Porta e Bazilikës së Shën Pjetrit Porta e Bazilikës së Shën Pjetrit 

Koronavirus, mbyllen Bazilika dhe Sheshi i Shën Pjetrit

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë komunikon masat e reja më kufizuese, që do të vlejnë deri më 3 prill në Vatikan, për të shmangur përhapjen e Covid-19, sipas vendimeve të fundit të qeverisë italiane. Si masë parandaluese, ndryshohen, ose mbyllen edhe shërbime të tjera.

R.SH. - Vatikan

Masat kundër përhapjes së koronavirusit bëhen gjithnjë e më të ashpra. Që nga mbrëmja e djeshme, e gjithë Italia është shpallur zonë e mbrojtur e kufizime ka në çdo nivel. Edhe Vatikani i përshtatet gjendjes e Salla Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi sot “disa masa të mëtejshme”, miratuar “në koordinim me masat e marra nga autoritetet italiane”. Në veçanti, saktësohet se që sot, “Sheshi dhe Bazilika e Shën Pjetrit mbeten të mbyllura për vizitat me udhërrëfyes dhe për gjithë turistët”.

Bllokim deri më 3 prill

Jo të gjitha shërbimet brenda Vatikanit pësojnë të njëjtin fat. “Farmacia dhe supermarketi mbeten të hapura, por me hyrje të kufizuara”, shpjegohet në notën zyrtare. Ndërsa që sot, “si masë parandaluese, mbyllen njësia e lëvizshme e Postave të Vatikanit në Sheshin e Shën Pjetrit, dy pikat e shitjes së Shtëpisë Botuese të Vatikanit (LEV), Shërbimi Fotografik i gazetës ‘L’Osservatore Romano’, i cili, gjithsesi, mund të konsultohet online, si edhe magazina e veshjeve. Mensa për punonjësit do të mbyllet nga data e nesërme, 11 mars, kur do të aktivizohet një shërbim për dorëzimin e ushqimit (drekës), me kërkesën e realiteteve dhe të enteve të ndryshme të Selisë së Shenjtë e të Shtetit të Vatikanit. Masa të tilla - përfundon komunikata - mbeten në fuqi deri më 3 prill 2020, përveç udhëzimeve të reja”.

10 mars 2020, 17:07