmasa të kufizuara, është akoma e mundur të merren masa parandaluese për t’i mbrojtur të moshuarit; në ato vende ku gjendja është më dramatike, duhet të merren masa për të gjetur zgjidhje emergjence”. Së fundi, mesazhi kujton me mirënjohje dashurinë dhe kujdesin e shumë fëmijëve, nipërve dhe mbesave, të shumë asistentëve shëndetësorë dhe të vullnetarëve, në gjestet e të cilëve rijeton dhembshuria e grave, që shkuan në varrin e Krishtit, për t’u kujdesur për trupin e Tij. Mesazhi përfundon me ftesën për t’u bashkuar të gjithë “në lutje për gjyshërit dhe për të moshuarit e gjithë botës” e, me kërkesën që, kur është e mundur, të veprohet për të mos i lënë vetëm.

07 prill 2020, 15:23