Casa Divin Maestro inizio Esercizi Spirituali 2020.03.01 Casa Divin Maestro inizio Esercizi Spirituali 2020.03.01 

Papa ndjek ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, në Ariccia, nga dhoma e tij përmes internetit

Papa ndjek çdo ditë ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, për Kurien Romake, në Ariccia, nga dhoma e tij nëpërmjet internetit. Sot në ditën e katër të Ushtrimeve shpirtërore, at Bovati trajtoi temën: Lufta e lutja, sipas Librit të Daljes; Ungjillit të Mateut dhe Psalmit 134.

R.SH. - Vatikan

Sivjet Papa Françesku merr pjesë në Ushtrimet Shpirtërore, të Kreshmëve për Kurien Romake, nga dhoma e tij në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Nëpërmjet teknologjive të reja Papa lidhet me sivëllezërit tjerë, anëtarët e Kuries Romake, të mbledhur në Ushtrimet Shpirtërore, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, të  cilat sivjet predikohen nga jezuiti at Pietro Bovati. Papa është i ftohur, siç  shpjegoi vetë të dielën e kaluar gjatë lutjes së Engjëllit Tënzot, e për këtë arsye mjekët e këshilluan, këto ditë, të kurohet e të kujdeset më shumë duke ndenjur në shtëpi.

Gjendja gripale e Papës, që dihet se nuk kalon aq shpejt, është në vijim, pa simptoma e pa asnjë shenjë të ndonjë sëmundjeje tjetër. Ndërkaq Papa kremton çdo ditë Meshën në kapelën e shtëpisë së Shën Martës dhe i ndjek prej aty, Ushtrimet shpirtërore, njofton drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.

Kujtojmë se tema e ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve 2020 për Kurien Romake është: “Kaçuba kallej flakë - takimi i Zotit me njeriun, në dritën e Librit të Daljes, të Ungjillit të Mateut dhe të lutjes së Psalmeve”.

Sipas jezuitit at Pietro Bovati, sekretar i Komisionit Papnor Biblik, që i udhëheq meditimet, “tema e ushtrimeve shpirtërore sivjet lidhet me përvojën e Zotit, që paraqitet përmes takimit të Moisiut me kaçubën e kallur flakë dhe me dëgjimin e Fjalës, që del nga kjo kaçubë, nga flakët e saj. Është Flaka, që shndrit jetën e njerëzve e u tregon udhën e jetës. Ushtrimet shpirtërore të ndihmojnë për këtë takim personal të shpirtit me Zotin. Detyra e prijësit shpirtëror është ta favorizojë takimin e secilit prej nesh me Zotin, për ta dëgjuar, në mënyrë personale Fjalën e Tij. Vetëm Ai mund t’i japë secilit këshilla, njëkohësisht, ligjore e ngushëlluese".

Sot në ditën e katër të Ushtrimeve shpirtërore, at Bovati trajtoi temën: Lufta e lutja, sipas Librit të Daljes 17,8-15; Ungjillit të Mateut18,21-35;  dhe Psalmit 134.

05 mars 2020, 12:11