Kërko

 Shtëpia e Mësuesit Hyjnor. Ushtrimet shpirtrore Shtëpia e Mësuesit Hyjnor. Ushtrimet shpirtrore 

Kreshmë. Filluan Ushtrimet shpirtërore, Papa po i ndjek nga Vatikani

Në një letër drejtuar predikatarit të Ushtrimeve shpirtërore, që filluan dje pasdite në Ariccia, Françesku lutet dhe e bekon Kurien, mbledhur në lutje. Kujton, më pas, se po i ndjek nga dhoma e tij predikimet e atit jezuit Pietro Bovati, tema kryesore e të cilave është lutja dhe miqësia me Zotin.

R. SH. - Vatikan

“Takimi i Zotit me njeriun, qëndrimi vetëm për vetëm me Të, domethënë   vetë shkaku i lutjes” ishte tema e meditimit të hyrjes së Ushtrimeve shpirtërore, që Atë Pietro Bovati i nisi mbrëmë në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, ku është mbledhur Kuria Romake.Takimi i parë u hap me leximin e letrës dërguar nga Papa Françesku, përmes së cilës, siç pati kujtuar edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, shpjegonte se, ngaqë është i ftohur, do t’i ndjekë  nga dhoma e tij, në Shtëpinë e Shën Martës, Ushtrimet, që do të vijojnë deri më 6 mars e që u hapën me bekimin e Atit të Shenjtë.

Françesku në Engjëllin e  Tënzot

I nisi me një ftesë për  gatishmëri, në pritje të zbulesës hyjnore, Ushtrimet shpirtërore, jezuiti Atë Bovati. Kujtoi menjëherë Moisiun që, siç tregohet në Librin e Daljes, Kapitulli 33, “lë çdo mision, për të hyrë në çadrën e kuvendit e për të dëgjuar Zotin, që i flet sy për sy”. Ja, pra, çfarë është lutja - shpjegoi predikatari. - Është sidomos Zoti, që flet. Jo në përgjithësi, por në mënyrë intime, personale. E nëse lutja është e vërtetë - kujtoi - të krijon atë familjaritet, që nuk është kulturë teologjike a biblike, por takim i vërtetë me “një zjarr”, që e bën njeriun, edhe pse i brishtë, të aftë për mision profetik e dëshmi të vërtetë.

Bota e sotme - vërejti ati jezuit - ka shumë nevojë për këtë takim. Prandaj lutja jonë - shtoi - duhet të jetë ngulmuese, nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë e duhet t’u bindet planeve të Zotit,  jo tonave. Në këto Ushtrime të Kreshmëve, që do të shoqërohen nga Leximi i Psalmeve - përfundoi atë Bovati – do të jemi “për udhë, me Moisiun e si Moisiu”.

Ikona e zgjedhur nga predikatari, pra, është pikërisht ajo e Moisiut që, duke iu bindur plotësisht urdhrit të Zotit, heq sandalet, si të donte të thoshte “se nuk e ka ndër mend të shkojë gjetiu, se nuk ka udhë, as drejtim tjetër, përveç Krishtit. Në mënyrë që të mund të na flasë e të na dërgojë drejt vëllezërve, që presin çlirimin e shëlbimin”.

 

 

02 mars 2020, 10:59