Kërko

Atë Cantalamessa: Maria, Nënë e Kishës, mësuese në udhët e Zotit

Predikimi i katërt i Kreshmëve për Papën e Kurien Romake, edhe sot i regjistruar nga predikatari, atë Raniero Cantalamessa, në Kapelën e Pallatit Apostolik “Nëna e Shëlbuesit”. Tema e predikimit: “Maria është Nënë e të krishterëve e Nënë e Kishës”.

R. SH. - Vatikan

Në përkim me fjalët e shqiptuara sot paradite nga Papa në Meshën,  kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Atë Cantalamessa ia kushtoi meditimin e sotëm Marisë, parë si Nënë e Kishës dhe e gjithë besimtarëve. Në qendër, komenti i fjalëve, që Jezusi ia drejtoi Nënës së Tij,  tek këmbët e Kryqit: “Grua, ja yt bir”, pasuar nga fjalët drejtuar Gjonit, dishepullit, që e shoqëronte në atë vend aq tragjik: “Ja nëna jote!”.  Që nga ky çast - na kujton Ungjilli, dishepulli e mori Marinë me vete.

Amësia shpirtërore e Marisë

Nëse në Lajmërimin e Marisë kundrohet Nëna e Zotit - kujtoi ati kapuçin-  Maria shikohet edhe si Nënë e të gjithë njerëzve, që besojnë në Krishtin. Po cila është ngjashmëria e cili ndryshimi ndërmjet këtyre dy amësive? Në rastin e parë bëhet fjalë për amësi reale, në të dytin, për amësi shpirtërore. Qëllimi i predikmit të sotëm ishte të kundrohej e gjithë pasuria, që përmban titulli “Nënë e besimtarëve”. Lidhur me këtë Atë Cantalamessa  kujtoi se Maria na zu shpirtërisht në kraharorin e saj të virgjër që në çastin e Lajmërimit të Engjëllit, “na mori së bashku me Jezusin”, na pranoi e edhe na lindi, pastaj, duke marrë pjesë në Mundimet e Jezusit mbi Kalvar. Çasti i parë ishte koha e “po”-së së zemrës; poshtë Kryqit, çasti i dhimbjeve të lindjes!

Gjoni përfaqëson të gjithë dishepujt

Fjalët që i thotë Jezusi Marisë: “Grua, ja yt bir” e Gjonit: “Ja Nëna jote”, kanë kryesisht kuptim konkret: Jezusi ia beson Marinë Gjonit e Gjonin, Marisë. Po kjo nuk mjafton për ta kuptuar thellësisht skenën e Kalvarit - pohoi predikatari françekan - për të shpjeguar, më pas se për Gjonin, autor i fragmentit ungjillor për të cilin flitet - çasti i vdekjes së Jezusit, ishte çasti i lumnimit  të Tij, çasti i përmbushjes së plotë të Shkrimeve Shenjte dhe i të gjitha sendeve. Çdo frazë e çdo fjalë në këtë kontekst, ka kuptim të drejtpërdrejt, por edhe, e kryesisht, simbolik! Nënkupton pikërisht  përmbushjen e Shkrimit Shenjt. Fjalët e Jezusit kanë vlerë universale e kishtare: “Dishepulli nuk përfaqëson këtu vetëm Gjonin, por çdo dishepull të Krishtit, domethënë të gjithë dishepujt në rrjedhë kohe. Ata iu besuan Marisë nga Jezusi, nësa ia dorëzonte Shpirtin Atit nga Kryqi, si bij të saj, ashtu si ua dhuroi atyre Marinë si Nënë!

Jezusi e caktoi Marinë Nënë e gjithë të krishterëve

Jezusi nuk u mjaftua ta shpallë Marinë nënë të Gjonit e Gjonin, bir të saj, por edhe e krijoi. E kjo “nuk vjen nga Maria, por nga fjala e Zotit, nuk bazohet mbi meritat, por mbi hirin”. Ne të gjithë u rilindëm nga Fjala e Zotit, e gjallë dhe e amshuar, u lindëm nga Zoti, por edhe nga feja e nga vuajtja e Marisë. E këtu predikatari kujtoi edhe fjalët, që i thoshte për vete Shën Pali Apostull:

“Nëse Pali, që është apostull i Krishtit mund t’u thotë besimtarëve të tij: ‘Jam unë, ai që ju linda në Krishtin, përmes Ungjillit’, aq më tepër mund ta thotë këtë Maria, që është nëna! E kush më shumë se Ajo mund t’i bëjë të sajat fjalët e Apostullit: ‘Bij të mi, që po ju rilind në dhimbje?’. Ajo ‘na lind përsëri  ‘poshtë Kryqit’, sepse na lindi për herë të parë, jo në dhimbje, por në gëzim, kur ia dhuroi botës këtë ‘Fjalë të gjallë e të amshuar’ që është Krishti, në të cilin u rilindëm”.

Në lashtësi Origjeni e mori me mend çka fshihej pas këtij fakti, ndaj shkroi:

“I pari, që u bë bir i Marisë në Ungjijtë, ishte Gjoni, gjë që nuk mund ta kuptojë kush nuk e mbështeti kokën mbi kraharorin e Jezusit  e nuk e pranoi Marinë si nënën e vet”.

03 prill 2020, 13:43