Kërko

Matrimonio Matrimonio 

Martesa kur mungon feja, dokument i Komisionit Teologjik

Teksti merr në shqyrtim reciprocitetin ndërmjet fesë dhe sakramenteve, duke analizuar, në veçanti, pasojat e krizës së këtij raporti në martesën sakramentore. Intervistë me teologun jezuit Gabino Uríbarri Bilbao.

R.SH. - Vatikan

Gjatë pesëvjeçarit të fundit, Komisioni Teologjik Ndërkombëtar është marrë me studimin e thelluar të marrëdhënieve ndërmjet fesë katolike dhe sakramenteve. Ky studim u drejtua nga një nënkomision i veçantë, kryesuar nga atë Gabino Uríbarri Bilbao, teolog jezuit. Diskutimet për këtë temë, nga të cilat ka dalë dokumenti “Reciprociteti ndërmjet Fesë dhe Sakramenteve në ekonominë sakramentore”, vijuan nga viti 2014 deri në vitin 2019. Teksti, i miratuar nga shumica e anëtarëve të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, i është nënshtruar pastaj miratimit të kryetarit të tij, kardinalit Luis F. Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës vatikanase për Doktrinën e Fesë. Papa Françesku dha mendim të favorshëm për të, më 19 dhjetor 2019. Në intervistën tonë, atë Gabino Uríbarri Bilbao shpjegon shkurtimisht përmbajtjen e dokumentit:

         Në Seancën e parë të përgjithshme të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, në dhjetor 2014, u votua që tema e marrëdhënieve ndërmjet “Fesë dhe sakramenteve” të studiohej për gjithë pesëvjeçarin e nëntë të jetës së Komisionit. Harxhuam shumë kohë për të përcaktuar metodologjinë dhe për të gjetur një mënyrë trajtimi të argumentit, për shkak se tematikat e përfshira në të janë mjaft të gjera. U deshën 11 boca para se të arrihej në dokumentin përfundimtar.

         Dokumenti, në pesë kapituj, vë në dukje se reciprociteti ndërmjet fesë e sakramenteve është sot në krizë, në praktikën baritore. Thelbi i tij - kapitulli 2 – qëndron në 3 teza themelore: 1) Zbulesa e Zotit dhe historia e shëlbimit kanë përmbajtje sakramentore, për shkak të rëndësisë maksimale që ka mishërimi i Hyjit; 2) kjo zbulesë sakramentore presupozon komunikimin e hirit hyjnor qenieve njerëzore: pra, është dialogale; 3) prandaj, feja e krishterë, si përgjigje ndaj zbulesës sakramentore, është me karakter sakramentor. Mbi këtë bazë, në kapitullin e tretë shqyrtohen 3 sakramentet e fillimit të jetës së krishterë e, në kapitullin e katërt, martesa. Teksti përfundon me një kapitull sintezë, më të shkurtër, në të cilin rishikohet reciprociteti thelbësor ndërmjet fesë dhe sakramenteve, sipas perspektivës së krishterë.

Reciprociteti ndërmjet fesë dhe sakramenteve është temë e diskutuar për vite me radhë, veçanërisht në lidhje me martesën. Të dy Papët, Benedikti XVI dhe Françesku, kanë shtruar shpesh pyetje në lidhje me vlefshmërinë e shumë martesave të kremtuara në kishë vetëm për zakon apo traditë, por pa fe të vërtetë. Mbi bazën e kësaj, ata e shohin të mundshme rishikimin e disa kriterve, lidhur me proceset e pavlefshmërisë së martesës. Si e sqaron këtë dokumenti?

Jo vetëm Papët Benedikti XVI dhe Françesku. Asambletë sinodale mbi familjen (1980, 2014, 2015) dhe mbi Eukaristinë (2005) kërkuan, me gati 100% të votave, të sqarohet puna e kremtimit të një sakramenti, martesës, kur ata që martohen nuk besojnë në Zotin. Ne përpiqemi ta shohim këtë problem të ndërlikuar nga pikëpamja e teologjisë dogmatike e, ky është hapi i parë. Rregullimi me ligj kanonik i kremtimit dhe i vlefshmërisë së sakramentit të martesës rrjedh nga e vërteta dogmatike e tij. Nëse doktrina që ne propozojmë pranohet, kanonistët duhet të mendojnë për ligjet, që do të zbatohen në proceset e pavlefshmërisë. Pavarësisht nga kjo, dua të theksoj se dokumenti ynë e ka parasysh urtinë, që pasqyrohet në të Drejtën Kanonike, si shkencë kishtare. Pra, ka parasysh faktin se mungesa e fesë mund ta paragjykojë synimin për të kremtuar një martesë sakramentore.

A mund të na shpjegoni pse mungesa e fesë e vë në dyshim vlefshmërinë e martesës sakramentore?

Doktrina Katolike pohon se martesa është një realitet natyror, i cili i përket rendit të krijimit (shih Zan 2,24). Jezu Krishti e lartoi këtë realitet natyror në sakrament. Prandaj, për të pasur martesë sakramentore, duhet të kemi edhe martesë natyrore. Për Kishën, martesa natyrore ka të njëjtat karakteristika si martesa sakramentore. Vetitë e martesës natyrore, të cilat e bëjnë atë të vërtetë, janë njësoj si vetitë e martesës sakramentore. E janë: pazgjidhshmëria, besnikëria dhe lindja e fëmijëve.

Sipas Benediktit XVI, edhe ne nisemi nga fakti se feja përcakton konceptet antropologjike në çdo fushë të jetës, përfshirë ato që i referohen martesës. Pyetja që shtrojmë është nëse mungesa e rëndësishme e fesë, karakteristikë e atyre, që mund të quhen “jo-besimtarë të pagëzuar”, minon kuptimin e tyre për martesën. Sidomos, duke pasur parasysh që, në shumë vende, kuptimi i përbashkët shoqëror i martesës, përfshirë atë të rregulluar me ligj, nuk mbështetet në pazgjidhshmërinë, besnikërinë dhe në lindjen e fëmijëve. Me fjalë të tjera, argumentojmë se në rastin e “jo-besimtarëve të pagëzuar”, synimi për t’u lidhur në një martesë të vërtetë natyrore nuk garantohet. Pa martesë natyrore nuk ka asnjë realitet, që mund të lartohet në martesë sakramentore: pra, nuk ka martesë sakramentore.

Teksti i Komisionit hedh poshtë si automatizmin, sipas të cilit çdo martesë ndërmjet të pagëzuarve është sakrament, ashtu edhe “skepticizmin elitar”, sipas të cilit, çdo lloj niveli i mungesës së fesë do ta bënte të pavlefshëm sakramentin. Cila është rruga më e mirë për t’u përshkuar?

Ne po bëjmë një hap për të sqaruar një çështje, që kërkon thellim të mëtejshëm. Në ritualin e martesës thuhet: “Barinjtë, të udhëhequr nga dashuria e Krishtit, mirëpresin të fejuarit dhe në radhë të parë përtërijnë dhe ushqejnë fenë e tyre: vërtet, sakramenti i martesës e presupozon dhe e kërkon fenë” (Praenotanda § 16). Në Katekizmin e Kishës Katolike, martesa përcaktohet kështu: “Pakti martesor ndërmjet të pagëzuarve, me të cilin burri dhe gruaja bashkohen për gjithë jetën, për nga natyra e vet, në të mirë të bashkëshortëve dhe në favor të mbarëvajtjes dhe të edukimit të pasardhësve, është lartuar nga Krishti Zot në dinjitetin e sakramentit” (§ 1601). Kemi një tension të pazgjidhur ndërmjet dy pohimeve: në të parin, feja kërkohet, në tjetrin jo.

Tani, para barinjve të Kishës përvijohet një detyrë delikate që t’i ndihmojnë bashkëshortët e ardhshëm në përforcimin e fesë e në kuptimin e martesës. Mund të lutemi gjithmonë për bashkëshortët, por jo gjithmonë duhet kremtuar riti i martesës. Në dokumentin me titull “Doktrina katolike mbi Sakramentin e Martesës” (1977), Komisioni Teologjik Ndërkombëtar ka pohuar tashmë se mungesa e fesë, e kuptuar si gatishmëri për të besuar, e komprometon vlefshmërinë e sakramentit, veçanërisht nëse nuk ekziston dëshira për Hirin e Tënzot e për shëlbimin (§ 2.3). Shën Gjon Pali II, nga ana e tij, deklaroi: “Kur, pas çdo përpjekjeje, të fejuarit dëshmojnë se e refuzojnë qartë dhe formalisht çka dëshiron të kremtojë Kisha në martesën ndërmjet të pagëzuarve, bariu i shpirtrave nuk mund t’i pranojë ata në kremtim” (Familiaris consortio, 68). U referohemi, natyrisht, rasteve të skajshme: mungesës së plotë të fesë, refuzimit të kuptimit të sakramentit.

Është detyrë e barinjve të Kishës të dallojnë rastet konkrete. Ne synuam të shmangim çdo lloj rastësie. Nëse nuk kuptohet, për shkak të mungesës së fesë, nevoja për t’u lidhur në martesë natyrore, nuk duhet kremtuar riti sakramentor. Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se Kisha e lehtëson shumë sakramentin e martesës, por ka për të një mendim shumë të lartë, me kërkesa të mëdha. Edhe ky është një tension.

Por si mund të matet mungesa e fesë? Duket pak e vështirë…

Matja e fesë nuk është e mundur. Liturgjia thotë: “…fenë e të cilëve, vetëm Ti e ke njohur”. Kjo nuk do të thotë se feja nuk shihet nga jashtë: feja tregohet kur e pranon botërisht, për shembull, ose përmes bamirësisë. Megjithatë, është e mundur të gjykohet synimi i njerëzve. Ne argumentojmë mbi këtë bazë, duke i përshkruar të pagëzuarit jo-besimtarë si fëmijë, që nuk e kanë konfirmuar personalisht fenë e tyre, ose si të pagëzuar që, më pas, e kanë mohuar me vetëdije fenë.

Cilat janë zhvillimet, që sjell dokumenti për sakramentet e fillimit të jetës së krishterë?

Përsa i përket 3 sakramenteve të fillimit të jetës së krishterë, nënvizojmë se marrja e tyre ka gjithnjë një karakter misionar. Nuk merret sakramenti vetëm për vete, por edhe për të tjerët: për ta forcuar Kishën si Korp i Krishtit e për të dëshmuar Jezu Krishtin e Ringjallur. Ngulim këmbë edhe mbi nevojën e katekizmit, si përgatitje për marrjen e sakramentit; mbi kuptimin e hirit, që marrim me anë të sakramentit; dhe mbi nevojën e katekizmit pas marrjes së sakramentit. Nënvizojmë se figura e fesë është e ndryshme për çdo sakrament. Në Pagëzim duhet siguruar prania e elementit dialogal, që karakterizon historinë e shëlbimit dhe marrëdhëniet me Zotin. Kjo nuk krijon probleme për pagëzimin e të rriturve, por për fëmijët, nevojitet prania e prindërve, nunëve, gjyshërve, ndonjë familjari, që garanton edukimin e krishterë të mëvonshëm.

Në rastin e Krezmimit, ngulim këmbë në arritjen e pjekurisë për të hyrë me përgjegjësi në bashkësinë e krishterë. Theksojmë rëndësinë e marrëdhënieve personale me Zotin, përmes lutjes. Eukaristia është sakramenti i fesë për antonomazi. Në të feja ushtrohet dhe ushqehet. Kërkohet të jemi të bindur për Besojmën e fesë dhe të jemi koherent në jetën e krishterë. Nuk duam të krijojmë pengesa për marrjen e sakramenteve. Përkundrazi, duam që dokumenti ta nxisë praktikën dhe baritorinë sakramentore. Ta marrësh seriozisht sakramentalitetin e historisë së shëlbimit, do të thotë të kesh një minimum feje për të mos e shndërruar kremtimin e sakramentit në një ritualizëm bosh, në magji, ose në një lloj feje personale, që nuk përkon me fenë kishtare.

04 mars 2020, 12:11