A. Tornielli.jpg

Tornielli, në kohë koronavirusi: “Informacioni i mirë është gjithnjë e më i nevojshëm”

Që sot, është e mundur të shkarkohet falas “Të fortë në mundime”, libër i botuar nga Lev - me nismën e Dikasterit vatikanas për Komunikimin - për të na ndihmuar të jetojmë së bashku kohën e izolimit të detyruar, për shkak të pandemisë së koronavirusit. “Sidomos në çaste të jashtëzakonshme – deklaron drejtori ynë editorial, Andrea Tornielli, për agjencinë katolike italiane SIR - njerëzit duan të dëgjojnë gjëra thelbësore dhe jo thashetheme. Nevojitet gjithnjë e më shumë informacion i mirë, që krijon rrjet dhe na ndihmon t’i kalojmë çaste, si këto”.

R.SH. - Vatikan

“Një ndihmë e vogël për të gjithë, për ta parë e përjetuar afërsinë dhe butësinë e Zotit, edhe në dhimbje, vuajtje, vetmi e frikë”. Kështu e përcakton Andrea Tornielli, drejtori editorial i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, librin “Të fortë në mundime. Komunikimi i Kishës në kohën e sprovës”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, në një version, që mund të shkarkohet falas edhe disa herë, falë përditësimeve, të cilat do të bëhen “work in progress” deri në fund të pandemisë Covid-19. Kohë kjo, që për Tornielli-n, kërkon “gjithnjë e më shumë informacion të saktë”. “Në vijën e parë të frontit”, siç ishte informacioni i Radio Vatikanit në kohën e Luftës II Botërore, trashëguar edhe nga mediat e sotme të Vatikanit, që këto ditë e kanë ndryshuar palimpsestin e oraret, pasi njerëzit, në kohën e koronavirusit, “duan të dëgjojnë gjëra thelbësore, jo thashetheme”.

“Ideja e këtij libri – deklaron Andrea Tornielli për agjencinë katolike të lajmeve Sir - lindi nga fakti se çasti i vështirë, që po jetojmë, mbart një kërkesë të fuqishme për të kuptuar e për t’u ushqyer shpirtërisht. Kriza na bën të shkojmë në thelbin e gjërave. Por, edhe pse jemi mbyllur brenda shtëpive, duhet ta ndiejmë se jemi bashkësi, se lidhemi në një rrjet. I ndryshuam programet dhe oraret, si në video, ashtu edhe në radio, pikërisht sepse e kuptuam sa nevojë ka për bashkim. Edhe një libër i shkarkueshëm falas, si ai që sapo kemi botuar, mund të na ndihmojë për të zbuluar disa lutje tradicionale të Kishës, për të njohur mënyrën e marrjes së sakramenteve në kohë koronavirusi, për të dëgjuar fjalën e Papës, që na ngushëllon çdo ditë”.

Ati i Shenjtë e kremton çdo ditë meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në lidhje të drejtpërdrejtë në internet, pikërisht përmes Vatican Media. E s’mund të mos kujtojmë lutjen historike të 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit, krejtësisht bosh, por ku u drejtuan sytë e miliona njerëzve e ku u bashkuan shpirtërisht gjithë të krishterët e botës, pavarësisht nga tradita e tyre fetare.

“Në këtë çast, - vijon më tej Andrea Tornielli – është themelore afërsia e Kishës dhe e Papës. Meshët në Shën Martë kremtoheshin edhe më parë, por Ati i Shenjtë deshi t’i shikonin të gjithë e ai e thotë homelinë përditë: kjo nuk ndodhte gjithmonë, më parë. Është një mënyrë për ta shoqëruar popullin e Zotit në këtë periudhë të vështirë. Sigurisht, transmetimi dhe lutja në internet nuk mund të krahasohen me pjesëmarrjen fizike në liturgjinë eukaristike, por janë ngushëllim e shoqërim i çmuar.

Të bën përshtypje kur sheh sa miliona njerëz nuk e humbasin takimin me meshën e orës 7.00, në një kohë të ditës - herët në mëngjes - që i bën ata, që punojnë nga shtëpia, të kenë kohë ta ndjekin. Ndjekja e saj në TV2000 ishte mjaft e madhe, por transmetimi në RaiUno solli edhe më shumë publik, për të mos përmendur flukset në YouTube.

Papa bën përpjekje për të arritur tek njerëzit, me të gjitha mënyrat e mundshme, e për të dhënë një mesazh afërsie dhe shoqërimi, sepse të gjithë jemi në të njëjtën barkë, siç tha ai vetë gjatë lutjes në sheshin bosh".

31 mars 2020, 18:06