Krishti në Kryq lagur nga lotët e Qiellit, Papa vetëm në sheshin bosh
R.SH. - Vatikan
Protagonisti lutjes që mbrëmjen e 27 marsit – anticipim i Premtes së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve - Papa Françesku kremtoi në një Shesh të Shën Pjetrit të zbrazët e të zhytur në heshtje joreale, ishte pikërisht Ai. Krishti në Kryq, i Kryqëzuemi, me shiun që binte pareshtur duke lagur trupin e Tij, aq sa t'i shtohet gjakut të pikturuar në kryqin e drurit atë ujë që Ungjilli na thotë se nga gurroi nga plaga e shporuar nga shtiza.
Ai Krisht i Kryqëzuar , i cili i mbijetoi zjarrit, të cilin romakët e mbajtën në procesion kundër murtajës; ai Krisht i Kryqëzuar që shën Gjon Pali II e përqafoi gjatë liturgjisë pendestare të Jubileut të vitit 2000, ishte protagonisti i heshtur dhe i pafuqishëm në qendër të hapësirës bosh. Deri edhe Shën Maria, Salus populi Romani, e vendosur në kutinë e plexglasit, u bë e patejdukshme për shkak të shiut, u dukë sikur sprapsej, madje gati gati zhdukej, përvujtërisht, përpara Tij, Jezu Krishtit lartuar mbi kryq për shpëtimin e njerëzimit.
Imazhe nga lutja e Papës
Papa Françesku u duk i vogël, e edhe më i kërrusur ndërsa ngjitej shkallëve të tremes para Bazilikës së Shën Pjetrit, duke u bë interpretuesi, zëri i dhimbjes së botës për ta ofruar te këmbët e Kryqit " Mësues! A nuk të intereson që po mbytemi?". Kriza e vështirë që po përjetojmë me pandeminë "e tregon fytyrën tonë të brishtë e nxjerr lakuriq ato siguri të rreme dhe të tepërta me të cilat kemi ndërtuar planet tona, projektet tona, zakonet dhe përparësitë tona" dhe "tani ndërsa jemi në stuhinë e detin të tërbuar, të përgjërojmë : Zgjohuni, o Zot!".
Sirena e një ambulance, një nga shumtat që në këto orë kalojnë nëpër lagjet tona për të shpëtuar të infektuarit e rinj, e shoqëroi së bashku me këmbana momentin e bekimit Eukaristik Urbi e Orbi, kur Papa, ende i vetëm, u rishfaq në Sheshin e shkretuar e të fshikulluar nga shiu, bënte Shenjën e Kryqit me të Shenjtueshmin Sakrament. E, akoma, Protagonisti ishte Ai, që duke u flijuar, deshi të bëhej ushqim, shujtë për ne e që akoma na përsërit: "Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?.. Mos ki frikë”.