Shteti i Vatikanit Shteti i Vatikanit 

Në Selinë e Shenjtë, lind Drejtoria e Përgjithshme e Personelit

Vazhdon reforma në Vatikan. Me propozimin e Këshillit të Kardinajve dhe të Këshillit të Ekonomisë, Papa themeloi, në gjirin e Sekretarisë së Shtetit, një “kabinë regjie” për koordinimin e burimeve natyrore.

R.SH. - Vatikan

Me propozimin e Këshillit të Kardinajve dhe të Këshillit të Ekonomisë, Papa themeloi “Drejtorinë e Përgjithshme të Personelit”, që do të përgjigjet për të gjithë punonjësit e Dikastereve dhe të Enteve të Selisë së Shenjtë, por edhe për Institutet (si IOR-i), për Fabrikat si ajo e Shën Pjetrit, për Kapitujt, Administratat, Organizmat dhe Fondacinet, që aktualisht nuk i nënshtrohen verifikimit nga qendra. Njoftimin e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Drejtoria e re nuk lind nga hiçi, por është transformim i Zyrës aktuale të Personelit në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit në një organ me kompetenca më të shtrira, pavarësisht se ashtu si më parë, do të punojë nën udhëheqjen e Zëvendësit për Punët e Përgjithshme, të cilit, tani, i takon të caktojë drejtorin. Vendimi, i cili u mor pas një procesi të gjatë reflektimi dhe studimi, është një hap i mëtejshëm në reformën vatikanase të Papës Françesku, të cilën po e vë në jetë me ndihmën e Këshillit të Kardinajve. “Kabina e re e regjisë” së Vatikanit për koordinimin e burimeve njerëzore do të mbajë lidhje të ngushta me Sekretarinë për Ekonominë, me Zyrën e Punës të Selisë Apostolike, me Fondin e Pensioneve, me Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit dhe me Komisionin e pavarur vlerësues për punësimin e personelit laik në Selinë Apostolike (CIVA).

Drejtoria e re “do të vishet me pushtet strategjik, inspektues dhe operativ dhe do të ketë funksione koordinimi, kontrolli dhe mbikqyrjeje; gjithashtu, do të pajiset me të gjitha mjetet për t’iu përgjigjur, në kohën e duhur, kërkesave të ndryshme që do t’i arrijnë”. Kjo Drejtori duhet të jetë në gjendje të përfshijë në të njëjtin organizim gjithë personelin e punësuar në Selinë e Shenjtë dhe në organizmat e lidhura me të. Vendimi i Papës ka rëndësi të madhe për administrimin më të frytshëm të personelit.

06 mars 2020, 13:35