Kërko

2020.03.16 settimana santa inHonduras 2020.03.16 settimana santa inHonduras 

Kardinali Stella: Zoti na bën thirrje t’i kalojmë Pashkët në familje

Mungesa e besimtarëve në kremtimet për Treditëshin e Pashkëve është, sipas prelatit të lartë, rast për përforcimin e fesë. Shpirti Shenjt, pohon ai, nuk do të mungojë e do të na ndihmojë të përjetojmë një Javë të Madhe frytdhënëse, sidoqoftë.

R.SH. - Vatikan

Kremtimet liturgjike të Treditëshit të Pashkëve do të bëhen pa praninë e besimtarëve “për shkak të emergjencës aktuale shëndetësore ndërkombëtare”. Prefektura e Shtëpisë Papnore, që u shpërndan biletat falas besimtarëve për kremtimet vatikanase e për audiencat e përgjithshme të Papës Françesku, e dha këtë lajm të dielën, më 15 mars. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi se po studiohen mënyra kremtimi, që respektojnë masat e sigurisë, por është akoma e vështirë të imagjinohet bekimi “Urbi et Orbi”, pa turmën tradicionale në Sheshin e Shën Pjetrit. Për kardinalin Beniamino Stella, prefekt i Kongregatës për Klerin, pavarësisht nga trishtimi, ky është rast për ta përforcuar fenë. Ja ç’na tha, në mikrofonin tonë:

Kujtoja, pikërisht këtë fundjave, një shprehje të bukur të romanit “Promessi sposi” të Manzonit, që në kohën e vet, pati folur për murtajën. Në fund të romanit shkruan: “Zoti nuk e prish kurrë gëzimin e bijve të vet, përveçse për t’u dërguar një gëzim më të madh”. E konsideroj këtë shprehje shumë ngushëlluese për jetën tonë. Mendoj se, në mungesë të riteve, të pjesëmarrjes fizike, duhet të gjejmë në këto rrethana një mënyrë të thellë, një intimitet të madh me Zotin, për të komunikuar me Kishën, me Sakramentet. Mendoj se nuk do të na mungojë Shpirti Shenjt për të jetuar një Javë të Madhe të mrekullueshme, të thellë, pavarësisht nga trishtimi për vdekjet, për sëmundjet e për dramën, së cilës nuk ia dimë as përmasat e sidomos, as zgjatjen.

Ati i Shenjtë foli për kohë të përshtatshme që të thellohemi në vlerën e bashkimit. Si të ecim së bashku deri për Pashkë?

Mendoj se ekziston mundësia, çdo ditë, për t’u lidhur me meshën e Papës, me lutjen mariane të Rruzares… E sidomos në familje. Mendoj se koha, që e kalojmë së bashku, është shumë e rëndësishme për ta ndierë se edhe familja është një kishë e vogël shtëpiake, për të zbuluar kuptimin e lutjes në familje. Sot, kemi mundësinë ta shndërrojmë këtë dramë në rast përforcimi të fesë. Në sprova, Zoti na fton gjithnjë ta ndryshojmë zemrën e të kthehemi në shtëpi, në kuptimin e shëmbëlltyrës së bukur të Atit të mëshirshëm (djalit plangprishës).

Ç’mund t’u themi sot gjithë besimtarëve, që përgatiteshin të vinin në Romë për kremtimet e Pashkëve?

 Duhet t’u themi të rrinë në familje, që në një farë mënyre, mund të fillojnë nga meshtarët, nga kishat e tyre lokale… Sot, teknologjia na lejon vërtet ta jetojmë bashkimin, që quhet virtual, por faktikisht, nuk është vetëm virtual, pasi besoj se Shpirti Shenjt na flet edhe përmes këtyre risive të botës së sotme, u flet zemrave, ndërgjegjeve, u flet të vegjëlve e të mëdhenjve. Të gjithë shtegtarët, që dëshironin të vinin në Romë a në shenjtërore të ndryshme, duhet të mendojnë se Pashkët e kthimi i zemrave për ta duhet të ndodhin në familje, në ambientin e tyre të vogël, aty ku Zoti i fton ta jetojnë misterin e Pashkëve, në këtë çast.

Sot, na kërkohet një përpjekje kolektive, para një të keqeje të padukshme, që shkakton shumë frikë. Ju si e jetoni këtë Kreshmë, në veçanti, në zemrën tuaj?

Eh po, edhe mua më është dashur t’i rishikoj kohët e heshtjes, kohët e lutjes, kohët e adhurimit… Por, duhet të jemi edhe aktivë, krijues… për shembull, të përdorim celularin me njerëzit, t’u telefonojmë, të komunikojmë me ta, t’u themi një fjalë të mirë… Unë e bëj këtë dhe ua kam këshilluar edhe të tjerëve: familjarëve, miqve, për të krijuar një rrjet të bukur, që na bashkon në këtë moment. Ua kam thënë edhe meshtarëve e famullitarëve. U kam thënë: “Shpik ndonjë gjë për të komunikuar me besimtarët. Shndërroje në mundësi këtë çast sprove, shqetësimi e krize të madhe”.

17 mars 2020, 15:59