Kërko

Kryqi Kryqi  

Predikimi i Kreshmëve. Atë Rupnik: si Maria, jemi të thirrur për kthesë të përhershme

Në Vatikan, predikimi i parë i Kreshmëve për Papën e Kurien Romake, përqendruar tek tema: “Pranë Kryqit të Krishtit ishte Maria”

R. SH. - Vatikan

Sot brezni të tëra përplasen me realitetin, sepse nuk është ai, që e  përfytyronin, që e dëshironin e, prandaj, nuk arrijnë as ta kuptojnë. Ndërsa Maria e pati kuptuar. Maria vijon ta kuptojë “Fjalën në një mënyrë të re”. E pikërisht nga ky kuptim i ri u orientua edhe ati jezuit, Marko Ivan Rupnik, në predikimin e parë të Kreshmëve për Papën dhe Kurien Romake.

“Maria - shpjegoi predikatari - e kupton Fjalën ndryshe”. Kthesa e saj është e përhershme. Ajo sfidohet vazhdimisht nga e reja, e vazhdimisht  e kupton Fjalën në një mënyrë të re. E me këtë risi e kupton edhe realitetin, që e rrethon.

Maria rrinte poshtë Kryqit, sipër të cilit shkruhej “Mbret”. Duke e lexuar, nuk mund të mos e ketë kujtuar Fjalën, që i qe thënë: “Do të jetë mbi fronin e Davidit”. Kryqi është i vetmi vend, mbi të cilin  shkruhej se i Biri është Mbret. E Kryqi është froni, mbi të cilin rri Krishti. Pa Shpirtin Shenjt - shpjegoi ati jezuit - nuk mund të kuptohet dhurata që i bëri Zoti të Birit. Dhurata është Kryqi, e ne lidhemi ngushtë me kryqëzimin! Historia mbarështohet përmes dhuratës së vetvetes, përmes dashurisë - theksoi ati prediktar.

Zoti është dashuri

Në vijim atë Rupnik nënvizoi se pa Shpirtin Shenjt “nuk mund ta kuptojmë se Zoti ekziston me të vërtetë si dashuri”. Dashuri do të thotë “të dhurosh vetveten”. Dashuria realizohet me dhuratën e vetvetes, është gjë tronditëse - shpjegoi - që na kërkon të shkojmë përtej mendësisë sonë. Në Krishtin shikojmë “të vërtetën” e Zotit”. Ta kuptosh Zotin që dhurohet në këtë mënyrë, do të thotë “ta vësh në provë arsyen racionalistike të fesë”. Zoti Atë e qeveris botën dhe historinë përmes Qengjit, dhuratë e vetvetes.

Nga Kreshmët, drejt Triditshit të Pashkëve

Dashuria, e cila në qiell “është lumni absolute”, mbi Tokë është Triditshi i Pashkëve. Prandaj duhet të përgatitemi përmes udhës kreshmore. Sepse prania jonë në histori mund të kuptohet vetëm përmes Triditshit të Pashkëve. E përmes bindjes se çdo dhuratë konsumohet: “Kush dhurohet, e shkrin, nuk e kursen vetevten. Dëshmia, atëhere, është e mundur vetëm falë Shpirtit Shenjt”.

Ta jetosh “dhurimin e vetvetes”

Jetën e jep vetëm Zoti: me Shpirtin Shenjt mund ta dhurojmë jetën si “dhuratë të vetvetes”. Zoti i mbush zemrat tona me dashurinë e Atit. Kjo - përfundoi - është rruga e Kishës në histori. Rrugë Pashkësh! Edhe ne, si Maria “jemi të thirrur për të bërë kthesë, gjithnjë! Për të parë se historia vijon sipas Provanisë. E se Zoti “ duket në këtë botë përmes pranisë sonë”.

06 mars 2020, 14:42