Kërko

Papa Piu XII Papa Piu XII 

Piu XII në epokën dixhitale, disa fletë nga Arkivi

Ndër dokumentet e Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet, që mund të konsultohen në format elektronik, edhe fashikujt mbi “Hebrenjtë”, me 4 mijë emra: historia e Liebman, roli i romancierit Waugh. E Ottaviani jepte çertifikata të rreme për të persekutuarit.

R.SH. - Vatikan

Arkivi Historik i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit (ASRS) ruan dokumentet e Kongregatës për Çështjet e Jashtëzakonshme Kishtare (fondi AA.EE.SS.) dhe ato të Këshillit për Punët Publike të Kishës. Në panoramën e arkivave të Selisë së Shenjtë, për shkak të natyrës së tij “politike”, që e lidh drejtpërdrejt me nunciaturat, qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare, ky arkiv zgjon shumë kuriozitet, për shkak të ngjarjeve, të ashtuquajtura “të nxehta”.

Dixhitalizimi i arkivit

         Papnia e Piut XII (1939-1958) përshkoi një periudhë vendimtare në historinë e shekullit XX, e cila shkon nga Lufta e Dytë Botërore në Luftën e Ftohtë, një periudhë njëzet vjeçare, karakterizuar edhe nga shumëfishimi i marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe dhe nga lindja e realiteteve gjithnjë e më të rëndësishme ndërkombëtare. Korrespondenca zyrtare e periudhës së luftës, e ruajtur në këtë Arkiv Historik, është botuar tashmë në vëllimet “Actes e Documents de la Seconde Guerre mondiale”, përgatitur, me urdhër të Papës Pali VI, nga katër jezuitë: Graham, Schneider, Martini dhe Blet. Por sot - 2 mars 2020, data e hapjes së arkivave të Papës Piu XII, që deri tani mbaheshin sekret - këto karta mund të konsultohen edhe në internet, pasi më se 1.300.000 dokumente janë dixhitalizuar. E vijon akoma procesi për dixhitalizimin e 700 mijë dokumenteve të tjera.

         Salla e re Piu XII, në kullën historike Torre Borgia, në Vatikan, është pajisur me kompjuter për konsultimin virtual. Çdo ditë do të lejohen deri në 20 studiues, të cilët mund t’i konsultojnë arkivat njëkohësisht e më shpejt se në rastin e konsultimit fizik të dokumenteve. Përveç kartave, që pasqyrojnë veprimtari të veçanta të Selisë së Shenjtë gjatë Luftës II Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, ka edhe dokumente të tjera, lidhur me çështje të ndryshme të asaj periudhe dhe me veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Atit të Shenjtë.

Seria “Hebrenjtë”: Kristeller e Liebman

         Ndër seritë arkivore tradicionale, që dallohen nga emri i kombit, të cilit i referohen, të bie në sy seria me emrin “Hebrenjtë” - 170 fashikuj, ku përmbahet historia e rreth 4000 emrave. Ndër ta, del në pah një shumicë kërkesash për ndihmë nga katolikët me origjinë hebraike, por nuk mungojnë edhe emrat hebrenj. Nganjëherë ka personazhe, që s’i pret, si studiuesi i ri i shkencave humane, Paul Oskar Kristeller, me famë botërore,  i cili iu drejtua Selisë së Shenjtë për të ikur nga Evropa në SHBA-të, pavarësisht se nuk tregohet me çfarë impenjimi e nisi Vatikani për në Amerikë, duke e ndihmuar të arratisej.

         Por edhe Tullio Liebman, që konsiderohet themeluesi i “Shkollës procesualistike të São Paulo”, i cili, pas Luftës, u bë profesor me famë botërore në Universitetet e Pavies, të Torinos dhe të Milanos. U ndihmua nga Vatikani e, falë angazhimit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Piut XII, gjeti rrugën e vet të ikjes për në Amerikën e Jugut. Do të duhet kohë për të rindërtuar atmosferën dhe ambientin e kohës kur u bënë gjithë këto manovra. Ndërkohë, studiuesit mund të hapin seri të tjera, si për shembull, “Italia 1352b”, ku gjendet dosja “Akuzat kundër imzot Ottaviani-t, që u ka dhënë dokumente fallco hebrenjve dhe i ka strehuar në ndërtesa ekstraterritoriale”, pra, në ndërtesa që ishin pronë e Vatikanit, ku nuk vlente ligji italian.

Dokumente, ushqime dhe ndihmë praktike për t’u shpëtuar nazistëve

         Përveç kësaj serie shumë të veçantë, pothuajse të gjitha seritë me emërtimin e kombeve përmbajnë karta të tjera me kërkesa të njerëzve të persekutuar, të cilëve u duheshin dokumente, ushqime dhe ndihmë praktike për të shpëtuar nga përhapja sistematike e helmit racist. Dokumentet dëshmojnë përpjekjet e bëra për t’iu përgjigjur lutjeve për shpëtimin e të përndjekurve dhe të nevojtarëve, në rrezik jete, si edhe nxjerrin në pah sa rritej urrejtja e nazizmit ndaj Kishës Katolike dhe vetë Papës. Njëkohësisht, vënë në dukje edhe refuzimin e shumë shteteve për të pritur të ikurit.

Kopje e një dokumenti të Papës Piu XII
Kopje e një dokumenti të Papës Piu XII

Raprezalja kundër hebrenjve të Romës

         Gjatë konsultimit virtual, studiuesit mund të gjejnë edhe ndonjë dokument të ri për ngjarje të veçanta, ose ndonjë anekdotë historike, siç është ajo e 16 tetorit 1943, internimi i hebrenjve të Romës. Letra mallëngjyese drejtuar Papës Piu XII nga disa hebrenj, ndërsa mbaheshin në burg nga SS dhe Gestapo në “Collegium Militare” të Pallatit Salviati në Via della Lungara të Romës është botuar tashmë nga disa autorë (Kühlwein, Riccardi). Vëmendjen e studiuesve mund ta tërheqë fleta me një lajm të agjencisë “Presseservice” (shërbimi i shtypit) të Uashingtonit, që mban datën 20 tetor. Aty informohet se “natën e 15-16 tetorit, një numër i konsiderueshëm hebrenjsh u arrestuan në pjesë të ndryshme të botës STOP pasi ishin mbajtur 24 orë në kolegjin ushtarak u transportuan drejt një destinacioni të panjohur STOP thuhet këtu se Selia e Shenjtë është interesuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten si edhe [është interesuar] në favor të rasteve të veçanta”.

         Në këtë rast, është shënimi në anë të faqes, një ditë më pas, me shkrimin tipik të Papës Pacelli, ai që hap një dritare të re interpretuese: “a është maturi që Presseservice ta dërgojë këtë lajm?”, shkruante Piu XII, i vetëdijshëm se nuk duheshin zgjuar qentë që flinin, sidomos nazistët, për veprat humanitare që niseshin nga Pallati Apostolik. “Jo, vërtet jo” përgjigjej rreptë imzot Tardini, Sekretar i Kongregatës për Çështjet e Jashtëzakonshme Kishtare, duke përvijuar kështu linjën e kujdesit absolut nga ana e Selisë së Shenjtë.

Dokumentet e papritura

         Në mesin e dokumenteve të ndryshme, dalin në pah edhe të papritura. Kush e mendonte se kapiteni anglez Evelyn Waugh, autori i famshëm i romanit  “Brideshead revisited” (Kthimi në Brideshead), ishte jo vetëm një person, që çonte e merrte letra, por edhe burim rekomandimesh për Selinë e Shenjtë rreth gjendjes së Kishës Katolike në Jugosllavinë e pasluftës?

         Për shkak të gjendjes së dhimbshme e të tmerrshme të kohës së luftës, shumë realitete historike të pjesës së dytë të papnisë së Piut XII janë lënë disi në harresë. Ky është rasti i serisë “Italia”, ku gjenden dokumente mbi referendumin për monarkinë, mbi incidente dhe sulme verbale e fizike ndaj klerit, fillimisht nga fashistët e më vonë, pas luftës, edhe nga komunistët. Vihen në dukje edhe kujdesi e impenjimi për rindërtimin e kishave dhe për ruajtjen e trashëgimisë artistike.

Kopje e një dokumenti të Papës Piu XII
Kopje e një dokumenti të Papës Piu XII

Materialet për vendet e Evropës Lindore

         Të rëndësishme, edhe materialet për vendet e Evropës Lindore: paqyrohet shkatërrimi i dioqezave dhe i klerit, nën pushtimin nazist e, edhe pas luftës, nën komunizëm. Të bën përshtypje, në seri të ndryshme, sasia e letrave, që kanë të bëjnë me proceset-farsë kundër hierarkisë kishtare në regjimet sovjetike (kard. Alojzije Stepinac, kard. Josef Beran, kard. József Mindszenty). Por edhe dokumentet, që dëshmojnë përpjekjet e kota të Piut XII për të gjetur një “modus vivendi ’ me këto regjime.

Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me botën

         Seri të tjera arkivore flasin për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë e për gjendjen e Kishës Katolike në Amerikën e Jugut, në Afrikën koloniale e pas kolonializmit, në Lindjen e Mesme e në Azi, si edhe për lindjen e shteteve të reja, si për shembull, Izraeli. Një fond i rëndësishëm është ai që dëshmon për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me organizatat ndërkombëtare. Edhe këtu, studiuesit mund të hasin në dokumente befasuese, siç janë letrat e dosjes OKB të vitit 1944, ku ruhet propozimi i z. Myron Taylor, përfaqësues personal i presidentit Roosevelt, për Shenjtërinë e Tij Papë, që të themelohej një “Lidhje e re e Kombeve”: Organizata Ndërkombëtare për Parandalimin e Luftës - Ruajtjen e Paqes. Gjatë audiencës së 30 gushtit 1944, Taylor pati mundësinë ta informonte Papën Piu XII për këtë projekt. Menjëherë, Ati i Shenjtë i bën të ditur se “Meqë Selia e Shenjtë, për vetë natyrën e misionit të saj të lartë, është thellësisht e interesuar për çdo projekt, i cili mund të çojë përpara kauzën e paqes së qëndrueshme, do t’ju isha vërtet mirënjohës nëse gjeni mundësinë për të më dhënë hollësi të mëtejshme lidhur me natyrën e organizatës së propozuar dhe me planet për aktivizimin dhe zhvillimin e saj”.

         Si përfundim, me mbi një milion dokumente të dixhitalizuara dhe po aq që do të dixhitalizohen shpejt, hapja e arkivit të papnisë së Piut XII do të sigurojë informacione me rëndësi thelbësore, në sasi e cilësi, për botën e studiuesve historiko-shkencorë, si përsa u përket ngjarjeve të panjohura, ashtu edhe përsa i përket konfirmimit të lajmeve dhënë nga burime të tjera. Nuk mbetet, veçse t’u jepet fjala studiuesve të disiplinave nga më të ndryshme, për të nxjerrë në dritë gjithçka mund t’i sqarojë sadopak ngjarjet e kësaj periudhe të ndërlikuar të historisë, me shpresën se temat e Luftës II Botërore – po jo vetëm ato – do të kontribuojnë për të formuar në brezat e rinj kujtesën historike mbi veprimtarinë e Piut XII, rrënjosur në fenë e vërtetë në Krishtin, për mbrojtjen e njerëzimit dhe të qytetërimit.

02 mars 2020, 17:15