Basilica San Pietro Media  Basilica San Pietro Media  

Koronavirusi prek edhe jetën e Kishës. Pacienti i parë në Vatikan

Pas gjetjes së pacientit të parë me koronavirus në Vatikan, po studiohet mënyra e pjesëmarrjes në lutjen e Engjëllit të Tënzot, që kremtohet të dielave, me Papën Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, si edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës.

R.SH. - Vatikan

Atmosferë surreale në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, praktikisht bosh e pa radhë pranë pikave të kontrollit për të hyrë në bazilikë. Po kështu, via della Conciliazione, rruga që lidh Bazilikën e Shën Pjetrit me kështjellën e Shën Engjëllit, ka pak njerëz, që hyjnë e dalin të çuditur nga heshtja në dyqanet e baret e zonës. Ky është efekti koronavirus, i cili, edhe ditët e kaluara, e pati zvogëluar numrin e shtegtarëve e të turistëve përreth Vatikanit.

Pacienti i parë me koronavirus në Vatikan

E sot, u gjet edhe pacienti i parë me koronavirus në Vatikan. U mbyll ambulanca brenda shtetit të Papës e mbeti hapur vetëm Urgjenca. Autoritetet e Vatikanit aktivizuan menjëherë protokollin shëndetësor për të verifikuar të gjitha kontaktet, që ka pasur këto ditë pacienti. Ndërkaq, Papa është më mirë me shëndet, njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit, Matteo Bruni. Natyrisht, Ati i Shenjtë nuk është me koronavirus, por me një të ftohur të lehtë, siç është theksuar këtyre ditëve nga zëdhënësi i Vatikanit, i cili nënvizon se Françesku vazhdon të kremtojë çdo ditë meshën, në Shtëpinë e Shën Martës dhe ndjek ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake, që mbahen në Ariccia, pranë Romës.

Ndoshta, Engjëlli i Tënzot dhe audienca e përgjithshme, në streaming

Po Matteo Bruni shpjegon se, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po studiohen masat, që duhen marrë për veprimtaritë e ardhshme të Papës Françesku dhe të Selisë së Shenjtë, për shmangien e përhapjes së Covid-19. Takimet e ardhshme publike të Bergoglio-s janë lutja e Engjëllit të Tënzot, të dielën, më 8 mars, dhe audienca e përgjithshme e së mërkurës, 11 mars. 

Koronavirusi ia ndryshon jetën Kishës

Emergjenca e shkaktuar nga koronavirusi, pra, po ia ndryshon jetën edhe Kishës, e cila, pikërisht në Kohën e Kreshmëve, ndër më të rëndësishmet e vitit liturgjik, duhet të rishikojë përparësitë e saj. Në të ashtuquajturat “zona të kuqe” në Itali, meshët transmetohet në rrjetet shoqërore, ndërsa në zonat e tjera, Konferenca Ipeshkvnore Italiane ka dhënë udhëzime për kremtimin e meshëve nëpër kisha, por duke respektuar direktivat qeveritare për mbrojtjen nga virusi. Janë mbyllur shkollat dhe universitetet katolike, përfshirë ato papnore. Përveç Romës, në të gjitha dioqezat e tjera është pezulluar katekizmi dhe çdo veprimtari me rininë, kurset e përgatitjes për martesë dhe shtegtimet. Mensat e Karitasit e shërbejnë ushqimin jashtë e jo në vende të mbyllura. Bashkësia e Shën Egjidit, bashkë me ushqimin, u shpërndan të pastrehëve edhe dezinfkestues për duart.

Masat e ipeshkvijve të Shqipërisë

Siç ju kemi njoftuar, janë organizuar edhe ipeshkvijtë e Shqipërisë. Nëpër kisha nuk vendoset uji i bekuar në hyrje; paqja nuk jepet duke shtrënguar duart, por duke e përshëndetur tjetrin me kokë; hostja e shenjtë jepet vetëm në dorë; këshillohet të mos preken shtatoret e fuguret e shenjtorëve; meshtarët e rregulltarët, që u shërbejnë të sëmurëve të çdo lloji, duhet të ndjekin udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik. Së fundi, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i fton të gjithë besimtarët t’i luten Zotit të Gjithpushtetshëm ta shpëtojë njerëzimin nga ky virus i rrezikshëm.

06 mars 2020, 14:29