Kërko

2020.04.10 Adorazione della Croce 2020.04.10 Adorazione della Croce 

Cantalamessa: Zoti është aleati ynë, jo i virusit, tani bota të bëhet më njerëzore

“Unë kam plane paqeje, jo pikëllimi”- na rikujtoi Zoti përmes homelisë së Atë Raniero Cantalamess-ës, gjatë kremtimit të Mundimeve të Krishtit të së Premtes së Madhe, kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, pasuar nga “Udha e Kryqit”, në treme.

R.SH. - Vatikan

Kryqi i Krishtit e ndërroi kuptimin historisë dhe të vuajtjes njerëzore. Të çdo vuajtjeje: fizike e morale. Vuajtja nuk është më dënim! Nuk është mallkim - nënvizoi predikatari papnor gjatë kremtimit të Mundimeve të Zotit të së Premtes së Madhe, në praninë e Papës - U shpërblye deri në rrënjë, qysh kur i Biri i Zotit e mori mbi vete”. E shpjegoi At Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, në kremtimin e Mundimeve të Zotit tonё Jezu Krisht, kryesuar pnё ora 18.00  nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, nё Vatikan, "pa pjesёmarrje tё besimtarёve  siç kishte ndodhi edhe dje, për Meshën " in Coena Domini", nё fillimin e Treditёshit të Pashkëve

“Unë kam plane paqeje, jo pikëllimi”- këtë na rikujtoi sonte Zoti, përmes homelisë së predikatarit papnor, Atë Raniero Cantalamessa, gjatë kremtimit të Mundimeve të Krishtit të së Premtes së Madhe, kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të vijuar, më pas, me Udhën e Kryqit, në tremen e Bazilikës, pa praninë e besimtarëve.

Natë kryqi, që do të mbetet në histori

Natë kryqi, për mbarë botën. Natë, që do të mbetet në histori, kjo e sontmja: Nata e Mundimeve të Zotit e nata e mundimeve të njerëzimit, të ngujuar brenda vetes e brenda shtëpisë së vet nga e keqja, që e kërcënon! E për këtë të keqe foli edhe predikatari kapuçin, duke kujtuar se mund ta shikojmë duke u nisur nga dy këndvështrime të ndryshme; nga shkaqet ose nga pasojat. Nëse ndalemi tek shkaqet historike të vdekjes së Jezusit, ngatërrohemi keqas e secili nesh tundohet të thotë, çka pati thënë Pilati: “Unë jam i pafaj për gjakun e tij, që po derdhet” (Mt 27,24). Po kryqi kuptohet më mirë nga pasojat, sesa nga shkaqet. E cilat ishin pasojat e vdekjes së Krishtit? Prej besimit në Të u bëmë më të drejtë, u pajtuam e jemi në paqe me Zotin, të mbushur plot me shpresë  në jetën e pasosur!

Kryqi i Krishtit e ndërroi kuptimin  historisë

Kryqi i Krishtit e ndërroi kuptimin historisë dhe të vuajtjes njerëzore. Të çdo vuajtjeje: fizike e morale. Vuajtja nuk është më dënim! Nuk është mallkim - nënvizoi predikatari papnor gjatë kremtimit të Mundimeve të Zotit të së Premtes së Madhe, në praninë e Papës - U shpërblye deri në rrënjë, qysh kur i Biri i Zotit e mori mbi vete. E cila është prova, që na siguron se pija e ofruar nga ndokush nuk është e helmatisur? Si mund të bindesh se nuk po pi vdekjen tënde? Bindesh atëhere kur tjetri pi, para teje, nga e njëjta kupë! Kështu bëri Zoti: mbi kryq Ai e piu me fund, përballë botës, kelkun e dhimbjes, deri në pikën e fundit. Na vërtetoi, kështu, se nuk ishte i helmatisur, por se në fundin e kupës është një margaritar!

Cantalamessa: Zoti është aleati ynë, jo i virusit

E - shtoi predikatari i shtëpisë papnore - piu jo vetëm kelkun e dhimbjes së njeriut me fe të gjallë, por të çdo dhimbjeje njerëzore. Sepse Ai vdiq për të gjithë. “Kur të lartohem nga toka - pati thënë - do t’i tërheq të gjithë pas meje” (Gjn 12,32). Të gjithë. Jo vetëm disa! Falë Kryqit të Krishtit,  edhe vuajtja, në mënyrën e vet, u bë “sakrament universal i shëlbimit për gjininë njerëzore” .

Por - vijoi predikatari kapuçin, në bazilikën për herë të parë të zbrazët, ndërsa besimtarët e mbarë botës e ndiqnin përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit - ç’dritë lëshon e gjithë kjo mbi situatën në të cilën po jetojmë? Edhe këtu, më shumë se shkaqet,  duhet të shikojmë pasojat. E jo negativet, të cilat i mësojmë çdo ditë nga lajmet  e trishta, por edhe ato pozitive, që vetëm një vështrim më i vëmendshëm mund t’i kapë, mes gjithë këtij mjerimi.

Pandemia e coronavisit - nënvizoi më tej predikatari Cantalamessa - na zgjoi befas, nësa ishim në rrezik. Rrezikoheshim nga mendimi se jemi të gjithëpushtetshëm. Mjaftoi elementi më i vocërr e më i paformë i natyrës, një grimcë virus, për të na kujtuar se jemi të vdekshëm e se forca ushtarake  dhe teknologjia nuk po mjaftokan për të na shpëtuar. “ Njeriu, që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim - thotë një Psalm i Biblës (Ps 49,21), është njëlloj si kafshët që zhduken”. Sa të vërteta  këto fjalë!

Shëmbëlltyra e piktorit dhe e pikturës!

Ndërsa pikturonte afresket e Katedrales së Shën Palit në Londër, piktori James Thornhill, duke soditur afreskun, që kish realizuar, në një farë pike  u entuziazmua aq sa, duke lëvizur për ta shijuar më mirë, nuk u kujtua  fare se po rrëzohej nga skela e lartë. Ndihmësi i tij, i tmerruar nga kjo pamje, e kuptoi se mjaftonte një britmë e vetme, për ta shpejtuar rrokullisjen vdekjeprurëse. Pa menduar dy herë, mori penelin dhe e shkarraviti kryeveprën. Mjeshtri, duke e parë ç’po bënte, i tërbuar, u vërsul drejt tij. Kryevepra u dëmtua rëndë, po piktori  shpëtoi!

Kështu bën nganjëherë Zoti me ne

Kështu bën nganjëherë edhe Zoti me ne! Na i ngatërron planet tona e paqen tonë, për të na shpëtuar nga gremina, që e kemi para këmbëve, por nuk e shohim. Por, kujdes! Mos u gënjeni - tërhoqi vëmendjen predikatari papnor, nga Bazilika e zbrazët. - Nuk ishte Zoti ai, që e shkarraviti afreskun e qytetërimit tonë krenar teknologjik me coronavisun! Zoti është aleati ynë, jo i virusit. “Unë kam plane paqeje, jo pikëllimi”-  thotë në faqet e Biblës. (Jer 29,11). Po të ishin ndëshkimet e Zotit, nuk do të mund të shpjegohej pse godasin njëlloj të mirë e të këqij e pse, zakonisht, janë të varfërit ata, që i pësojnë pasojat më të rënda. Thua janë më mëkatarë se të tjerët?

Thua Hyji Atë e deshi vdekjen e të Birit mbi kryq?

Thua Hyji Atë e deshi vdekjen e të Birit mbi kryq, që të nxirrte prej saj të mirën? Ai deshi vetëm të lejonte që liria njerëzore të ndiqte rrugën e vet, duke e mbështetur planin e Tij, jo të njerëzve! Kjo vlen edhe për  fatkeqësitë natyrore, tërmetet dhe epidemitë. Nuk i shkakton Zoti! Ai i dha edhe natyrës një farë lirie, cilësisht të ndryshme, sigurisht, nga liria morale e njeriut, por gjithnjë një formë lirie. Lirinë për t’u zhvilluar sipas ligjeve të Tij të zhvillimit! Nuk e krijoi botën si një sahat, që programohet deri në lëvizjen e  tij më të vogël. Është ajo, që disa e quajnë rastësi, ndërsa Bibla: “urtia e Zotit”.

Ta ngremë zërin kah Zoti!

Fjala e Zotit na kujton edhe gjënë e parë që duhet të bëjmë në çaste të vështira, si ky që po kalojmë: Ta çojmë në kupë të qiellit zërin kah Zoti. Ai vetë i vë në buzët tona fjalët, që duhet t’i themi. Bërtit pra,: “Ngreju, o Zot, na ndihmo! Na shpëto, pash mëshirën tënde! Mos na  harro? Zot, thua nuk merakosesh fare duke na parë si po marrim fund?”.

E sidomos, t’i ngremë sytë nga Ai, që “u lartua” për ne mbi kryq, për ne e për gjithë gjininë njerëzore. “Kush e shikon me fe, nuk vdes kurrë!”.

10 prill 2020, 20:30