Vangelo del giorno discepoli di Emmaus Cristo Risorto Vangelo del giorno discepoli di Emmaus Cristo Risorto 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve ‘A’

Të rizbulojmë në Jezusin, shokun e udhës për gjithë jetën tonë, të vetmin që di të ndezë ndër zemra ngrohtësinë e fesë e të shpresës, e cila nganjëherë shuhet nga fryma e keqe, që nuk mungon të fryjë mbi jetën njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 3-të të Kohës së Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve ‘A’

Feja pashkore gjen ushqimin dhe zhvillimin e vet në bashkësinë e besimtarëve të mbledhur nga Shpirti Shenjt për kremtimin e Eukaristisë, do të thotë të falenderimit e lavdërimit të Zotit, duke hapur zemrat për dëgjimin e Fjalës së Hyjit dhe për ndarjen, së bashku, të Bukës së jetës.

Leximi Parë nga Veprat e Apostujve na ofron dëshminë e parë të Pjetrit. Pasi ka marr Shpirtin Shenjt, Pjetri, shpjegon para njerëzve të Izraelit domethënien e ngjarjeve pashkore të Krishtit.

Leximi Dytë nga Letra Parë e Pjetrit na ofron dëshminë e dytë të Pjetrit. Mëson ti shohim veprat e mëdha të Zotit të realizuara në Jezu Krishtin e vdekur e ngjallur, e po nga këto të nxjerrim mësim për jetën e krishterë.

Ungjilli nga Luka na tregon ngjarjen e Emausit, duke na mësuar ta njohim Krishtin e Gjallë të pranishëm në mesin e të vetëve, të mbledhur në ditën e parë të javës, që shpjegon shkrimet dhe dëftohet në aktin e ndarjes të bukës. Më hollësisht mund të dëgjoni emisionin e sotëm.

Në rrugët e botës, Krishti bëhet një shok i përditshëm udhëtimi për çdo njeri, përmes Eukaristisë, ashtu siç qe edhe për dishepujt e Emausit. Protagonistët e këtij episodi të njohur të Ungjillit sipas Lukës janë në qendër të liturgjisë së Meshës të së Dielës sё Tretë tё Pashkёve. Pikërisht historia e dy dishepujve tё Emausit, e shndritur nga takimi i jashtëzakonshëm me Jezusin e Ngjallur, na ngushëllon e përforcon shpresën nё kёtё kohё tё jashtëzakonshme tё Covid-19.

Shtatë milje në këmbë, krejtësisht të dëshpëruar, ngaqë ëndrra për të ardhmen e Izraelit kishte përfunduar me gjak, në një Kryq mbi Golgotë. Këtë mendonin atë të hënë, Kleofa dhe shoku i tij, emrin e të cilit nuk e njohim, ndërsa linin pas pluhurin e rrugës dhe mijëra fjalë, të zhgënjyer nga ç’i kishte ndodhur Jezusit të premten e mëparshme gjatё udhёs sё kalvarit. Shkonin në shtëpitë e tyre, në fshatin Emaus, kur një njeri bashkohet me ta, në dukje, aq “i huaj”, sa të mos e dinte se tri ditë më parë ishte kryqëzuar padrejtësisht një profet i drejtë. Tё reflektojmë mbi “fytyrën e trishtuar” të dishepujve tё Emausit. Në bisedën e dishepujve me udhëtarin e panjohur të bën përshtypje shprehja që Shën Luka Ungjilltar vendos në gojën e njërit prej tyre: “Ne shpresonim…”.

Ajo folje në kohën e kaluar thotë gjithçka: besonim, e ndoqëm, shpresuam…, por tashmë gjithçka mbaroi. Edhe Jezusi i Nazaretit, që ishte treguar si profet i fuqishëm në vepra e fjalë, dështoi, e ne jemi të zhgënjyer. Kjo dramë e dishepujve të Emausit pasqyron gjendjen e shumë të krishterëve në kohën tonë: duket sikur shpresa e fesë ka dështuar. Vetë feja është në krizë, për shkak të përvojave negative, që na bëjnë të ndihemi të braktisur nga Zoti.

As tregimi i grave, që thonë se janë dukur disa njerëz, sipas të cilëve Jezusi “është gjallë”, nuk i bind dy udhëtarët e Emausit. Dishepujt që shkuan te Varri i Jezusit nuk e panë, thonë ata, duke mos i dhënë rëndësi lajmit të jashtëzakonshëm të Ringjalljes, para realitetit të thatë të varrit të zbrazur. Pas kësaj, në rrugën e Emausit, nis pjesa e dytë e këtij filmi ideal: Krishti u zbulohet dalëngadalë të dyve, së pari, duke folur për veten përmes teksteve të shenjta e pastaj, duke ndarë bukën për dhe me ta. Ky tekst i mrekullueshëm ungjillor përmban strukturën e Meshës Shenjte: në pjesën e parë, dëgjimi i Fjalës përmes Shkrimit të Shenjtë; në të dytën, liturgjia eukaristike dhe bashkimi me Krishtin e pranishëm në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet.

Pastaj Krishti zhduket nga pamja e dy dishepujve të Emausit. Por në Elterin, në të cilin u shndërrua tryeza e tyre e varfër, mbetet shenja e bukës së ndarë e të ofruar, siç ndodh që prej mёse dymijë vjetësh në Kishat e gjithë botës. E kështu, takimi me Krishtin e Gjallë, që është i mundur edhe sot, na dhuron një fe më të thellë e më të vërtetë, të farkëtuar, si të thuash, në flakën e ngjarjeve të Pashkëve; një fe e fortë, sepse ushqehet jo me ide njerëzore, por me Fjalën e Zotit e me praninë e Tij reale në Eukaristi.

Dishepujve tё Emausit u hapen sytë, besojnë e harrojnë dëshpërimin, trishtimi largohet. Tani, të dy ndjejnë brenda një gëzim, që, siç i thonë njëri-tjetrit, ua kishte pushtuar zemrën që në fjalët e para të të panjohurit. Tani është ora e entuziazmit të vetëdijshëm, të lajmit, që duhet çuar në Jeruzalem, pa humbur kohë. Shtatë miljet e rrugës nuk qenë asgjë në kthim, pavarësisht se “u bë natë e dita po mbaron”. Tani pluhuri i sandaleve dhe largësia bëjnë të zhduken pak nga pak shtëpitë e një fshati, që mbetet në historinë e krishterë jo si pikë gjeografike, por si vend shpirtëror.

Lokaliteti i Emausit nuk është gjetur me saktësi. Ka hipoteza të ndryshme e kjo na shtyn të mendojmë se në të vërtetë, Emausi përfaqëson realitetin e çdo vendi: rruga që na çon në të është rruga e çdo të krishteri, madje, e çdo njeriu. Në rrugët tona, Jezusi i Ringjallur bëhet shok udhëtimi, për të rindezur në zemra flakën e fesë e të shpresës dhe për të ndarë bukën e jetës së amshuar.

Të rizbulojmë në Jezusin, shokun e udhës për gjithë jetën tonë, të vetmin që di të ndezë ndër zemra ngrohtësinë e fesë e të shpresës, e cila nganjëherë shuhet nga fryma e keqe, që nuk mungon të fryjë mbi jetën njerëzore. Ky është mësimi qё marrim nga Ungjilli i dishepujve të Emausit, që shpallet në liturgjinë e së Dielës së tretë të Pashkëve.

                                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Vap 2, 14.22-23)

Lexim prej Veprave të Apostujve

Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusin Nazarenas njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini, me anë të tij i bëri ndër ju këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit, ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’
Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, mbasi ishte profet dhe mbasi e dinte se Hyji iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hypte në fronin e tij, qysh më parë e parapau dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbësimin.’
Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori premtimin, Shpirtin Shenjt, dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni edhe ju vetë. Fjala e Zotit !

Psalmi 16 (15)
Ref:
Na e trego, o Zot, udhën e jetës.
______________
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
______________

E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
______________
Mbarë trupi im pushon në qetësi,
sepse s’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
______________

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
______________

Leximi i dytë (1 Pjt 17-21)

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, në qoftë se ju e quani atë Atë që pa krahambajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tija, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!
Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm, argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë.
Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt,
dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja.

Ungjilli (Lk 24, 13-35)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ditën e Pashkëve dy prej nxënësve të Krishtit po shkonin në një fshat që quhet Emaus, që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.
Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni ndër vete udhës?”
Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?”
Ata i përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto, sot është e treta ditë me që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
Ai u tha: “O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën.
Por ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.
Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha. Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëritjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?” U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Fjala e Zotit!

24 prill 2020, 13:10